Lulzim Basha bashkëbisedim me pedagogë, analistë dhe qytetarë mbi zbrazjen e Shqipërisë nga emigracioni, dhe rrugën e zgjidhjes. Si do kthehet shpresa dhe besimi

 

Në ditën e tetë të protestës Lulzim Basha pati një bashkëbisedim në Sheshin e Lirisë me qytetarët lidhur me emigracionin dhe pasojat e tij në vend. Në këtë takim, u diskutuat dhe u analizua në thellësi gjendja aktuale, kriza e shumëllojshme që ka detyruar qytetarët të braktisin vendin.

 

Për Zamira Sinën, pedagoge në qytetin e Vlorës, studentët e sotëm ndihen të nëpërkëmbur pasi tre vite e gjysmë më parë votuan një kryeminsitër i cili premtoi 300 mijë vende pune por faktiksiht ato u përkthyen në 500 mijë të papunë. Pedagogja Sina tha gjithashtu se fjala e Kryeminsitrit Rama e një dite më parë në auditoret e Vlorës, ishte ofenduese dhe tallëse për vlonjatët.

 

“Vlora nuk ta pati borxh dhe dje në auditor u tallët me pedagogët dhe studentët pasi thatë se të gjitha dështimet e projekteve në Vlorë vijnë si pasojë e bllokimit të procesit të vettingut. Por kush ju beson më zoti Kryeminsitër?”

 

Sipas analistit politik Ergys Mërtiri, kjo qeveri nuk e ka realizuar misionin e saj më të qënësishëm.

 

“Varfëria në Shqipëri i afrohet skamjes. Varfëri ka kudo, shtresa në nevojë ka kudo, por në Shqipëri ata janë në zgrip të mbijetesës dhe kjo e bën fenomenin tepër problematik. Një shtet i cili nuk kujeset për gjënë më elementare të njeriut: jeta”.

 

Për Mërtirin ajo që dhemb më shumë sot është se Shqipëria nuk ka njerëz të varfër, por të gjithë ne jemi të varfër dhe pikë së pari ajo vjen në aspektin ekonomik përmes monopoleve.

 

“Kemi monopole që rrënojnë jeten tonë, mbitokën dhe nëntoken tonë. Po shterin resurset tona dhe ne po i  lëmë fëmijëvë tanë një vend me pasuri te ezauruara dhe nga kjo ne po shkatërrojmë jo vetëm të tashmen por edhe të ardhmen tonë. Monopolet shkatërrojnë konkurencën dhe shtrenjtojnë jetën tone”.

 

Këto monopole sipas Ergys Mërtirit janë të shtrira jo vetëm në ekonomi por edhe në shoqërinë civile në media dhe në shoqëri. Sipas tij, shteti po uzurpon çdo hapësirë të jetës së qytetarëve, e sakaq vazhdon dhe rrisë shpenzimet e luksit.

 

 “Nuk  ka rëndësi kush fiton në zgjedhje, rëndësi ka që ka garë. Demokracia është një mjet që garanton rregullat e lojës dhe nëse ato prishen, atëherë pushteti bëhet i rrezikshëm dhe nuk kemi çfarë kërkojmë gjë tjetër. Une nuk mendoj se ai që nuk ka bukë apo shkollim për fëmijët, ka  nevojë për buzëkuq. Edhe Shqipëria nuk mendoj se është një vajzë provinciale që jeton për tu dukur dhe që ka nevojë vetëm për buzëkuq dhe makiazh. Njerëzit të cilët janë në kufi të mbijetesës e kanë të vështirë të mendojnë veç hallit të përditshëm dhe kjo i bë të nënshtrueshëm. Një pushtet që rrit zullumin e vet, sic ka thënë edhe studiuesja Hannah Arendt, rrit mundësinë ta kontrollojë shoqërinë. Një shoqëri që nuk mendon dot veç mbijetesës ka paaftësinë të ngrihet dhe të vërë në vend dinjitetin e vet”.

 

Kastriot Sulka tha se me kufizimin e ndihmës ekonomike që qeveria parashikoi, 75% e kësaj kategorie do të marrë më pak mbështetje. Mungesa e rritjes së pensioneve në anën tjetër, për Kastriot Sulkën, tregon se ato realisht janë ulur, duke marrë parasysh edhe shifrën prej 40% të rritjes së cmimeve për familjet shqiptare. Rinia e vuan më shumë këtë me një shifër papunësie e cila arrin 80%. Por edhe sipas shifrave të INSTAT – tha Sulka-  papunësia është rritur me 20% tek të rinjtë dhe është varfëria , mungesa e vizionit dhe shpresës.

 

Kjo, për Lorenc Sinanin, ilustrohet qartë me paralelizmin që sot, pedagogët nuk lejojnë studentët të hyjnë në provime pasi nuk kanë paguar tarifën e arsimit, apo trajtimi që i bëhet qytetarëve në adminsitratën punblike, institucion i cili paguhet nga taksat e shqiptarëve.

 

Zoti Basha, iu drejtua të pranishmëve duke i kutjuar se janë njerëzit e ndershëm dhe të vërtetë ata të cilët poi japin formë kësaj qëndrese.

 

“Kemi këtu shumë intelektualë të shquar të cilët janë pjesë e kësaj proteste, po që po e kthejnë këtë protestë në një laborator politik, në një kantjer politik. Në këtë kantjer politik ju qytetarët, ju populli po identifikoni dhe po nxisni përfaqësuesit tuaj të ardhshëm politik në republikën e re të demokracisë, lirisë dhe të drejtësisë së vërtetë”.

 

Gjatë aktivitetit, protestës iu bashkua edhe një përfaqësi e zgjeruar e minatorëve.

 

Mesazhi i Lulzim Bashës sot nga Sheshi i Lirisë:

Shqiptare dhe shqiptarë, sot, një javë më parë në këtë shesh nisi lëvizja e madhe popullore, kombëtare dhe demokratike për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për një Republikë të Re, të çliruar nga krimi dhe korrupsioni dhe padrejtësia.

Ushtria e Republikës së Re është këtu në këtë shesh, non-stop, deri në fitore.

Republika e vjetër po jep shpirt ditë për ditë, ditë për ditë mbi karkasën e qelbur morale. Tek kjo që po jep shpirt, shohim arsyet e vërteta se si vdiq kjo republikë.

E patë dje se si kjo qeveri e republikës së krimit, ky kryeministër i republikës së krimit, mbajti dhe mbrojti Armando Prengën, të dënuar me 10 identitete në Itali, kundër Kushtetutës, në parlamentin e krimit, në parlamentin e republikës së vjetër të krimit.

Megjithëse i shkarkuar, Elvis Rroshi i dënuar për përdhunim dhe trafik droge, i shkarkuar nga posti i kryetarit të Bashkisë, vazhdon t’i shkruajë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të republikës së vjetër, republikës së krimit dhe korrupsionit.

Dhe po kjo qeveri, po dje vazhdoi revanshin mbi qytetarin e thjeshtë e të ndershëm të këtij vendi.

Kam marrë qindra mesazhe nga qytetarët e thjeshtë, nga sipërmarrës të vegjël, nga punëmarrës, nga të punësuar që edhe dje janë goditur nga arroganca, nga paligjshmëria, nga harbutëria, nga padrejtësia e republikës së vjetër të krimit, të korrupsionit dhe të padrejtësisë.

Por këto mesazhe ndryshe nga mesazhet që kemi marrë këto tre vite e gjysëm, nuk është vetëm denoncimi, nuk është vetëm ankesa, por është edhe thirrja, kushtrimi, vendosmëria për t’u bashkuar e për ta përmbysur deri në fund republikën e krimit, korrupsionit dhe padrejtësisë.

Konsensusi qytetar për të varrosur republikën e vjetër e për të rithemeluar një republikë të qytetarëve, të demokracisë, të lirisë e të drejtësisë së vërtetë vjen e rritet nga ora në orë.

Qytetarë të thjeshtë e të braktisur, të harruar e të goditur, zëra të fuqishëm intelektualë, kolosë të intelektit shqiptar po i bashkohen me thirrjet e tyre publike ditë për ditë misionit të popullit të lire, që ka tetë ditë që nuk e lëshon Sheshin e Lirisë.

Misioni ynë nis me zgjedhje të lira dhe të ndershme, por nuk përfundon aty. Misioni ynë përfundon vetëm kur të kemi varrosur republikën e vjetër dhe të kemi ngritur republikën e re të qytetarëve shqiptarë.

Kurrë më nuk do të ketë kompromis me të drejtat themelore të qytetarëve.

Kurrë më, nuk do të lejojmë pazare të ndyra politike midis partive politike në kurriz të shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë. Ju e dini që kjo ka ndodhur shpesh këto 26 vite. 

Ju  e dini fare mirë që partitë politike shpesh i kanë mbyllur kauzat e mëdha me pazare të vogla. 

Unë jam këtu për t‘ju premtuar se kjo nuk do të ndodhë më! 

Se interesat e kësaj lëvizjeje popullore, kombëtare, demokratike janë mbi interesat e çdo partie politike, përfshi Partinë Demokratike, përfshi Lulzim Bashën, sepse janë interesat tuaja, janë interesat e shqiptarëve, janë interesat e Shqipërisë.

Ndaj le t’ju kujtojmë këtë mëngjes të tetë të përballjes tonë popullore se ne nuk tërhiqemi. Rama largohu, dhe hapi rrugë një qeverie të vullnetit të mirë për zgjedhje të lira dhe të ndershme!

Ne nuk kthehemi në parlamentin e krimit. Atje ku janë ulur kriminelët e kanë vendin vetëm ata që i sollën aty.

Ne jemi këtu dhe ky është parlamenti i vërtetë nga i cili po lind republika e re që do të ketë parlamentin e qytetarëve dhe deputetët e qytetarëve.

Nuk ka dhe nuk ka për të pasur zgjedhje fasadë në këtë vend. Partia Demokratike dhe opozita është e vendosur t’i shkojë deri në fund vendimit qytetar. Zgjedhje për të kaluar radhën, zgjedhje fasadë, zgjedhje me këtë kryeministër, zgjedhje me këtë qeveri, nuk ka për të pasur. Pikë!

Këtu flasim dhe shkëmbejmë mendime me njëri-tjetrin, i japim zemër njeri-tjetrit në këtë kauzë të madhe, por kjo nuk është lojë.

 

Nuk është lojë, fati i miliona shqiptarëve.

 

Nuk është lojë, brenga dhe hallet e mijëra kryefamiljarëve.

 

Nuk janë lojë, fatet e fëmijëve tanë.

 

Nuk është lojë të luftosh për të drejtat, të luftosh për demokracinë.

 

Nuk është lojë dhe unë nuk ju thirra për lojë.

 

Kjo është një luftë nga e cila do të kthehemi vetëm me fitore.

 

Ju kam pyetur, ju kam thënë se jam gati të luftoj deri në fund. Ju kam pyetur: A

jeni gati të luftojmë sëbashku?

 

Kjo është një luftë pa kthim. Në njërën anë, është një grusht njerëzish, një pakicë pushtetarësh të korruptuar koka te kembët. Një grusht kriminelësh me rekorde të zeza kriminale. Një grusht derrash oligarkë, që vjedhin dhe zhvasin ditë për ditë pasuritë e këtij vendi, paratë tuaja, taksat tuaja.

 

Ata kanë vënë një bast të madh. Basti i tyre vlen miliarda. Miliarda nga droga, po ua thotë bota. Miliardat e taksave të shqiptarëve me koncesione, me tendera, miliardat e pasurive të shqiptarëve. Ky është interesi i tyre, kjo është loja e tyre, kjo është lufta e tyre.

 

Përballë krimit, përballë miliardave të korrupsionit dhe përballë atyre që janë gati të bëjnë gjithçka për të mbrojtur miliardat e tyre, për të mbrojtur krimin e tyre; ka dhe do të ketë vetëm një forcë, bashkimi i madh i qytetarëve shqiptarë.

 

Garancia e vetme jeni ju, garancia e vetme është kjo lëvizje. Kjo është lufta, kjo është përballja. Në këtë ditë të tetë, përballja jonë me klikën e krimit dhe korrupsionit ka arritur rezultatet e para. Anembanë Shqipërisë dhe në të gjithë botën, thirrjet po vërshojnë. Radhët e ushtrisë së republikës së re po shtohen dita–ditës. Kjo është një ushtri e paqes, është një ushtri e metodave dhe durimit demokratik. Eshtë një ushtri e përballjes dhe vendosmërisë, e qëndresës dhe vendosmërisë ditë për ditë, orë për orë, minutë për minutë, deri në fitoren e kauzës tonë qytetare.

 

Por kjo nuk është lojë. Durimi ynë nuk duhet të merret për dobësi. Provokimet nuk do t’i tolerojmë, faqen tjetër nuk do ta kthejmë.

 

Na godisni me shuplakë, do t’ua kthejmë me grusht.

 

Në këtë shesh, e anembanë Shqipërisë, sa herë goditeni nga padrejtësia, arroganca, antiligjshmëria, korrupsioni, krimi i lidhur, mos u shtrini përtokë, mos ktheni faqen tjetër, bashkohuni dhe goditini me grusht!