Përshëndetje të nderuar deputetë,

Të dashur qytetarë, qytetare, përfaqësues të medias,

Koha po shtrëngon për reformat dhe këtu kam parasysh aktet plotësuese  për  ligjin e  dekriminalizimit, reformën  në drejtësi dhe reformën zgjedhore, si tre shtyllat kryesore të aksionit tonë politik në këtë periudhë.

Secila prej këtyre dhe të treja së bashku janë një kusht i domosdoshëm për një ndryshim të madh në demokracinë, në gjendjen ekonomike dhe shoqërore të Shqipërisë, për rivendosjen dhe kthimin njëherë e përgjithmonë të Shqipërisë  në kursin e një demokracie normale, për ndarjen e politikës nga krimi, për transparencën për çdo qindarkë dhe ndëshkueshmërinë ligjore të çdo abuzimi me paratë publike, në radhë të parë të korrupsionit qeveritar, për investimet e parave të shqiptarëve për shqiptarët dhe jo për një grusht pushtetarësh vetëshërbyes dhe të korruptuar deri në palcë.

Hartimi dhe zbatimi në germë dhe në frymë janë sot më jetike se kurrë dhe në, Partia Demokratike e kemi dëshmuar jemi të vendosur të japim kontributin dhe mbështetjen tonë në këtë proces.

Sot dua të falenderoj dhe të shpreh mirënjohjen edhe për kontributin e  jashtëzakonshëm që po japin partnerët tanë, eurodeputetët Kukan dhe Fleckenstein të cilët siç e keni ndjekur zhvilluan një vizitë në Tiranë, dhe partnerët tanë europianë dhe amerikanë.

Ne mbështesim pa asnjë rezervë ngritjen nga Bashkimi Europian të një misioni monitorues të zbatimit të reformës në drejtësi. Duke e paralajmëruar këtë çështje, siç edhe bëmë, pa u miratuar akoma reforma në fjalë, Europa ka vënë gishtin në plagën më të madhe të ligjvënies në Shqipërinë e sotme, që është  moszbatimi dhe shkelja  e ligjeve nga një qeveri që e sheh veten mbi ligjin.

Ne ndajmë të njëjtën pikëpamje me miqtë tanë europianë dhe amerikanë se ligji pa zbatimin është mashtrim, është hipokrizi. Në këtë kontekst ne nënvizuan në takimin  me dy europarlamentarët shqetësimin tonë për zvarritjen e akteve plotësuese të ligjit të dekriminalizimit dhe mbi të gjitha për sfidat e  vazhdueshme që kryeministri i bën këtij ligji, si përmes  emërimeve të  reja të individëve me rekorde kriminale në poste kyçe,  ashtu edhe përmes fuqizimit politik dhe ekonomik të këtyre individëve në forma të tjera.

Ne e dimë, shqiptarët e dinë dhe miqtë tanë e dinë se Edi Rama, strategu dhe zbatuesi i kriminalizimit të politikës, e ka pranuar nga e keqja ligjin e dekriminalizimit. Që nga dita e miratimit të këtij ligji, ai ka treguar dhe po tregon qartë se po të kishte mundësi do ta linte të mykej në sirtarët e tij.

Duke qenë se falë betejës dy vjeçare të opozitës nuk ja arriti dot, ai po bën gjithçka që t’i fusë nga dritarja individët me rekorde kriminale që ligji i nxjerr nga dera e politikës. Tani që selia e krimit brenda në Kuvendin e Shqipërisë dhe në institucione të tjera do të çmontohet, kërkon t’i mbajë e t’i forcojë jashtë Kuvendit e kryesisht brenda Partisë Socialiste falangat e tij nga bota e krimit. Me të njëjtat detyra; të vjedhin, të grabisin, të plaçkisin, të blejnë vota, të terrorizojnë zgjedhësit, të manipulojnë rezultatet për pushtetin e Edi Ramës.

Ngjarjet e fundit në Lezhë janë shembulli tipik i farës së krimit, konfliktit  dhe injorancës që ka mbjellë dhe vazhdon të mbjellë ky njeri anembanë vendit.

Aleanca e tij e pashembullt me krimin në njërën anë dhe korrupsionin në koncesione e tendera në anën tjetër, e kanë bërë Edi Ramën sot subjektin numër një i ligjit për dekriminalizimin dhe të reformës në drejtësi që s’ka lënë e s’po lë gur pa luajtur ta pengojë duke dashur ta bëjë jo siç janë standardet e  drejtësisë në demokraci, jo siç thotë Komisioni i Venecias, por siç do t’i pëlqente vetë atij.

Shqiptarët po ndërgjegjësohen çdo ditë se dekriminalizimi i vërtetë fillon nga koka, fillon me largimin e Edi Ramës dhe skotës së tij nga qeveria. Ai është  pengesa e vetme për  reformën në drejtësi, për Byronë Kombëtare  të Hetimit dhe për çdo reformë tjetër që do të priste kthetrat e krimit në sistem dhe do të  çonte në bankën e drejtësisë zyrtarët e korruptuar.

Kur Rama bashkë me Tahirin e tij premtuan me bujë të madhe Byronë Kombëtare të Hetimit kishin projektuar veten e tyre në krye të  kësaj Byroje me qëllim kapjen e hetimit penal, mbylljen dhe jo hapjen e dosjeve të korrupsionit, mbrojtjen dhe jo luftën kundër krimit dhe bandave me të cilat siç e di sot i madh e i vogël ndajnë bashkëjetesën dhe bashkëqeverisjen.

Që nga dita kur ra poshtë kjo ide e çmendur për të  futur nën sqetull Hetimin Penal, ata e  flakën në kosh për muaj me radhë projektin e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Dhe kjo sepse një Byro jashtë kontrollit të tij dhe levave të tij nuk i intereson, madje ju prishte planet, qetësinë dhe gjumin.

Sot para se të futesha në këtë mbledhje, mediat njoftojnë se në mbledhjen qeverisë paskan kaluar një projekt të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Është e vërtetë se ne u dakordësuam me ndërmjetësimin e partnerëve tanë amerikanë për një version që çmontonte kapjen direkte nga Edi Rama dhe Saimir Tahiri të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Sikundër është e vërtetë që pasi e mbajtën në sirtar me javë të tëra këtë version, erdhi opinioni i “Venecias”, i cili diktoi në mënyrë të qartë dhe pa ekuivoke se drejtimi i Byrosë nuk mund të jetë i jashtëm nga Prokuroria. Është versioni i Byrosë nën Prokurorinë siç e parashikon “Venecia” në rekomandimin e saj nr.90. nëse po, atëherë i janë përgjigjur ftesës tonë. Nëse po, i përgëzojmë ndonëse me vonesë dhe jemi gati të bashkojmë votat që nesër. Nëse jo, atëherë ky është një truk për të fituar kohë dhe për ‘i hedhur hi syve publikut, dhe institucioneve ndërkombëtare.

Të njëjtën lojë është përpjekur të bëjë edhe me reformën në drejtësi. Ëndërronte ta kalonte dhe akoma ëndërron ta kalojë si një anije kontrabandë me flamurin e Komisionit të Venecias, me një qëllim: kapjen e drejtësisë. Ai ka mundësi për shkak të votave, sigurisht ta pengojë reformën në drejtësi. Por vetëm kaq sepse me blofin ai nuk bind dot as hyzmeqarët e vet.  Me të apo pa të reforma në drejtësi do të bëhet. Një reformë e standardeve  europiane, e gjithë pranuar dhe konsensuale që në zbatimin e saj do të hapë një epokë të re për drejtësinë shqiptare dhe për demokracinë shqiptare.

Ndërkohë që koha po i mbaron pa bilanc dhe pa asgjë që të flasë me gjuhën e arritjeve dhe veprave, Edi Rama ka  marrë hov  të shpërthejë  rrethimin  e dështimeve të tij me propagandë dhe retorikë të të ashtuquajturve reforma.

Ka filluar të çirret sepse nuk e beson  kush, sepse nuk ka  patur e nuk ka reforma reale, shqiptarët nuk kanë parë, Shqipëria nuk ka ndjerë në asnjë fushë dhe sektor asnjë përmirësim por vetëm përkeqësim.

Në vitin e tretë të qeverisjes po shohim se si janë lëshuar me tërbim dhe me lakmi të skajshme në dy  punët e vetme ku spikat qeverisja e tyre:

Propagandë dhe vjedhje.

Propagandë për sukseset imagjinare që i dinë edhe vetë që janë imagjinare.

Vjedhje e paketuar me emrin reformë.

Vjedhje me tenderat me fitues të paracaktuar.

Propagandë në boshllëk për të mbuluar vjedhjet dhe abuzimet e përditshme, për të mbuluar dështimet e bujshme në ekonomi, në shëndetësi, në rend, në arsim, në pushtet vendor, në çështjen e pronarëve, të të përndjekurve, pensione, ndihmë sociale e kudo.

Është mbulim për  skemat e tyre të manipulimit të zgjedhjeve, tentativë për t’ua hedhur për herë të dytë qytetarëve që votuan premtim-mashtrimet e tyre para tre vitesh.

E ndërsa nuk e fshehin dot dështimin, nuk justifikohen dot me mungesë kohe, ka mobilizuar miliona euro nga paratë e qytetarëve për reklama, për t’u mbushur mendjen njerëzve se janë mirë.

Për t’i mbushur mendjen të papunit se ka punë por ata janë dembelë, tregtarit që e fillon dhe mbyll ditën me zero xhiro se ekonomia është mirë, qytetarit që endet me ditë të tëra nëpër dyert e spitaleve ku mungojnë ilaçet bazë se shëndetësia është falas, të pamundurve që nuk sigurojnë dot bukën e përditshme se sa të pasur janë sot, atyre që prej muajsh janë në errësirë së s’paguajnë dot energjinë për shkak të faturave të kripura se çmimi iu është ulur, fermerëve që u janë kalbur prodhimet se ka treg e s’ka kontrabandë, e kështu me radhë.

Por tashmë jo vetëm qytetarët por vetë qeveria ashtu si institucionet ndërkombëtare është detyruar të përgënjeshtrojë me gjuhën e pakundërshtueshme të shifrave dhe fakteve zyrtare propagandën e shpifur të Edi Ramës dhe ministrave të tij lakej.

Ekonomia, kjo kokëderre e vërtetë e pamanipuleshme, e pakurbueshme, e paspërdredhshme është edhe pasqyra më e vërtetë e këtij dështimi.

Ja çfarë thotë INSTAT-i i kontrolluar nga Rama:

Papunësia është rritur krahasuar me vitet paraardhëse dhe vazhdon të rritet nga tremujori në tremujor: sipas INSTAT-it aktualisht në masën 17.5 % në 3-muj III 2015, ndërkohë që në tremujorin e dytë ishte 17.3%.

Papunësia tek të rinjtë deri në moshën 29 vjeç rezulton 32.3 % dhe rritja e papunësisë për vajzat, gratë brenda këtij grupi, nga 26.9 % është rritur 34.8 %, pra 8 vajza apo gra në grupin 15-29 vjeç më shumë janë shpunësuar në tremujorin e fundit.

Ndërkohë FMN-ja ka deklaruar të zezë mbi të bardhë se Shqipëria rezulton i vetmi vend në rajon në tremujorin e tretë e të katërt të vitit 2014 ka rritje të papunësisë dhe rënie të pagës reale.

Rritet papunësia. Rritet varfëria, bie ndihma ekonomike. 103.033 familje merrnin ndihmë deri në vitin 2013,  81.621 sot,  22 mijë familje më pak.

Ndërkohë që INSTAT-i që deklaron se çmimet e shportës bazë janë rritur 2 -3 herë më shumë se norma mesatare e inflacionit. Në dhjetor 2015 krahasuar me dhjetor 2014, rritjen më të lartë të çmimeve e ka grupi “shërbim arsimor” me 4.8%, “ushqime dhe pije joalkoolike” me 5.1%, ndërkohë që brenda grupit të ushqimeve zarzavatet, përfshirë patatet me 24%, frutat me 23% rritje.

Rritet varfëria, rritet papunësia, ulet ndihma ekonomike, bien investimet fryhet kokoshi, derdhet propaganda.

Bien importet: 1.4% më pak në vitin 2015 sesa në vitin 2014.

Bien eksportet 2015: 4.9% më pak se 2014-a.

Rritet deficiti tregtar me 1.6% krahasuar me vitin 2014.

Kreditimi po sipas të dhënave zyrtare krahasuar me nëntorin e  2014-ës, 2.2% më i ulët, ku biznesi 4.2% më pak.

Sipas Bankës së Shqipërisë janë rritur me 8% transferimet e fitimeve të kompanive jashtë Shqipërisë, 158 milionë euro hemorragji, para që transferohen jashtë Shqipërisë.

Reforma, ku ka reforma, çfarë reformash? Fluturon gomari reforma?

Raporti “Doing Business 2016”, sipas Bankës Botërore Shqipëria renditet në vendin e 97-të nga 189 vende në studim, duke humbur  35 vende dhe ku nga 10 indikatorët kryesore, 7 rezultojnë me përkeqësim duke futur këtu kategoritë kryesore : “të fillosh biznes”, “furnizimi me energji elektrike”, “regjistrimi i pronësisë”, “aksesi në kreditim” apo edhe “pagesat e taksave” (ku ndikimi kryesor është rritja me 50% e normës së tatim- fitimit), duke bërë që Shqipëria të bjerë në pikiatë sa i përket tërheqjes së investimeve të huaja. Dhe sipas këtij raporti, Shqipëria është e fundit në rajon, në vendin e 97, ndërkohë që Maqedonia është në vendin e 12, Kroacia në të 40-in, Mali i Zi në vendin 46-të, Serbia në vendin 59-të, Kosova në vendin 66-të, Bosnja dhe Hercegovina në vendin 79-të. Që do të thotë se në qoftë se një investitor i huaj do  investojë në një nga vendet e Ballkanit, Shqipëria do të ishte vendi i fundit ku ai do të hidhte sytë apo paratë e tij.

Kjo reflektohet edhe në indeksin e matur të besimit të biznesit dhe konsumatorëve (3-muj IV 2015), ku rënia e besimit ka 4.1% më pak se viti paraardhës. E ku vlerësimi për gjendjen e përgjithshme të biznesit dhe gjendjen financiare rezulton më negative se periudha paraardhëse, me 7.8 përqindje, gjendja e përgjithshme me 5.4 pike përqindje. Këto janë informacione zyrtare.

Për çfarë reformash mund të flitet në një ekonomi kur të gjithë treguesit janë në rënie dhe vetëm borxhi  është rritur, siç e thotë edhe vetë raporti i Komisionit Europian

Në tremujorin e fundit të vitit 2015 për zhvillimet ekonomike në vendet kandidate, Komisioni Europian konstaton se nga janari deri në nëntor, të ardhurat buxhetore morën për poshtë duke iu larguar shumë objektivit.

Komisioni Europian  vëren se mungesa u shkaktua kryesisht nga të ardhurat, më të ulëta se sa priteshin 400 milionë euro më pak nga korrupsioni, nga kontrabanda, para të cilat nuk përfunduan kurrë në arkën e shtetit.

Rritet borxhi publik. Sipas institucioneve ndërkombëtare sot është të paktën sipas raportit të Komisionit Europian se borxhi publik ka vazhduar të rritet duke arritur në 73.6 për qind. 12 përqind më i lartë se në vitin 2013, ose në shifra reale 1,2 miliardë euro të marra borxh. 400 euro për kokë shqiptari të marra borxh dhe sot s’kemi asnjë investim të ri, asnjë rrugë, asnjë shkollë, asnjë spital dhe projektet e nisura kanë mbetur në vend. Pyetja legjitime është, ku kanë shkuar këto para????

Ja të shikojmë një tjetër dokument zyrtar të Republikës së Shqipërisë, raportin e auditit të KLSH për periudhën Janar-Dhjetor 2015 i cili shprehet se:

  • Parregullsi dhe shpeshje financiare, në të ardhurat dhe shpenzimet e kryera, me dëm ekonomik që kap vlerën prej 919.9 milionë euro apo 125.8 miliardë lekë.
  • Shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e subjekteve te audituara, në shumën totale dëm prej 257.7 milionë euro apo 35.3 miliardë leke.

 Nga 481 tendera të kontrolluara:

  • Në 399 prej tyre ka 1254 shkelje nga të cilat 40% e tyre janë në fazën e përgatitjes së tenderave pra të letrave, 37% në fazën e zhvillimit të tenderave, 16% e tyre janë konstatuar në fazën e lidhjes dhe zbatimit të kontratave.

Dëmi total sipas këtyre shkelje është 777.2 milionë euro. Totali i dëmit ekonomik në të ardhurat dhe shpenzimet e buxhetit të shtetit, vlerësohen në masën 588.2 milionë euro :

  • Dëmi ekonomik në të ardhurat: 102.9 milionë euro
  • Dëmi ekonomik në shpenzimet: 485.3 milionë euro
  • Dëmi ekonomik i shkaktuar nga shoqëritë anonime: 189 milionë euro
  1. a) 3 milionë euro nga Albpertrol
  2. b) 9 milionë euro nga OSHEE
  3. c) 8 milionë euro nga shoqëritë anonimë në fushën e shpenzimeve.

Këtyre po që u thonë reforma. Detyrimet debitore rezultojnë në shumën 789.9 milionë euro nga të cilat:

  • Vlera e detyrimeve debitore në sektorin e tatimeve: 87.7 miliardë lekë.
  • Vlera e borxhit doganor në sektorin e doganave: 12.8 miliardë lekë.
  • Vlera e detyrimeve të prapambetura të kontributeve të sigurimeve shoqërore: 10 miliardë lekë.

Ja ku kanë shkuar dhe se si janë zhvatur paratë e shqiptarëve. Padyshim këtu spikat edhe pazari me CEZ plot 600 milionë euro dhe të tjera “reforma”të tjera të sukseshme të trumbetura.

Aksioni i bujshëm i energjisë, zbatimi i ligjit si detyra themelore e çdo qeverie që na u shit si reformë, çfarë rezultatesh ka?

E mbajmë mend se si për shkak të padrejtësisë dhe arbitraritetit u shtynë drejt vetvrasjes për 30 mijë lekë të vjetra kryefamiljarë, si Qamil Zela, Llazi Nasi, Arif Doda. E lekët që iu morën me dhunë më të pamundurve jo pak por plot 1 miliardë e 248 milion lekë iu dhanë miqve të Edi Ramës, klientëve e deputetëve të tij.

Ndërtuesit të vilës në Surrel Pandeli Carapuli, iu dhanë 454 milionë lekë për restaurim godinash ndërkohë që shqiptarëve iu mungon në pjesën më të madhe e kohës energjia elektrike e po kështu 714 milionë lekë kanë përfituar Pjerin Ndreut, Sadri Abazit, Safet Gjicit, Vilma Nushit, e cila përveç koncesioneve në shëndetësi merr edhe nga OSHEE. Rigers Balili kryebashkiak i Delvinës, miqtë e administratorit të OSHEE,  etj.

Ashtu si me çdo gjë tjetër ky kryeministër dhe kjo qeveri ka vendosur të bëjë pazar dhe me arsimin. Në krye të drejtorive arsimore, siç ishte rasti i Lushnjës, i Tiranës kanë vënë njerëz pa lidhje me arsimin por që janë aty të bëjnë para duke shitur vende pune si mësues. Testim sot e testim mot. E çfarë ndodh më pas, disa mësues largohen nga puna dhe emërohen disa të tjerë, të cilët sërish duhet të paguajnë një çmim.

Sepse kjo është praktika që kanë vendosur edhe me militantet e tyre, vijnë marrin një vend pune, paguajnë deri në 5 mijë euro ryshfet, pas dy vjetësh largohen dhe vijnë të tjerë duke paguar sërish. Ky është shteti i Edi Ramës. Pazar kudo dhe me këdo.

Për të ardhur tek ligji i arsimit të lartë, tek tarifat e papërballueshme për studentët dhe familjet e tyre tek diskriminimi që u bëhet studentëve të transferuara etj. Pak ditë me parë prita një përfaqësi të studentëve të transferuar tek Universiteti i Mjeksisë. Ata janë të detyruar përmes një VKM-je absurde të paguajnë 3 fishin e tarifave që paguajnë studentët e tjerë, 2 milionë lekë më shumë për student.  Ky është diskriminim, vjedhje, abuzim me ligjin. Ne do të ofrojmë për ta asistencë ligjore sikundër ministrja e Arsimit do të thirret në komisionin e Arsimit dhe të Shëndetësisë për të raportuar për këtë shelje kushtetuese e ligjore.

Dua sot ti them studentëve se vendimi i parë i Partisë Demokratike do të jetë shfuqizimi i ligjit për Arsimin e Lartë dhe ulja e tarifave për studentët.

Me maskimin e reformës po bëhet batërdia përmes konçensioneve në shërbime të dubluara në shëndetësi, në dogana, e tjerë. Siç bëmë dje publik përmes zëdhënëses së grupit parlamentar zonja Tabaku, në 900 ditë kanë koncesionuar ose janë në proces koncesionimi 660 milionë euro shërbime! Po kështu janë planifikuar 300 milionë euro të tjera për koncesionet në vijim duke e çuar në shifrën e 1 miliardë eurove vetëm për koncesione.

Kampione është shëndetësia, të cilën e kemi denoncuar në vijim e do të vazhdojmë ta bëjmë! Në total vetëm Ministria e  Beqajt u ka dhuruar klientëve të oborrit 287,4 milionë euro koncesione nga të cilat shqiptarët sot nuk përfitojnë pothuajse asgjë. Po të shtojnë edhe tenderët abuzivë shifra e abuzimeve në shëndetësi shkon në  338 milionë euro.

Besoj të gjithë e keni parë gjendjen në spitale të sjellë çdo ditë nga deputetët tanë  që po bëjnë një punë të lavdërueshme në këtë drejtim dhe për këtë dua të përgëzoj kryetaren e Komisionit të Shëndetësisë Albana Vokshi, deputetet Albina Dede, Arbiola Halimi, Luciano Boçi etj që kanë qenë në terren, spital më spital për të treguar të vërtetën siç është dhe kanë mbështetur punonjësit që në mënyrë absurde po largohen nga puna për t’u zëvendësuar me militantë të paaftë.

Eksperimenti i shërbimeve të dubluara ku shteti paguan dy palë për të njëjtën  punë duhej të ishte mbyllur me dështimin me  Crown Agents, së cilës qeveria  i dhuroi 8.2 milionë euro me argumentimin se kjo kompani do të mundësonte arkëtimin e mbi 100 milionë eurove në dogana. Rezultati pas dy viteve, siç dihet, ishte mosrealizimi më i madh i të ardhurave ku vetëm vitin e kaluar ishte prej 400 milionë dollarësh.

Të gjithë e mbajnë mend se si Edi Rama e serviri Crown Agents duke na thënë se do të bënte histori. Sikundër të gjithë e mbajnë mend qëndrimin tonë kundër. Por edhe kompania që vetë ai solli nxori në pah mënyrën se si funksionon dogana e Edi Ramës ku me urdhër të tij dhe të tarafit të tij ngrihet e ulet trau.

Nuk mjafton me kaq. Një tjetër vendim historik si ishte Crown Agents pritet të ndërmerrët.  Kjo qeveri ka ndërmend  t’i japë familjes së kryeministrit koncesionin e TVSH-së,  që në fund të dhjetë vjeçarit kompania fantazëm nga Hong Kongu do të ketë arkëtuar nga buxheti i shtetit 133.15 milionë euro. Duke u lënë barrë mbi shpinë shqiptarëve taksa më të larta, më pak shërbime dhe një buxhet të zbrazur. Pra ka vendosur të mos lërë gjë të pakoncesionuar tek familjarët e Kryeministrit apo miqve të oborrit, ka shpallur planin e shitjes së 70 shërbimeve/aseteve të tjera me vlerë 375 miliardë lekëve koncesione të reja ndërsa vendi zhytet akoma më shumë në gropën e varfërisë dhe mjerimit.

Për të hequr vëmendjen nga koncesionet e  tyre ka sjellë në vëmendje koncesionet e dhëna nga Partia Demokratike. Le ti themi edhe njëherë sot sepse debatin e refuzojnë dhe përmes këtij debati në distancë gënjeshtra e tyre nuk mund të ngjisë 170 koncesione në hidrocentrale në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike  nuk marrin por sjellin para në ekonominë shqiptare përmes investimit në arkën e shtetit përmes tarifës koncensionare dhe se në fund prodhimi i energjisë mbetet pasuri e shqiptarëve.

Meqë po flasim për koncensionet, le të vijmë tek ai i Skavicës që ne e kemi denoncuar si një aferë të Ramës dhe që sot “Rilindja Demokratike” e ka zbardhur duke publikuar fakte të reja për këtë aferë.

Me vitin 2014, sipas të dhënave të publikuara Arben Ahmetaj ka marrë 500 mijë euro kapar, dhe në dhjetor të 2015 pas daljes se VKM që i jep 8% bonus  kompania Suzer i ka dhënë  5 milionë euro të tjera. Arben Ahmetaj i cili ka negociuar direkt dhe në mënyrë të paligjshme për këtë projekt duke udhëtuar me çarter nuk mund të fshihet me gjoja dorëheqje por të bëhet gati të shkojë  para drejtesisë. Ne do të përpiqemi t’ia shkurtojmë kohën. Por e sigurtë është se para drejtësisë do të shkojë.

Rendi dhe siguria është dështimi spektakolar i Edi Ramës dhe s’kish si të ndodhte ndryshe kur në krye të këtij dikasteri vendoset njeriu i lidhur me bandat dhe grupet kriminale më të njohura në vend. Dy ngjarjet e fundit, terrori në Elbasan ku u vranë 3 persona dhe 8 të tjerë mbetën të plagosur  dhe eksplozivi i gjetur në mes të Tiranës tregojnë dështimin e plotë të shtetit para krimit.

Pas trafikut të lëndëve narkotike me avionë tashmë ka lulëzuar fuqishëm dhe trafikut përmes detit me gomone. Tonelata të tëra droge nisen nga Vlora dhe zona të tjera përgjatë bregut  drejt Italisë me mbikëqyrjen e personave të inkriminuar që Saimir Tahiri dhe Edi Rama kanë emëruar në krye të Policisë së Vlorës.

Kjo situatë dhe ky guxim i pashoq i krimit për të vepruar kudo, në mes të qyteteve, në zonat e mbipopulluara dhe me uniforma policie është produkt i klimës së krijuar në vend, ku krimi, banditët, bandat, pengmarrësit, gjobëvënësit, trafikantët dhe vrasësit, kanë njohje, kanë mbështetje, kanë lidhje me ministrin e Brendshëm.

Kjo situatë kritike për rendin dhe sigurinë është produkt i drejtpërdrejtë dhe mban stampën e qeverisë Rama.

Kjo është reforma në rend. Ky pra është shteti i Edi Ramës. Këto janë reformat. Këto janë bilancet me vetë shifrat e qeverisë, INSTAT-it apo vetë institucioneve ndërkombëtare.

Ky është realiteti që shqiptarët prekin ditë për ditë, jo me shifra por në kurrizin e tyre, në tavolinat e tyre të zbrazura, në xhepat e tyre të zbrazur, në shëndetin e tyre të pakët.

Këtë realitet Edi Rama se fsheh dot. Ne jemi në këmbë, jemi pranë qytetarëve. Duhet dhe do të vazhdojmë të jemi në këmbë, fshat më fshat e qytet më qytet për të denoncuar këtë plaçkitje, këtë keqqeverisje, këtë inkriminim. Paralelisht me këtë kemi nisur të shpalosim platformën tonë. E para është ajo e financës, e uljes së taksave dhe do të vijojmë në javët në vazhdon me platformat e tjera.

Dekriminalizimi, Drejtësia, Zgjedhjet e lira dhe të ndershme, mbeten 3 reformat kyçe për të shpëtuar shoqërinë dhe shtetin nga gremina që mban emrin Edi Rama.

Java filloi me vizitën e dy europarlamentarëve të  nderuar dhe do të mbyllet me vizitën e sekretarit të shtetit, Xhon Kerry.

Vizita e Sekretarit Kerry është një  ngjarje  shumë e rëndësishme për  Shqipërinë,  për  angazhimet e saj në kuadrin e parneritetit strategjik me SHBA-të.  Kemi kënaqësinë t’i urojmë mirëseardhjen më Shqipëri mikut të nderuar; do të kemi kënaqësinë dhe nderin ta presim dhe të bisedojmë me të. Opozita është faktorizuar si faktori i zgjidhjeve në Shqipërinë e sotme dhe ky është një inkurajim i madh për ne për të ecur përpara.

Ju faleminderit!


Fjala e kryetari të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në mbledhjen e Grupit Parlamentar, 10 Shkurt 2016