Paraditen e sotme në Sheshin e Lirisë u diskutua për biznesin dhe sipërmarrjen, për mungesën e lirisë ekonomike, taksat e larta, rryshfetet e taksidareve, dhunën e qeverisë, mbylljen e bizneseve që sjellin mbylljen e vendeve të punës.

Nikollaq Neranxi u shpreh se i gjithë biznesi është nën presion nga qeveria dhe krimi, dhe nuk po lejohet të punojë. “Kjo qeveri nxori ligjin e super gjovabe që të falimentojë biznesin ekzistues, sepse do u lerë vendin trafikantëve sepse paratë e drogës duhet të investohen diku. Presionin e pushtetit dhe krimit ne e ndjejmë çdo ditë në punën tonë, që nga ambulanti që duhet ti hiqet kioska për dikë tjetër që do Veliaj, e deri tek biznesi i madh siç jam unë që kam përjetuar hedhjen e prangave nga kjo polici. Na kanë shkatërruar biznesin, na kanë izoluar, kanë grabitur pronat dhe kanë varfëruar Shqipërinë. Këta duhet të largohen dhe ti hapin rrugën një qeverie teknike, dhe kjo qeveri teknike do ti hapë rrugën për të fituar ne liritë tona, që këta na e kanë mohuar në këto 4 vite. Kërkojmë lirinë e fjalës, të pronës, të tregut”, tha Neranxi.

Albert Nasto, nga Shoqata e biznesit të vogël dhe të mesëm shqiptar, i bëri thirrje të gjithë sipërmarrësve që të dalin të protestë. Sipas tij, dy të treta e biznesit duan të mbyllin aktivitetin sepse nuk po përballojnë dot taksat, presionet, gjobat dhe pasigurinë në rritje.

“Përveç bashkive të djathta që kanë ulur taksat, kudo janë rritur. Po të pyesësh këto biznese në Tiranë, do të thonë që taksat janë rritur nga 3 deri në 7 herë taksat vendore. Sot informaliteti është në rreth 40 % dhe shifrat janë të larta pavarësisht se këta bënë një aksion. Fuqia blerëse e shqiptarëve ka rënë me rreth 40%. Kur njerëzit nuk kanë lekë, nuk kanë çfarë të blejnë më. Ne detyrohemi të bëjmë çdo pagesë dhe çdo taksë sepse ndryshe ky të fut në burg. Nga viti 2013 kemi shumë taksa të fshehura si taksa e dhomave të tregtisë, si në komunizëm. Sot vetëm 23% e biznesit beson tek administrata, shkalla më e ulët që ka ekzistuar. Vjedhjet janë shtuar për shkak të krimit dhe jemi të pambrojtur. Rreth 40% e biznesit ka dhënë rryshfet 2 ose 3 herë. Kanë falimentuar mbi 32 mijë biznese nga 2013 deri më sot dhe kanë përfunduar në rrugë. Rreth 70% e biznesit shqiptar është gjobitur ndërsa 67% e biznesit thotë që duan ta mbyllin biznesin dhe të largohen jashtë vendit. Dua të ikin se situata është nga më të rëndat që kemi pasur. Biznesi sot është në gjendje nga më të rëndat dhe sot biznesi është në frikë dhe në terror. Ka pasur deri në 10 kontrolle tatimore në ditë në një biznes. Ndaj të protestojmë se nga protestat vetëm do fitojmë siç bën bota e qytetëruar”, u shpreh Nasto.

Flamur Hoxha nga shoqata e fasonistëve, tha se modeli i kësaj qeverie, është shkatërrimtar. “Kam 25 vite që punoj në sipërmarrjen e lirë, por ky model që filloi para 4 vitesh nuk është modeli europian. Ky është modeli i taksave të larta, të pagave të ulëta të ekonomisë së dobët. Kam qënë kritik për të mirën e të gjithëve. Pa një ekonomi të shëndosë nuk ka të ardhme. Po marr dy shembull të modelit që këta kanë promovuar. Një të ndërtimeve luksozë buzë Adriatikit apo Jonit dhe një e partneriteteve publik-privat që çoi në vrasjen e një të riu në landfillim e Sharrës që punonte turni i tretë për të ushqyer familjen. Modeli që na duhet është ai që ka prezantuar Lulzim basha, me taksa të ulëta, rroga më të mira, rritje të punësimit, investime të huaja, kthimin e mijëra shqiptarëve që kanë ëndërr të vijnë e të investojnë në Shqipëri”, tha Hoxha.

Uran Derri,  konsulent financiar shtoi se qeveria rriti taksat në çdo sektor, u ndoqën dënime të ashpra ndaj biznesit, legjislacionin e ndryshojnë shpesh duke sjellë një çoroditje edhe për administratën tatimore.

Pjesë e protestës sot ishte dhe analisti Artan Hoxha i cili inkurajoi fort protestuesit për kauzën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. “Kjo është protesta e të gjitha protestave. Eshtë protesta që u jep kuptim ehe protestave të tjera sepse do realizojë me patjetër votën e lirë dhe zgjedhjet e ndershme në mënyrë që kushdo të jetë nesër në qeveri, z.Basha me ekipin e tij, ta dijë se do matet me votë të lirë me zgjedhje të ndershme dhe të dëgjojë çdo ditë hallet e çdo shqiptari. Po nuk u zgjidh kjo nuk ka kuptim të protestosh për të tjerat sepse askush nuk do tia dijë për asgjë. Ju e patë në këto 3 vite kur u premtua rilindje dhe një pjesë e besuan por pas 3 vitesh, përveç një pakice të pakicës, pejsa dërmuese e shqiptarëve kanë shtrënguar rripin vit pas viti”, tha Hoxha.

Lulzim Basha u shpreh se zgjedhjet e lira dhe të ndershme do ti japin fund vjedhjes së shqiptarëve.

“Në Shqipëri ecin përpara vetëm katër apo pesë kodoshë biznesmenë që populli u thotë oligarkë. Oligarkë që rrinë gjithë ditën tek zyra e Edi Ramës dhe nga zyra e Edi Ramës çdo ditë ndajnë thelat e kaposhit që në fakt është buka që u hiqet nga goja shqiptarëve të thjeshtë e të ndershëm dhe fëmijëve të tyre. Katër ose pesë oligarkë thërret Edi Rama për çdo gjë, për çdo tender, për çdo koncesion, për çdo privatizim, për çdo pasuri kombëtare. Katër apo pesë emra i thërret aty dhe i bën së bashku ndajnë thellat e pushtetit, së bashku ndajnë pasuritë e shqiptarëve, ndërkohë që vendi zhytet në mjerim”, tha Basha.

Basha siguroi se programi i Partisë Demokratike do ta clirojë ekonominë, do hapë garën, do krijojë shanse për të gjithë, do ketë transparencë, si dhe do të ulë taksat dhe do heqë barrierat mbytëse administrative.


Njoftim per shtyp 24 Shkurt 2017