Pikat kryesore të Lulzim Bashës në emisionin “Të Paekspozuarit”: 

 

Në lidhje me lirimin e Lulzim Berishës

Nuk mendoj se ka shumë vend për koment. Ne si Parti Demokratike kemi që prej fillimit të kësaj qeverie që kemi denoncuar si problem kryesor të saj, lidhjen me krimin. Kjo është prova më e qartë e mënyrës se si krimi ka kapur politikën, si krimi ka kapur shtetin.

Në qoftë se ka një gjë të re këtu, është se lidhja krim-politikë ka dalë haptas.

Dy raste ka kur lidhjet dalin haptas. Një është rasti i automjetit të Ministrit të Brendshëm të vënë në dispozicion të një tjetër bande të rrezikshme të vendit, bandës së Habilajve për narkotrafikim.

Dhe ky është rasti i dytë ku kemi një dokument zyrtar të firmosur nga kryetari i Bashkisë i cili i ofron një vend pune në Bashki, si një kusht për lirimin e Lul Berishës të dënuar përjetë, si një nga kokat kryesore të krimit të organizuar, për pesë vrasje dhe terrorizim jo vetëm të Durrësit por të gjithë Shqipërisë.

Pra, çfarë komenti mund të bëjmë këtu, nuk është rasti i vetëm, kishim rastin e Klement Balilit para dy ditësh, kemi rastin e Armando Prengës. 

Ky njeri është arrestuar në vitin 2006 pas një përpjekje titanike të policisë gjatë qeverisjes tonë, sepse ky njeri bënte ligjin. Ka qenë një nga figurat e denoncuara me emër e mbiemër gjatë opozitës së Partisë Demokratike 2001-2005, ndoshta edhe më herët.

Është arrestuar në Maqedoni, që tregon që shteti shqiptar ka bërë një përpjekje ekstra për arrestimin e një prej kokave kryesore të krimit në Shqipëri dhe rajon. Është dënuar me burgim të përjetshëm nga gjykatat e vendit nga të njëjtat gjykata.

Çështja qëndron këtu: Zv/kryeministri i Ramës në Parlament tha: “Çfarë të keqe ka t’i jepet mundësia si çdo qytetari tjetër të bëjë punë vullnetare në Bashki?!”

E para, bëhet fjalë për një nga kokat e krimit të organizuar, i dënuar për këtë çështje.

E dyta, çfarë do të thotë kjo, që Lul Berisha do të mbledhë kanoçe në plazhin e Durrësit?! Ka njeri që e beson këtë? Pra, ka njeri që të besojë se e kanë nxjerrë nga burgu që të ndihmojë Vangjush Dakon të pastrojë plazhin e Currilave apo plazhin e Durrësit?!

Pse kemi ardhur këtu, sepse janë gjykatat, janë të njëjtit gjyqtar që e kanë dënuar përjetë në 2006 Lul Berishën. Çfarë ka ndryshuar, çfarë ka ndryshuar që mes të njejtëve gjyqtar, të njejtës trupë, që atëherë patën guximin pasi policia e arrestoi, të bënin një proces të rregullt gjyqësor, ta dënonin dhe këtyre sot, që me një letër të kryebashkiakut të Durrësit, që njihet si njeri shumë i afërt i kryeministrit, ta lirojnë?

Kjo është pjesa kryesore e çudisë, sepse ndahen në dy pikëpamje: A është drejtësia e korruptuar, nëna e politikës së korruptuar, apo bija e politikës së korruptuar ?! Unë besoj se drejtësia e korruptuar është produkt i politikës së korruptuar. Politika e korruptuar, politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin kanë nevojë për një drejtësi të kapur, të korruptuar, të shantazhueshme, për një drejtësi që t’i diktojnë vendime, siç është ky vendim.

Politikanët nuk u korruptuan sepse kemi gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar, politikanët investuan për gjyqtarë dhe prokurorë të kapshëm, të shantazhueshëm, të korruptueshëm dhe ky është një nga frytet e këtij bashkëpunimi midis politikës së inkriminuar dhe të korruptuar dhe segmenteve të korruptuara të gjyqësorit.

 

Në lidhje me aktivitetin opozitar të PD-së

Kjo është një opozitë me produkt thelbësor dhe ndoshta ndër më të suksesshmet në historinë e vendit. Pavarësisht se nuk kemi numrat në Kuvend, ne kemi arritur si fitore kauza për shqiptarët siç është çështja e dekriminalizimit, reforma në drejtësi që nisi si përpjekje  për të kapur drejtësinë, por falë ndërhyrjes së Partisë Demokratike në 22 korrik u përmbyll si një reformë e standarteve evropiane, në sensin kushtetues.  Është çështja e drogës që kur ne nisim ta denonconim me protesta, me denoncime konkrete, të shumtë ishin ata dhe në media na përqeshnin, bënin humor me mushkonja.

Këto janë çështje të interesit publik, dhe pa denoncimin tonë dhe pa rolin tonë aktiv asnjë prej këtyre çështjeve nuk do të kishte arritur aty ku është sot.

Qytetarët kanë pritshmëri ndaj opozitës. Kjo është një shenjë që shqiptarët duan ndryshim. Dhe unë i kuptoj këto pritshmëri ndaj opozitës. I mirëkuptoj. Mirëkuptoj edhe skepticizmin, mirëkuptoj edhe mosbesimin. Fakti që këta kanë bërë këto, që kanë bërë këto 3 vite nuk vjen si avantazh për opozitën.

Pasi kjo ka zhbërë besimin te politika si instrument ndryshimi. Dhe të shkatërrosh besimin te politika, si instrument ndryshimi në demokraci, do të thotë të shkatërrosh besimin tek e ardhmja. Sepse rrugë tjetër për të ndryshuar në demokraci përveç politikës që i shërben interesit publik, nuk ka.

Padyshim që opozita përdor edhe instrumentin e protestës. Dhe shumë prej këtyre protestave janë edhe përballje force.

Pa dyshim që protesta mbetet një teknikë e opozitës, por nuk është qëllim në vetvete.

Qëllim në vetvete është që t’i shërbejë interesit publik duke frenuar arrogancën, arbitraritetin, abuzimin, dhe duke hapur shtigje të një politike në shërbim të qytetarit.

Në fund të fundit, ideja se opozita ka një shkop magjik, është një ide për mendimin tim irreale. Shkopin magjik e kanë qytetarët. Quhet votë. Opozita ka detyrën që qytetarëve t’u ofrojë alternativën për të votuar. Ne këtë kemi bërë.

Ke nga njëra anë Elvis Roshin, Armando Prengën, Klement Balilin, Lul Berishën e shumë e shumë dhe Edi Ramën që i mban bashkë. Ke një opozitë që ka dalë qartë kundër tyre. Me ligj, me qëndrime dhe me alternativë.

Ke një Shqipëri të mbuluar me drogë. Ke një opozitë e cila ka dalë me një alternativë për ta nxjerrë Shqipërinë nga kjo fatkeqësi. E para, duke prishur paktin e krimit me politikën.

Po nuk prishëm paktin e krimit me politikën, problem i drogës do jetë edhe më i madh.

E dyta, duke rivendosur kontroll të rreptë të kufijve tanë, duke përfshirë moratoriumin, i cili funksionon.

E treta duke i dhënë mundësi fermerëve dhe të gjithë atyre që sot bukën e fëmijëve të tyre nuk kanë ku ta sigurojnë, prandaj kthehen te droga, që të kenë mundësi të krijojnë mirëqënie përmes djersës së punës së tyre, duke mbështetur bujqësinë me subvencione.

Partia Demokratike ka detyrën të frymëzojë shpirtin e protestës. Të frymëzojë shpirtin e përballjes. Dhe kjo është një detyrë shumë e vështirë në rrethanat e sotme. Se ju përballeni përditë edhe si njerëz të medias, me çfarë regjimi hibrid po përballemi.

Kjo është detyra ime si opozitar. Është detyrë e juaja. Detyra juaj është të ndihmoni këtë përpjekje. Jo të bëni opozitën e opozitës. Se unë e kam thënë edhe më parë: Opozita e opozitës është vija e fundit e mbrojtjes së qeverisë.

 

Për hapjen e PD-së

Partia Demokratike, ka një model transformimi i cili është model modern, europian. Në bazë të saj është vota. Vota e anëtarësisë sot, vota e qytetarëve nesër. Dhe mundësia që çdokush të konkurojë në bazë të aftësive dhe vleravë të veta.

Edhe unë jam produkt i hapjes së PD-së. Unë jam produkt i hapjes së Shqipërisë, që më dha mundësinë të shkoja në një vend perëndimor. Të merrja edukim në një vend perëndimor. Dhe së dyti jam një produkt i hapjes së Partisë Demokratike që në një moment të caktuar, kuptoi rëndësinë e hapjes ndaj njerëzve të cilët i kanë ndërtuar vlerat e tyre jashtë politikës, por që duan t’i ndajnë këto vlera për të ndryshuar Shqipërinë.

Kam qenë 17 vjeç kur është themeluar Partia Demokratike. Kam qenë 19 vjeç kur jam larguar nga Shqipëria. Sot jam kryetari i Partisë Demokratike. Dhe sot është radha ime të bëj jo thjeshtë çfarë është bërë dje. Për të hapur më shumë Partinë Demokratike. Për të hapur mendjet, jo thjesht për të hequr gardhin. Dhe për t’i dhënë Partisë Demokratike frymëmarrje moderne perëndimore. Ky është shërbimi që i bën Partia Demokratike interesit publik.

 

 Në lidhje me drogën

E para është prishja e paktit të politikës me krimin që do të thotë largimin e personave me rekorde kriminale nga çdo nivel vendimmarrës, kuvendi, bashkitë, policia, taksat, tatimet, inspektoriatet!

Pa u bërë kjo, asnjë përpjekie nuk do të ketë sukses! Nuk ka ushtri europiane apo amerikane të asgjësojë problemin e drogës në Shqipëri në qoftë se ne nuk prishim paktin e politikës me krimin. S

ë dyti një sërë hapash që kërkojnë vullnet politik! Vendosje të moratoriumit mbi mjetet lundruese edhe një herë deri në kurimin e këtij problemi, vendosje dhe rivendosje të plotë të kontrollit të territorit dhe të kufijve edhe permes strukturave të specializuara për të cilat Departamenti i Sigurisë në Partinë Demokratike ka një propozim solid dhe serioz që kam patur rastin ta konsultoj javën e shkuar me ekspertë të sigurisë të Komisionit Europian duke iu kërkuar edhe ndihmë financiare!

Bëhet fjalë pë xhandarmërinë kombëtare e cila do të ketë në dispozicion mjete të mjaftueshme për të kontrolluar të gjithë territorin. A do ta bësh është çështje vullneti, ndarja e politikës me krimin është pjesë e vullnetit. Do ndahemi me krimin! Nuk është e vërtetë që droga ka sjellë përparim në Shqipëri, një grusht bosësh ndoshta janë bërë të pasur, shumica e shqiptarëve janë bërë më të varfër! Tepelenësit, Gjirokastritët!

 

Në lidhje me biznesin dhe konçensionin e laboratoreve

Taksat tona të ulëta, me 9% taksën e sheshtë, me uljen e 15% të TVSH, me këto shqiptarëve iu kthehen 1 miliard euro në xhep në vit, është 10% e prodhimit të brendshëm bruto që ne do t’jua kthejmë me taksa të ulëta. Ekonomia do të zhvillohet se nuk do të jetë në kontrollin dhe dëshirën e Kryeministrit, kryedoganierit, inspektorit. Njerëzit do të jenë të lirë të punojnë me djersën e ballit, Shqipëria kështu eci, nga vendi më i varfër në Europë deri këtu ku është sot, por sot ka një fatkeqësi të madhe. Se nuk ecën dot përpara sipas meritës, sipas ideve, sipas kapitalit.

Por sepse vendos kryeministri cili biznes do të ecë përpara e cili jo, vendos doganieri, tatimori, kush do të ecë përpara e kush jo. Kjo do të marrë fund. Inspektoriatët, tatimorët, doganierët do të futen në kazerma, në zyra, nuk do të jenë duke terrorizuar biznesin gjithë ditën. Sipërmarrjes qeveria e ardhshme do t’i bëjë të mundur t’i lehtësojë kushtet dhe t’i krijojë kushtet për të punësuar më shumë, fermerët do të marrin subvencione. 140 milionë dollarë nuk do t’i marrin 11 miqtë e  Lulzim Bashës por do t’i marrin fermerët.

RAPISCAN-i është një koncesion i cili nuk do të anulohet sepse i shërben sigurisë së kufijve dhe veçanërisht sot nuk do të anulohet. Është mënyra se si e bëjnë një shtet të korruptuar. Por po të kesh kryetarët e bashkive që lirojnë kriminelë ç’pret nga punonjësit e RAPISCAN-it?! Shteti është i kriminalizuar dhe të punojnë punonjësit e RAPISCAN-it, kur kryeministrin e ke duke drekuar dhe darkuar me banditët. Çështja është këtu. Qëndrimi ynë është kundër konçesionit të laboratorëve pasi është vazhdim i skemave korruptive të shëndetësisë që po u kushtojnë shqiptarëve. Partia Demokratike do të anulojë këto konçesione dhe do të mbajnë përgjegjësi ligjore dhe financiare ata që kanë abuzuar.

 

Në lidhje me Vettingun 

Vettingu është mbyllur në 22 Korrik. Vettingu është kontrolli i gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe në parim ne e mbyllëm në 22 Korrik. Në momentin që është në Kushtetutë ajo do të zbatohet, dhe nuk ka diskutim. Dhe si u fut në Kushtutë? U vendos  një trupë e kualifikuar prej 12 vetash të përzgjedhur me ndihmën e BE-së, do të bëjnë kontrollin e figurës së gjyqtarit dhe prokurorit.

U vendos me konsensus, u votua. Këta janë të pavarur nga politika, janë me kritere, janë seleksionuar nën vëzhgimin e  BE-së . Pasi ramë dakort me këtë, del Edi Rama dhe këta dhe bëjnë një ligj dhe  thonë Vettingun do ta bëjnë drejtori i kryeministrit në kryeministri, drejtori i Sajmir Tahirit në Ministri të Brendshme, drejtori i Arben Ahmetaj në Ministrinë e Financave.

Kjo është e papranueshme sepse kjo ka për qëllim ti ruajë gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar dhe t’i përdorë për të liruar Lul Berishën. Kjo nuk do t’i japë shqiptarëve drejtësinë e pakorruptuar. Ata gjyqtarë që janë sot i futën në burg këta,  kur ishim ne në qeverisje, sepse politika e korruptuar pjell sistem drejtësie të korruptuar.

Ne do të zbatojmë Kushtetutën.

Gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar do të largohen. Politikanët e lidhur me krimin socialist dhe demokratë të djeshëm të sotëm apo të nesërm do të përballen me ligjin.