Apeli i mbesës së At Zef Pllumit në një bashkëbisedim për shpirtin e Republikës së Re, në ditë e 32 të protestës. Artistë e historianë japin mesazhe në Sheshin e Lirisë

 

Në ditën e 32-të të protestës për zgjedhje të lira e të ndershme, në Sheshin e Lirisë u fol për letrat, mendimin, artin, krijimtarinë dhe shpirtin e një republike të re.

 

Në nisje, artistja Zana Turku ftoi të gjithë qytetarët të protestojnë duke kënduar së bashku, të mblidhemi në Sheshin e Lirisë. “Ne jemi këtu për liri, për demokraci, për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha zonja Turku.

Aktorja Rajmonda Marku interpretoi në çadër dy poezi të njohura nga Gjergj Fishta dhe Arshi Pipa.

 

Mbesa e At Zef Plllumit, Angjelina Gjeka lexoi një paragraf nga libri “Rrno për me tregue”. “Unë nuk e mora dot librin me vete, e lashë në shtëpi, por librin e mora në zyrën e kryetarit Basha”, shprehu vlerësimin Angjelika Gjeka. Ajo bëri thirrje për të mos të harruar të kaluarën duke u ngritur në protestë për të mos lejuar më që në parlament të ketë ish-zyrtarë komunistë dhe kriminelë.

 

“U bëj thirrje të gjithë të bashkohen me ne sepse nuk do ta harrojnë të kaluarën. I bëj thirrje popullit shqiptar që të mos të harrojmë të kaluarën dhe komunizmin. Unë flas në emrin tim dhe nuk dua në Parlamentin shqiptar kriminelë dhe ata që kanë qenë në qeverinë komuniste. Shqipëria ka të rinj e të reja të shkolluar dhe ata duhet ti shohim në Parlament. Unë dua që në parlament ta shoh veten dhe fëmijët e mi ta shohin veten të përfaqësuar tek njerëz me vlera. Unë i bëj thirrje edhe z.Basha që në parlament të ketë sa më shumë vajza e djem të rinj”, tha Gjeka.

 

Historiania Henriketa Papaj u shpreh se republika e sotme nuk u përket qytetarëve por një grushti pushtetarësh. “Sot në pyesim se sa liri na garantohet përveç fasadës së demokracisë. E kujt është kjo republikë që kemi sot?! E Kolumbisë?! Eshtë e mbushur me hashash Shqipëria. Si mund të kemi këtë republikë kur pushtetin e kanë njerëzit e krimit dhe drogës. Demokracia është përfaqësim i popullit dhe duhet të kemi garanci të shkojmë të votojmë të lirë. Pushtetit duhet të jetë i popullit në një Republikë të Re. Fakti që ne jemi mbledhur këtu 3 muaj para zgjedhjeve tregon se demokracia sot në Shqipëri është e brishtë”, tha Papaj. Papaj theksoi rëndësinë e respektimit të të drejtave të njeriut dhe në vecanti të të drejtës për të votuar të lirë.

 

Tenori Rudi Sata shprehu mirënjohje për Partinë Demokratike që çdo mengjes këndon himnin kombëtar dhe ngre flamurin në çadër. Ai shprehu indinjatën e thellë të komunitetit të artistëve që sot nuk janë të lirë dhe nuk kanë mundësi të shprehin artin e tyre.

 

“Dua ti kujtoj z Rama një thënie të Sokratit; rreziku nuk vjen nga reagimi i të mençurit, por nga heshtja e injorantit. E pra, ky popull nuk është injorant por me dinjitet e kulturë dhe çadra e tregoi këtë”, tha Sata.