Erdhëm sonte këtu për të bërë homazhe para shtatores së tribunit legjendar të lirisë së shqiptarëve, por dhe veprës epike të studentëve të dhjetorit të vitit 1990, të cilët me një guxim, që fatmirësisht sot, mendja e atyre që lindën në 90-tën nuk mund ta rrokë kurrësesi.

Me një trimëri të vendosur për të paguar çdo çmim për lirinë, u përballën në rrugët e këtij qyteti me diktaturën më të egër në Europë. Azem Hajdari, që udhëhoqi ata qindra studentë të natës së 8 dhjetorit të vitit ‘90 dhe ditëve në vazhdim që iu bashkuan, dolën në rrugë me një vendim, i cili mund t’u kushtonte atyre çdo gjë të shtrenjtë që ka njeriu, dolën për ta bërë këtë qytet rinor të lirë dhe ata në 24 orë shndërruan qytetin Studenti në kështjellën e parë të lirisë së shqiptarëve.

Azem Hajdari me studentët e tjerë që iu bashkuan, në një hark kohor të shkurtër gjunjëzuan nomenklaturën, klikën e Ramiz Alisë dhe imponuan pluralizmin politik.

Duke soditur së bashku me ju shtatoren e Azem Hajdarit çfarë më erdhi në mëndje. Më erdhi në mëndje një paralelizëm në të kundërt. Asokohe në çdo shesh mbillte tmerr dhe terror shtatorja e Enver Hoxhës. Në atë kohë, në çdo shesh mbillte shpresë dhe besim tribuni i lirisë Azem Hajdari, që do shkonte nga Jugu në Veri të Shqipërisë, nga Lindja në Perëndim për të trokitur, zgjuar në ndërgjegjen e qënieve tmerrësisht të shtypura, të indoktrinuara por dhe të poshtëruara, nga kulti i satanit për t’i zgjuar ata dhe dalë dhe një herë si njerëz të lirë.

Kështu që edhe dua të shpreh mirënjohjen më të thellë, respektin më të madh për Azemin por dhe ata bashkë studentë të tij, disa qindra më pas edhe mijëra, që u përballën në këtë shesh me regjimin më të egër, më diktatorial, regjimin që i vriste të rinjtë në kufi, regjimin që zvarriste kufoma në sheshet e qyteteve për të mbjellë tmerr tek qytetarët e tyre dhe bënë për lirinë e shqiptarëve më shumë se çdo kush tjetër. Nderim të madh atij dhe studentëve liberatorë.