Kryetari

Prof Dr. Sali Berisha

Prof Dr. Sali Berisha

Sali Berisha ka lindur më 15 Tetor të vitit 1944, në Tropojë.

Sali Berisha është Kryetari i Partisë Demokratike

Gjatë ngjarjeve politike që ndodhën në Shqipëri në dhjetor të vitit 1990, Z. Berisha u bashkua që ditën e parë me demonstratat e studentëve dhe kryesoi më pas të gjithë lëvizjen politike në vend, që solli krijimin e sistemit shumëpartiak. Në verën dhe vjeshtën e vitit ’90 Sali Berisha, profesori dhe humanisti me reputacion në rrethet akademike ndërkombëtare, botoi në gazetat e kohës qëndrime që përcillnin hapur mesazhet për pluralizëm politik dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Disa herë këto deklarata u censuruan nga regjimi i kohës, pasi në apelin e tij drejtuar intelektualëve, Prof.Dr.Sali Berisha bënte thirrje për ndryshime demokratike në Shqipëri.

Përgjegjësitë politike në PD

I pozicionuar në krye të Partisë Demokratike, Z. Berisha në shkurt të vitit 1991, në Kongresin e parë Kombëtar të Partisë Demokratike, zgjidhet zyrtarisht Kryetar i PD-së, partia e parë më e madhe e opozitës së atëhershme.

Nën udhëheqjen e tij, Partia Demokratike në zgjedhjet e para pluraliste parlamentare në mars të vitit 1991 arriti të fitojë 39% të votave popullore, që i dha të drejtën kësaj force politike të ulej në Kuvendin Popullor të Shqipërisë si partia kryesore e opozitës.

Një vit më vonë në zgjedhjet e marsit të vitit 1992, Partia Demokratike përmbysi dukshëm rezultatin duke marrë 62% të votave dhe duke shënuar kështu zyrtarisht fundin e historisë së komunizmit në Shqipëri.

Prof. Dr. Sali Berisha, më 8 Prill të vitit 1992, zgjidhet Presidenti i Parë i Shqipërisë postkomuniste që nga Lufta e Dytë Botërore dhe drejtoi vendin drejt një kursi reformash demokratike në legjislacion, ekonomi dhe në diplomaci. Shqipëria krijoi një imazh tërësisht të ndryshuar në politikën e jashtme të saj, duke u hapur drejt perëndimit.

Z. Sali Berisha e kryesoi Shqipërinë drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës në vitin 1995, në nënshkrimin e Marrëveshjes për Paqe e Partneritet si dhe në vendosjen e bashkëpunimit të ngushtë me vendet e BE-së dhe SHBA-në.

Në vitin 1997, pas revoltave të politizuara të atëhershme, PD-ja kaloi në opozitë në zgjedhjet parlamentare, ndërsa Z. Berisha jep dorëheqjen nga posti i Presidentit.

Më pas Prof.Dr Sali Berisha rizgjidhet Kryetar I Partisë Demokratike dhe këtë pozicion e mban sërish sot pas rizgjedhjeve të tjera të tij në krye të kësaj partie në vitin 2005, 2007 dhe 2009

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2001, Z. Berisha drejtoi koalicionin e partive të qendrës së djathtë, dhe pavarësisht manipulimeve, siguroi 37% të votave.

Ndërsa në korrik të vitit 2005, Sali Berisha së bashku me partitë e djathta fitoi një mazhorancë prej 74 deputetësh në Parlamentin Shqiptar. Ai emërohet Kryeministër i Shqipërisë në shtator të këtij viti me një shumicë prej 81 votash në parlament.

Në 4 Prill 2009, vendi nën kryesimin e Z. Berisha, hyn me të drejta të plota në Alenacën e Atlantikut të Veriut, duke shënuar ngjarjen më të rëndësishme të kombit, pas Pavarësisë.

Në 28 Qershor 2009, Sali Berisha kryesoi sërish koalicionin e djathtë drejt zgjedhjeve parlamentare të radhës, duke fituar shumicën, e më pas duke u rikonfirmuar në krye të qeverisë.

Jeta profesionale dhe aktivitete të tjera.

Sali Berisha u diplomua me rezultate të shkëlqyera në Fakultetin e Mjekësisë, Universiteti i Tiranës në vitin 1967. Ai u specializua në degën kardiologji dhe më pas u emërua si asistent/profesor mjekësie në të njëjtin universitet dhe mjek kardiolog në Spitalin e Përgjithshëm të Tiranës.

Pas viteve ’70, Z. Berisha emërohet professor kardiologjie në Universitetin e Tiranës, duke u dalluar për punën kërkimore në fushën e kardiologjisë në vend. Ai kreu më pas studime të avancuara dhe trajnime në Paris.

Pas kthimit në Shqipëri, Dr. Sali Berisha nisi një program kërkimor për hemodinamikën duke tërhequr vëmendjen e shumë kolegëve evropianë. Në vitin 1986 u zgjodh anëtar i Komitetit Europian për Kërkime Mjekësore me qendër në Kopenhagen, Komitet ky, me të cilin punoi për përpunimin e strategjive kërkimore shkencore “Shëndet për të gjithë”. Studimet shkencore ndërkombëtare në kardiologji të z. Berisha ishin origjinale dhe të rëndësishme; ato u botuan në gazeta dhe revista mjekësore prestigjoze në Evropën Perëndimore.  Për kontributin shkencor në vitin 1989 Universiteti i Tiranës i dha titullin “Profesor. Doctor”.

Ai është i martuar me znj. Liri Berisha, e cila është mjeke pediatre dhe kanë dy fëmijë, një vajzë, Argitën, dhe një djalë, Shkëlzenin e gjashtë nipër e mbesa.