Takim i departamentit të pronave të PD me pronarët në Vlorë. Qeveria aktuale ka përkeqësuar gjendjen me ligjin anti-kushtetues. Zgjidhja e çështjes së pronave me programin e Partisë Demokratike

 Pronarët vlonjatë të cilët kërkojnë prej katër vitesh kthimin e pronave të tyre, do të marrin pjesë në protestën e 18 shkurtit në Tiranë.

Ata theksuan se me këtë qeveri nuk kanë gjetur asnjë derë të hapur dhe se  në  katër vite Rilindja, çështjen e pronave, e la krejtësisht në harresë duke mos trajtuar asnjë kërkesë në themel.

“Me këtë qeveri nuk ka drejtësi e zgjidhje por vetëm, zvarritje dhe korrupsion. Ne duhet të protesojmë për këtë të drejtë kushtetuese të mohuar dhe vetëm programi i djathtë sjell shpresë për zgjidhjen e çështjes së pronave”, tha një pjesmarrës në takimin e organizuar nga Departamenti i Pronave në Partinë Demokratike.

“Partia Demokratike do të shfuqizojë ligjin aktual të qeverisë për pronat dhe do të hartojë një ligj që do t’i kthejë të drejtën pronarëve për kompensim fizik dhe monetar”, u shpreh kreu Departamentit të Pronave në PD, Genti Malko.

Gjatë fjalës së tij, Malko tha se qeverisja aktuale bëri një ligj antikushtetues, që nuk i ka dhënë zgjidhje asnjë pronari, madje ka shtuar kalvarin e vuajtjeve të tyre.

“Ligji i qeverisë kërkon të fundosë të drejtat e pronarëve, ndër të tjera me ndryshimin e zërit kadastral, heqjen e çmimit të tregut dhe vetëvendosjen e standarteve të pronës nga vetë agjensia e kthimit dhe kompensimit të pronave. Kjo agjensi në kundërshtim me të drejtat e pronarëve, në ligjin aktual nuk  i referohet standarteve të BE. Të gjitha çfarë ka bërë qeveria, janë hapa mbrapa, që bien në kundërshtim jo vetëm me parimin kushtetues të së drejtës së pronës , por bien në kundërshtim dhe me jurisprudencën që ka  mbajtur Gjykata Evropiane  e të Drejtave të Njeriut kundër shtetit shqiptar. Unë mendoj se situatë më të keqe për pronarët se kjo që po kalojnë me këtë qeveri, nuk ka. Me ardhjen e PD në qeverisje do të jetë prioritet, trajtimi i dosjeve sa më shpejt të cështjeve të patrajtuara ndonjëherë nga Agjensia që janë reth 12 mijë”, tha Malko.

Takimet e departamentit të pronave pranë PD do të vijojnë intesivisht në qytetet e Shqipërisë, me ish-pronarët, për të ofruar zgjidhje kësaj çështje. Në këtë takim në Vlorë, u theksua që zgjidhja vjen përmes programit të Partisë Demokratike, dhe zgjidhja vjen me vendimin e madh të 18 shkurtit që do të sigurojë votë të lirë e të ndershme.