Të miratohet dekreti i Presidentit, të miratohet një moratorium për importin e plehrave derisa qytetarët të shprehen me referendum, sepse ky vendim nuk i takon më asnjë qeverie, as kësaj që po ikën dhe as asaj që do të vijë, i takon qytetarëve shqiptarë ta vendosin me referendum popullor.

Prononcim për mediat i Kryetarit të PD, Lulzim Basha pas takimit me AKIP

Përshëndetje! Dua t’ju informoj shkurtimisht për një takim që pata bashkë me bashkëpunëtorët e mi me përfaqësuesit e AKIP-it, Aleancës Kundër Importit të Plehrave.
Partia Demokratike prej ditës së parë ka qëndruar qartë në mbështetje të objektivit të kësaj aleance për të ndaluar në mënyrë përfundimtare importin e plehrave në Shqipëri. Qeveria e Edi Ramës në mënyrë të pabesë jo vetëm ka shkelur angazhimin për të mos importuar plehra, me anë të të cilit  keqpërdori shoqërinë civile, qytetarët për të ardhur në pushtet, por iu ka mohuar qytetarëve shqiptarë të drejtën për referendum që e kanë përfituar në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë duke mbledhur 65 mijë firma.  Në mënyrë të pabesë ka kaluar një ligj i cili i hap rrugën mafies ndërkombëtare të plehrave, të sjellë helmet dhe plehrat e Europës për t’u përpunuar, për t’u djegur këtu në Shqipëri, për të helmuar shqiptarët dhe fëmijët e tyre.

Sot kjo çështje ka ekspozuar në mënyrë të plotë pafytyrësinë e qeverisjes, pafytyrësinë kriminale të Edi Ramës, sepse jo vetëm anuloi këtë ligj në 2013-ën, por në 2014-ën me një Vendim të Këshillit të Ministrave, në mbështetje të anulimit të ligjit, krijoi një detyrim ligjor që deri në fund të vitit 2016, pra për dy muaj, të gjitha bashkitë e vendit të përfundonin me mbështetje qeveritare procesin e diferencimit të mbetjeve. Me anë të së cilës; e para do të arrihej një pastrim më i mirë i Shqipërisë nga plehrat, nga mbetjet; dhe e dyta do të arrihej një objektiv sekondar, ai i përpunimit, riciklimit të tyre nga industria e riciklimit në Shqipëri.
Sot, Edi Rama ka dështuar të zbatojë VKM-në që vetë miratoi. Shqipëria është  e mbuluar nga plehrat, qytetet tona, fshatrat tona, lumenjtë tanë janë mbuluar me plehra. Plehrat digjen në mënyrë kriminale, ndotin ambientin tonë.
Të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregojnë se të sëmurët e rrugëve respiratore dhe sëmundjet e rënda, siç është kanceri në mushkëri janë dhjetëfishuar si rezultat i përkeqësimit të ndjeshëm të cilësisë së ajrit, në veçanti në tre vitet e fundit në Tiranë, siç e tregoi studimi i para disa ditëve.

Dhe në vend që të pranojë dështimin e të marrë masa për zbatimin e VKM-së që vetë ka firmosur, çfarë thotë Edi Rama?! Jo vetëm që nuk do të pastrojë plehrat e bashkive, siç kanë premtuar dhe siç e kanë kthyer në vendim qeverie, por tani që nuk pastroi dot Shqipërinë nga plehrat, do të sjellë edhe plehrat e Europës.
Pafytyrësi tipike e një qeveritari i cili kërkoi votat dhe erdhi në pushtet duke premtuar ligj dhe  sot ia ka lënë Shqipërinë peng krimit dhe kartelit të drogës.
Pafytyrësi e një njeriu që e konsideron Shqipërinë jo një vend me qytetarë të cilëve iu ka marrë votën dhe ka me detyrim t’ju shërbejë, por një burg të madh ku ai sillet si drejtori psikopat dhe i droguar i këtij burgu.

Ndaj me shoqërinë civile jo vetëm që jemi të bashkuar  për të realizuar qëllimin tonë për të ndalur importin e plehrave, por jemi të bashkuar edhe për të rikthyer votën e qytetarit, zgjedhjet e lira dhe të ndershme si themeli i një shoqërie të drejtë. Dhe për këtë drejtori psikopat dhe i droguar i burgut duhet të largohet një orë e më parë.
Na bashkon ky ligj për të cilin qëndrimi jonë është i qartë. Të miratohet dekreti i Presidentit, të miratohet një moratorium për importin e plehrave deri sa qytetarët të shprehen me referendum. Sepse ky vendim nuk i takon më asnjë qeverie, as kësaj që po ikën dhe as asaj që do të vijë, i takon qytetarëve shqiptarë ta vendosin me referendum popullor. Dhe deri në atë moment të miratohet dekreti i Presidentit Nishani dhe bashkë me të një moratorium për importin e plehrave.
Dhe bashkërisht jam i bindur se në të njejtën frymë do të punojmë në një aleancë të madhe kundër drogës, për dekriminalizimin, për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe për të rikthyer dinjitetin e shqiptarëve duke iu rikthyer besimin dhe të drejtën për të zgjedhur me votë qeverisjen që dëshirojnë.
Ju faleminderit!


Njoftim për media i Partisë Demokratike, 25 tetor 2016