Forumi Rinor
Forumi Rinor (FRPD) është një nga dy organizatat partnere të përherëshme të Partisë Demokratike, të përcaktuara në nenet 56 dhe 57 të Statutit të partisë.
I krijuar në vjeshtën e vitit 1991 nga studentë themelues të Partisë Demokratike e pjesëmarrës aktiv në lëvizjen studentore të dhjetorit ‘90, FRPD është e para organizatë politike rinore e krijuar në skenën e pluralizmit shqiptar, që përfshin në antarësinë e tij të rinjtë demokratë nga mosha 16 deri në 35 vjeç.
Gjatë gjithë ekzistencës si organizatë politike rinore, FRPD është udhëhequr nga parimet e demokracisë, lirisë së fjalës, së mendimit e dinjitetit njerëzor, duke pasur si qëllim ruajtjen e vlerave dhe idealeve të revolucionit demokratik, antikomunist të vitit 1990. Për Partinë Demokratike, FRPD përfaqëson një nga strukturat më të rëndësishme të saj, jo vetëm si një qendër e bashkimit dhe organizimit të të rinjve që ndajnë të njëjtat ideale dhe aspirata të qendrës së djathtë, por edhe si një shkollë e përgatitjes së politikanëve të rinj.
Kryetari I FRPD është automatikisht edhe anëtar I Kryesisë së Partisë Demokratike të Shqipërisë, ç’ka përbën njëkohësisht një kontribut direkt të mendimit politik të strukturave rinore në instancat më të larta drejtuese të partisë si dhe një garanci për promovimin e ideve, individëve, platformave rinore brenda strukturave të PD dhe nëpërmjet saj në arenën politike kombëtare.
FRPD është anëtar me të drejta të plota e DEMYC (Democrat Youth Community of Europe) që nga viti 1994 dhe anëtar themelues I YEPP (Youth of the European People’s Party).
(Nga Statuti i Partisë Demokratike)
Organizatat partnere
Neni 56
Partia ka këto organizata partnere:
a. Forumin Rinor të Partisë Demokratike;
b. Lidhjen Demokratike të Gruas.
Detyrat dhe kompetencat e organizatave partnere
Neni 57
1- Organizatat partnere synojnë që të promovojnë idetë bazë të PDSH në grupet shoqërore ku ato veprojnë si edhe të paraqesin e mbrojnë interesat e këtyre grupeve në politikën e PDSH.
2- Parimet bazë të strukturës së tyre organizative janë të ngjashme me ato të PDSH. Statuti i tyre duhet miratuar nga Kryesia e PDSH.
3- Miratimi i organizatave të tjera bëhet me vendim të Këshillit Kombëtar dhe duhet konfirmuar nga Kuvendi Kombëtar me ndryshimin përkatës në Statut.

