Lulzim Basha bashkëbisedim dhe reflektim me të rinjtë në sheshin Demokracia në Qytetin Studenti 

26 vite më parë ky shesh kumbonte me thirrje “Liri, demokraci!”, “E duam Shqipërinë, si gjithë Europa!”. Mendimi më shkon tek Studentët e Dhjetorit 1990, në një nga momentet më të mrekullueshme të historisë tonë, momentin kur rinia vrau frikën dhe çeli rrugën e lirisë për Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët.

Mendimi më shkon tek Azem Hajdari i pavdekshëm, tek ata qindra e mijëra të rinj të Dhjetorit 1990. Fjalët e mia nuk e përshkruajnë dot nderimin dhe respektin që unë ndjej, jo vetëm sot si kryetar i Partisë Demokratike, por edhe si 17-vjeçari i vitit 1990 këtu në këtë shesh.

Jeta i ka përplasur shumë prej tyre mes vështirësitë dhe zhgënjimeve, disa nuk janë më në Shqipëri, disa nuk janë më mes nesh. Por ajo që ata bënë do të kujtohet e nderohet përherë.

Ata vranë frikën, me idenë e lirisë në mendje dhe liria u hap si një mundësi për të gjithë shqiptarët. Çfarë mësimi tjetër më të vyer mund të ketë një popull nga rinia e vet, sesa vlerën e lirisë.

26 vite më parë ne kërkuam liri, demokraci dhe Shqipëri si gjithë Europa. Sot pas 26 vitesh, liria, demokracia dhe Europa mbeten aspirata të paplotësuara.

Sot nuk kemi demokraci, por kemi autokraci. Kemi sundim për veten. Kemi pushtet të pakufizuar në duart e Kryeministrit dhe të një grushti njerëzish që ka zëvendësuar demokracinë me autokracinë, ekonominë e lirë të tregut me sipërmarrjen e bizneseve klienteliste të partive politike të pushtetit.

Kemi pushtet te pakufizuar që e ka shndërruar shoqërinë e pavarur civile në shoqëri të kapur, të joshur e të trembur; median e lirë e të pavarur në media të nënshtruar, të trembur, të shantazhuar, të goditur dhe të blerë, me ushtri dhe radhë pseudoanalistësh të cilët nuk mbrojnë më interesat qytetare, por interesat e partive, interesat e pushtetit.

Kemi një popull të tërë të skllavëruar dhe të privuar nga nevojat themelore, të pushtuar nga frika e humbjes së gjërave bazike, të bukës, të vendit të punës, të dinjitetit.

Kemi një Shqipëri ku nuk ecën përpara i zoti, i afti, nuk ecën përpara talenti, nuk ecën përpara maturanti me mesataren më të lartë, nuk ecën përpara sipërmarrësi i ndershëm, ai që konkuron me shërbime dhe produkte më cilësore dhe me kosto më të mirë, por ecën përpara ai që përcakton njëshi, i forti i fshatit, i forti i qytetit, i forti i kryeministrisë, i plotfuqishmi që pushtetin që u takon qytetarëve e ka uzurpuar për veten e tij dhe që përcakton nga zyra e tij, nga telefoni i tij, se cili biznes do të ecë e cili do të ngecë, se ku do të shkojë taksidari e doganieri për të terrorizuar sipërmarrësit.

Kemi një Shqipëri ku vetëm një grusht klientësh, servilësh të kryetarit mund të bëjnë përpara; ku deputetë nuk bëhen ata që përfaqësojnë interesat e të djathtëve apo të majtëve, por ata që përfaqësojnë interesat e kryetarit, bizneset e kryetarit, pasurinë e kryetarit, pushtetin e kryetarit.

Para 26 vitesh ekzistonin dy botë. Bota e Bllokut, bllokut të mbyllur komunist dhe Shqipëria e vërtetë, e prapambetur, e ndrydhur, e shtypur, e terrorizuar.

Edhe sot ka dy botë. Edhe sot ka një bllok, ndonëse nuk jetojnë të gjithë në një vend, janë një grusht njerëzish, një kastë, një kënetë me krokodilë të korrupsionit dhe të krimit. Ka edhe një botë tjetër ajo e Shqipërisë së vërtetë me ekonomi anemike, pa konkurrencë, me sipërmarrës që vetëm paguajnë taksa që nuk ju kthehen kurrë si shërbime, me shëndetësi të falimentuar, me rini të lënë midis dy zgjedhjeve, të dëshpërimit apo largimit nga vendi.

Sot shqiptarët presin mesazhin se ne refuzojmë të jemi skllevër të një autokracie të veshur si demokraci, të një ekonomie të kontrolluar nga pushteti dhe klientët e saj. Se ne refuzojmë të jetojmë në një vend ku frikën nga terrori i diktaturës, i sigurimit të shtetit e ka zëvendësuar frika nga taksidari që vjen të mbyllë biznesin, frika nga drejtori që të heq nga puna për t’i hapur vendin dikujt tjetër pa meritë, frika se gjithçka është në duart e njëshit dhe asgjë nuk është më në duart e qytetarëve.

Dua t’ju them nga ky shesh i frymëzimit për liri dhe demokraci se liria si zgjidhja për gjendjen e tmerrshme ku ndodhet vendi, fillon nga shtëpia jonë, nga liria për të shprehur pa asnjë kompleks mendimin tuaj, me zë të lartë, për të kritikuar këdo dhe për të ofruar zgjidhje siç ju i mendoni.

Nga liria për të mos qenë servilë të Kryetarit apo deputetit, liria për të qenë vetvetja, liria për të qenë forca më e madhe në Partinë Demokratike, forca e ndriçimit, forca e të nesërmes.

Nga liri për ecur përpara. Atje ku ka demokraci, ku qytetarët kanë në dorë fatin e tyre, janë zotër të fatit të tyre.

Jam i bindur se beteja e rinisë shqiptare që sot i dhatë zë me pjesëmarrjen tuaj të mrekullueshme në këtë shesh dhe para këtij sheshi, është t’ia kthejmë këtë liri shqiptarëve, t’ia kthejmë Shqipërinë shqiptarëve, ti kthejmë qeverisjen shqiptarëve permes demokracisë dhe fuqizimit të shqiptarëve!

Që çdo shqiptar ta dijë e ta besojë dhe ta gëzojë këtë që po them, ne duhet të ndryshojmë edhe mënyrën se si funksionojmë në shtëpinë tonë.

Partia Demokratike lindi jo si parti e parisë, jo si parti e një grupi njerëzish që duan të vijnë me çdo kusht në pushtet, lindëm si një parti e shpresës për çdo shqiptar, si parti e lirisë për çdo shqiptar.

Ne jemi prapë ajo parti pas 26 vjetësh. Me arritjet tona për të cilat jemi krenarë, me gabimet tona për të cilat reflektojmë dhe duhet të reflektojmë, por jemi prapë parti e shpresës për çdo shqiptar, parti e çdo shqiptari dhe parti e Shqipërisë.

Prandaj ne duhet të forcojmë demokracinë e brendshme, ne duhet ti japim mundësinë çdokujt që ka një ide, një vizion, një platformë, një vlerë për të ndarë, të konkurrojë lirshëm dhe të përfaqësojë lirshëm interesat e demokratëve dhe interesat e Shqipërisë.

Fati i shqiptarëve është në duart e shqiptarëve. Por fatin e shqiptarëve gjithmonë e ka përcaktuar rinia. Liria dhe rinia janë të lidhura ngushtë me njëra tjetrën. Sot thirrja për liri është në fakt apeli ndaj rinisë për t’u ngritur përsëri, për të refuzuar kastën, për të refuzuar pushtetin e pakufizuar, për të refuzuar dogmën, për të refuzuar padrejtësinë, për të refuzuar korrupsionin, për të refuzuar krimin dhe për të përqafuar vlerat Europiane.

Të gjithë të barabartë para ligjit. Mundësi për të gjithë, në një Shqipëri që i ka të gjitha mundësite për ti mbështetur të gjithë. Por për këtë, na duhet një qeverisje për qytetarët. Për këtë, na duhet një Parti Demokratike për shqiptarët, një Parti Demokratike për rininë, një Parti Demokratike për të rinjtë.

Liria ështe vlera me të cilën do të ecim përpara. Unë do bëj gjithçka që liria në Partinë Demokratike t’u japë mundësinë gjithsecilit prej jush të shpalosë vlerat tuaja më të mira, e të merrni përgjegjësitë më të larta pa asnjë kufizim.

Dua ti them çdo të riu e të reje shqiptare, se ky është misioni im. Ky do të jetë misioni im në qeverisje nesër. Asgjë nuk do të na bjerë nga qielli. Asgjë nuk do të ndryshojë po nuk e ndryshuam ne. Dhe ne mund dhe do ta ndryshojmë vetëm përmes lirisë, vetëm përmes demokracisë, vetëm përmes vlerave që i bëjnë vendet europiane të dëshirueshme, të përparuara, destinacionin e çdokujt, që sot sheh me dëshpërim një Shqipëri të rrënuar.

Unë pres, pres nga ju, pres nga gjithësecili prej jush, nga mijëra e mijëra të rinj, të mos largohen por të qëndrojnë e të luftojnë, të përballen e të fitojnë. Shqipëria është e juaja e askujt tjetër. Dhe së bashku, së bashku me cdo shqiptar të ndershëm pavarësisht prej kredos politike, pavarësisht prej bindjes dhe formimit, jam i sigurt se shkëndija e shpresës që ndezni sot nga ky shesh, do të kthehet në një zjarr të madh besimi që do t’u kthejë shqiptarëve të drejtat e mohuara, të drejtën e pronës të drejtën e punës me djersën e ballit, të drejtën e votes së lirë.

Të gjithë ne duam jo thjesht një hap më shumë,  por një ndryshim rrënjësor, një ndryshim rrënjësor për t’i kthyer qeverisjen qytetarëve, për t’i kthyer buzëqeshjen shqiptarëve, për t’i kthyer Shqipërisë shpresën dhe besimin se do të jetë si gjithë Evropa, me liri me demokraci me përparim, zhvillim dhe punësim.

Gëzuar 8 Dhjetorin!