“Konferenca arriti konsensus përsa i përket procedurave të trajtimit të dy nismave ligjore të PS-së. Në fakt pas diskutimeve ne mbetëm pak të befasuar nga kërkesa e z. Ruçi, i cili kërkonte që nisma e tyre për ngritjen e komisionit hetimor të trajtohej pas shqyrtimit të projektligjit “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore”, gjë që shkaktoi pak habi për shkak se ne e kemi konsideruar si kauzën më të rëndësishme të PS-së në këto gjashtë muajt e fundit, e cila sigurisht që mbështetet dhe në legjislacionin në fuqi, ku përfshihet dhe ligji “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore”.
Por, nëse ramë dakord që të dy nismat ligjore të PS të trajtohen pas dy javësh, pra me datë 18 në seancë plenare, sigurisht që nuk mund të kishte konsensus përsa i përket përmbajtjes së tyre, pasi ne mendojmë se gjithshka duhet të jetë korrekt dhe kompatibël me Kushtetutën e vendit, me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe me ligjet e tjera të vendit.
Dhe unë e ftova me shumë mirëkuptim z. Ruçi, që së bashku, gjatë kësaj kohe të ulemi dhe të diskutojmë në mënyrë që të bëjmë sa më të përshtatshme me Kushtetutën dhe ligjet e tjera të vendit, të dy nismat ligjore të grupit parlamentar të PS-së, në mënyrë që të gjejmë zgjidhje për të dy palët”.

