Kryetari

Lulzim Basha

Lulzim Basha
Kryetar i Partisë Demokratike

Lulzim Basha i përket brezit të parë të gjimnazistëve shqiptarë të cilëve iu dha mundësia që pas rënies së komunizmit të studiojnë jashtë shtetit. Në vitin 1993 ai filloi studimet në Universitetin e Utrechtit në Hollandë, ku edhe u diplomua në të Drejtën Evropiane dhe Ndërkombëtare. Pas studimeve, Basha punoi për Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi dhe më pas si Këshilltar Ligjor në Misionin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë.
Në vitin 2004, Basha iu bashkua Partisë Demokratike në opozitë si kordinator i Komitetit të Orientimit të Politikave. Në korrik 2005 Lulzim Basha u zgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Në qeverinë e re Basha mbajti fillimisht postin e ministrit të Punëve Publike Transportit, ku dhe nisi punimet për ndërtimin e rrugës së Kombit, autostradës Durrës-Kukës. Në maj të 2007 Basha u betua si Ministër i Jashtëm i Shqipërisë në një kohë kur Shqipëria mori Ftesën dhe një vit më pas u antarësua në NATO, hapi negociatat për liberalizimin e vizave dhe Kosova u shpall e pavarur. Në zgjedhjet e 2009, Basha u zgjodh deputet në Qarkun e Elbasanit dhe iu besua drejtimi i Ministrisë së Brendshme në kohën kur vendi përmbushi të gjitha kushtet teknike për liberalizimin e vizave me vendet e Bashkimit Europian.
Në vitin 2011 Basha kandidoi për Kryetar të Bashkisë së Tiranës me një fushatë model në qendër të së cilës u vendos qytetari. Basha është kyebashkiaku i pari i cili u fokusua në zhvillimin ekonomik të qytetit dhe krijimin e vendeve të reja të punës për ta kthyer Tiranën në një qytet modern dhe europian. Nën drejtimin e tij largpamës, Bashkia Tiranë planifikoi dhe nisi zbatimin e projektit më të madh infrastrukturor në historinë e saj, atë të zgjatimit të Bulevardit kryesor deri në Parkun e Paskuqanit dhe të rehabilititmit të Lumit të Tiranës, për të cilin Basha siguroi edhe financimin. Kryetari Basha përfundoi dhe miratoi Planin Urbanistik të qytetit, të integruar me komunat dhe bashkitë për rreth si edhe në konsultime të hapura me qytetarët dhe grupet e interesit. Po kështu përfundoi projekti i terminalit multimodal të pasagjerëve, studimi fizibilitetit për tramin e qytetit, si dhe u realizuan mbi 100 vepra infrastrukturore si rrugë, shkolla kopshte dhe cerdhe.
Pas dorëheqjes së kryetarit historik Sali Berisha pas zgjedhjeve të qershorit 2013, Lulzim Basha shpalli kandidaturën për kreun e Partisë Demokratike. Në garën e parë të parimit “1 anëtar 1 votë” në Shqipëri, mbi 42.000 anëtarë demokratë votuan për krytarin e tyre të ri, Basha fitoi me mbi 80% të votave. Kryetar Basha është angazhuar për një fillim të ri të fuqishëm, për ristrukturimin dhe ringritjen e Partisë Demokratike, për t’u dhënë shqiptarëve jo vetëm një opozitë të fortë, krijuese dhe të vendosur në mbrojtje të interesave të tyre, por për t’i dhënë vendit alternativën e shpresës dhe forcën për ti dhënë fund trazicionit, pas përballjes me qeverinë e veseve të vjetra Rama-Meta. Në këtë rrugëtim të ri, Basha do mbështetet fort tek vizioni, kurajo dhe qëndresa historike e themeluesve, tek energjia e pamatë e anëtarëve dhe militantëve ndër vite, dhe tek pasuria e paçmueshme e vlerave të lidershipit të Sali Berishës.
Lulzim Basha dhe bashkëshortja e tij Aurela u njohën në shkollën e mesme “Sami Frashëri” në Tiranë. Aurela u diplomua për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Utrechtit në Hollandë dhe kreu studimet pasuniversitare ne Universitetin e Amsterdamit. Prej vitit 2000, Aurela punon per EWPPP, nje organizate joqeveritare qe asiston parlamentet ne vendet e Europes Juglindore dhe EuroAzise duke perfshire edhe Shqipërine. Luli dhe Aurela janë prindër të dy vajzave, Dafina dhe Viktoria.