Në bashkëbisedimin e sotëm në Sheshin e Lirisë u fol me të ftuar por edhe të rinj e qytetarë të thjeshtë për censurën e fjalës së lirë. Gazetarët Alfred Lela, Alida Tota dhe Basir Collaku ndanë me pjesmarrësit eksperiencën e tyre profesionale, përvojën dhe pasojat personale që kanë pasur në kushtet e presionit qeveritar ndaj medias.

Për Alfred Lelën, sot qeveria është e vetëakuzuar. “Ju kujtoj një shprehje të Kryeminsitrit Rama: punë ka por nuk ka profesionistë. Tani më lini t’ju prezantoj me një profesionist. Une jam i tillë dhe jam i papunë”. Por Lela theksoi se qytetarët janë bashkuar në atë shesh, jo për punë po për liri.

Gazetari i kronikës së zezë Basir Collaku, i anatemuar pas publikimit të informacionit mbi implikimin e makinës private së minsitrit të Brendshëm Sajmir Tahiri në trafik droge, foli për pritshmëritë e protestuesve dhe mundësinë që ajo të prodhojë liri për qytetarët, por edhe për mediat. “Ky organizim është një formë e medias së lirë të mungur tashmë dhe falenderojmë kryetarin e PD Basha për këtë nismë”.

Alida Tota e etiketoi ‘town hall-in’e mundësuar nga kjo protestë popullore si burimin e mundshëm të rikthimit të lirisë dhe të drejtave të njeriut. “Ju keni nisur marshin e lirisë dhe një mini revolucion mediatik të cilit i jeni bashkuar dhe ju (qytetarët). Ka pasur tentativë për ta denigruar dhe lidhur ngushtësisht me politikën këtë lëvizje e cila realisht është popullore, e sigurisht që do të udhëhiqet nga një lider. Unë kam parë nga afër censurimin dhe një formë të re skllavërimi që i bëhet mediave dhe gazetarëve. Sigurisht që ka lidhje me dinjitetin, por këtu nuk jemi për të luftuar për veten. Ne jemi pushteti i katërt dhe nuk mund të kontrollohemi apo censurohemi nga pushteti i qeverisë”.

Një ndërhyrje spontane ishte ajo e aktores Suela Konjari e cila u shpreh e nderuar për pjesmarrjen dhe i kujtoi kujtdo se vrasja e frikës sjell edhe zërin për të kërkuar të drejtat dhe lirirtë qytetare. “Ndryshe janë emocionet e skenës, këto janë emocione njerëzore të vërteta. Sulmohem prej dy ditësh në portale, blogje, por, për të gjithë strucët që më kërcënojnë me mesazh, dua t’u theme: Unë e vrava frikën kur isha 29 vjec dhe me barkun tek goja pasi isha shtatzënë, shkoja në cdo protestë të qytetit studenti”. Me vargjet e poetit Ali Podrimja, aktorja Konjari shprehu përjetimin e saj – “Toka ime digjet ne cdo cep të shpirtit tim, ndaj unë jam këtu ndaj jam me ju dhe do të jem me ju”.

Kryetari Lulzim Basha e quajti kauzën e mbështetur tashmë prej katër ditësh pa ndërprerje nga qytetarët e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, si më të madhe se të gjithë ne, sepse është kauza e së ardhmes.

“Jemi këtu dhe do të jemi këtu çdo ditë e më shumë, çdo ditë e më të vendosur deri në realizimin e plotë, jo të pjesshëm, por të plotë të kushtit tonë: Zgjedhje të lira dhe të ndershme, largimin e këtij kryeministri dhe një qeveri teknike që garanton votën e lirë të qytetarëve shqiptarë”.

Për Lulzim Bashën, qëndresa e qytetarëve duhet të vazhdojë për të shpëtuar të vetmin institucion që mund të mbajë Shqipërinë në këmbë, zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

“Dy rrugë ka: ose do të pranojmë të shkatërrojmë, ta lëmë të bjerë edhe ky institucion, zgjedhjet e lira dhe të ndershme, ose së bashku të qëndrojmë këtu deri sa të largojmë qeverinë, derisa të largojmë burimin e problemit dhe së bashku të japim zgjidhjen që meritojnë shqiptarët”.

Pasi falenderoi folësit gazetarë për mbështetjen ndaj kauzës së qytetarëve dhe forcën për të ngritur zërin kundër censurimit qeveritar, kryedemokrati Basha foli edhe për detyra.

Falenderoj sot gazetarët, operatorët dhe punëtorët e medias të cilat në kushte të jashtëzakonshme presioni psikologjik, politik, personal dhe ekonomik, po mundohen përsëri t’i tregojnë Shqipërisë dhe botës fytyrën e vërtetë të protestës tonë qytetare dhe vendosmërisë tonë për fitore. Sot nuk ka detyrë më të madhe sesa këtë protestë ta shtrijmë anembanë Shqipërisë”.

Një falenderim kryetari i demokratëve Lulzim Basha ia dha edhe rinisë gjimnaziste që iu bashkua sot tendës së protestës së qytetarëve.

“Kur isha gjimnazist 17 vjeçar edhe unë i mora të gjithë shokët dhe shoqet dhe u bashkuam me studentët në Lëvizjen e madhe të Dhjetorit. Për arsyet tona për liri, për demokracinë, për ëndrrën tonë për Shqipëri europiane. Kjo qëndresë është për këta të rinj që sot janë në ballë të protestës. I përshëndes nga zemra dhe i garantoj se nesër do të jenë në ballë të Shqipërisë.”

Në vazhdim studentë, maturantë, qytetarë të thjeshtë dhe pensionistë ndanë shqetësimet e tyre dhe pritshmëritë e lëvizjes popullore, qytetare e cila vazhdon pa ndërprerje prej katër ditësh.


Njoftim per shtyp, 21 Shkurt 2017