Përshëndetje të nderuar përfaqësues të medias

Dua të siguroj sot të gjithë shqiptarët se Partia Demokratike po bën dhe do të vazhdojë të bëjë deri në çastin e fundit, shpresoj në një konsensus mbarë kombëtar për Reformën në Drejtësi, atë që ka premtuar, gardiane kundër kapjes politike të sistemit të drejtësisë si forma më e lartë e korrupsionit, korrupsioni politik. Këtë kemi kërkuar që prej ditës së parë dhe në funksion të kësaj kemi insistuar për përfshirjen në këtë proces të Komisionit të Venecias. Përfshirja e Komisionit të Venecias me kërkesën e Partisë Demokratike, garantoi që në të dy draftet e dërguara nga qeveria në këtë komision, Venecia të thoshte fjalën e saj e të çmontonte jo njëherë, jo dy herë, por plot 38 herë projektin e kapjes politike të sistemit të drejtësisë nga qeveria aktuale.

Tash një javë palët ndahen në një pikë të vetme por të rëndësishme: mënyrën e përzgjedhjes së institucioneve të reja vendimarrëse dhe kontrolluese të sistemit të drejtësisë. Partia Demokratike nuk ka asnjë interes tjetër përveç asaj për të cilën jam zotuar para qytetarëve shqiptarë, demokratë dhe socialist, si kryetar i opozitës, si kryetar i Partisë Demokratike, si jurist me formim perëndimor që e ka parë se çbën drejtësia e pavarur dhe e pakapur, si qytetar, si familjar, si bir e prind në këtë vend: Moskapja politike nuk është thjesht kusht, është vetë reforma. Me kapje politike nuk ka reformë.

Sot, pas insistimit tonë parimor – përkundër presioneve të jashtëzakonshme e të paparimta  – për të qëndruar në modelet dhe parimet e ofruara nga Komisioni i Venecias kemi një lajm të mirë. Edi Rama pranoi sot parimin e konsakruar në opinionin final të Komisionit të Venecias, në rekomandimin 88, atë që njihet gjerësisht si modeli i vendeve të rezervuara. Pranoi parimin por nuk dëshiron ta aplikojë atë siç e kërkon Komisioni i Venecias në të katër institucionet e reja të sistemit të drejtësisë por në vetëm 2 prej tyre.

Dëshiron ta aplikojë në KLGJ-në dhe në KLP-në, për të cilën ne kemi rënë dakord që prej muajit Shkurt. Me 17 Shkurt, Partia Demokratike pas sugjerimeve të OPDAT dhe EURALIUS zgjodhi mes modeleve të ofruara, modelin e vendeve të rezervuara për këto dy organe vendimarrëse. Por po kaq të rëndësishëm e konsideron Komisioni i Venecias zbatimin e këtij parimi edhe për 2 institucione të tjera, Komisionin e Posaçëm të Verifikimit dhe Komisionin e Apelimit. Më lejoni ta lexoj përsëri:

Paragrafi 88. Opinioni Final i Komisionit të Venecias.

“Me qëllim përgatitjen e tekstit përfundimtar, Komisioni i Venecias i rekomandon autoriteteve shqiptare që t’i kushtojnë vëmendje çështjeve të mëposhtme:

– Nëse palët në procesin politik nuk pranojnë shumicën e cilësuar të kërkuar për anëtarët jo gjyqtarë të KLGJ, KLP, KPK dhe DHSK”, që janë dy dhomat e tjera, pra vetingu dhe apeli për vetingun “ata mund të zgjedhin një sistem proporcional që garanton përfaqësimin e opozitës mes organeve kolektive ose çdo model tjetër të përshtatshëm që do të siguronte ndikimin e opozitës në procesin e përzgjedhjes.”

Ky është Opinioni Final i Komisionit të Venecias. Z Rama pranoi parimin por ama vetëm për dy institucione. Për dy të tjerat jo. Përse?! Çfarë do të bëjnë këto dy organe?! Këto do të ndajnë shapin nga sheqeri. Do të largojnë gjyqtarët dhe prokurororët e korruptuar e do të lënë në sistem ata me dinjitet e integritet e që i shërbejnë ligjit, që janë ushtarë të ligjit dhe jo të Edi Ramës, e sigurisht as të Lulzim Bashës.

Por që kjo të ndodhë kështu siç është planifikuar të ndodhë, as Edi Rama, as Lulzim Basha nuk mund të kenë dorën vendimtare të përzgjedhjes të këto dy organe. Sepse përndryshe na dalin gjyqtarët që hetojnë skandalin e përgjimit të korruptuar e na del prokurorja që pushoi çështjen e narkotaksisë së Tahirit, e pastër. Shqiptarët e kuptojnë fare qartë, këtu fle lepuri.

Dhe këtu Partia Demokratike nuk kërkon asnjë vend të vetëm për militantët apo për anëtarët e saj. Ne nuk duam që në këtë sistem të vendoset Oerd Bylykbashi, Eduard Halimi, Enkelejd Alibeaj, Gazmend Bardhi apo Ivi Kaso por nuk pranojmë kurrsesi që pala tjetër të vendosë në këtë sistem Sokol Sadushin, Ardian Dvoranin, Sokol Berberin, Fatmir Xhafën apo Pandeli Majkon. Parimi i konsakruar nga Komisioni i Venecias është ai i përfaqësimit propocional, por jo i personave me kredenciale politike: i personave me integritet profesional e personal. Dhe për këtë ka dhe duhet të ketë një sistem të pastër vetingu për kandidatët që do të propozohen.

Ndaj sot duke iu dorëzuar parimit të Venecias, z Rama pranoi se ishte ai dhe vetëm ai pengesa deri më sot për një konsensus mbarëkombëtar për një reformë në drejtësi që nuk mbron por ndërshkon krimin dhe korrupsionin në nivele të larta. Por duke e pranuar vetëm për dy organe ekspozoi po kështu se nuk heq dorë nga kapja politike e atyre që do të bëjnë vetingun apo kontrollin e integritetit të figurës për gjyqtarët dhe prokurorët. Pra eskpozoi se kërkon të kapë politikisht këto dy organe të rëndësishme për këtë proces.

Në këtë moment dua të sqaroj para çdo shqiptari edhe njëherë se opozita kurrë nuk ka kërkuar 2/3 dhe e dini pse?!  Sepse 2/3 me mekanizmin zhbllokues do të thote kapje e plotë dhe totale e drejtësisë. Edi Rama kurrë nuk do të pranonte e nuk do të pranojë konsensusin me opozitën në parlament me 2/3 e votive por do të kapë mekanizmin zhbllokues dhe përmes tij do të kapë institucionet e drejtësisë. Kaq e thjeshtë është.

Prej Janarit ne përzgjodhëm një formulë tjetër. Pse?! Pse Venecia tha vende të rezervuara?! Se kërkon që ta kapë opozita?! Pse janë çmendur komisionerët, raporterët e Venecias?! Dhe Rama është më i mençur se gjithë ekspertët që këshillojnë Europën për reforma kushtetuese? Apo Rama e do drejtësinë e pavarur dhe Komisioni i Venecias do tia japë drejtësinë Partisë Demokratike?! Jo. Absolutisht jo. Venecia tha qartë se vendet e rezervuara janë formula që opozita të kryejë detyrën e saj për të mos e kapur qeveria drejtësinë. Armiku më i madh i drejtësisë është kapja politike. Kapja nga qeveria, kapja nga kryeministri, qoftë Rama sot ose Basha nesër.

Paragrafi 88 e ka përcaktuar qartë se modeli i vendeve të rezervuara është rruga e konsensusit politik mes palëve për dy institucionet që tashmë z Rama i ka pranuar sipas këtij parimi por edhe për dy të tjerat që reziston ti bindet të njëjtit parim, të njëjtit rekomandim të Komisionit të Venecias. Rruga është e hapur që z Rama sot apo nesër ti bindet plotësisht dhe jo pjesërisht rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias.

Përsa më përket mua dhe Partisë Demokratike, mbi këtë parim nuk ka e nuk mund të ketë çedim. Por jemi të hapur që sot që së bashku me palën tjetër të rakordojmë të gjitha detajet e një sistemi filtrimi të kandidaturave që do të shmangnin depërtimin në procesin e miratimit të kandidaturave me vendet e rezervuara në të gjitha organet, të sadushëve, të dvoranëve, të berberëve, të bardhëve, të kasove dhe të alibeajve. Dhe për këtë Partia Demokratike dhe unë personalisht jemi të gatshëm që sot.

Pyetje: Sot kryeministri duke iu referuar negociatave politike ose teknike për reformën në drejtësi, tha që PD nga mbërritur në një pikë ku është tërhequr nga të gjitha kërkesat e saj fillestare dhe ka mbetur tek vendet e rezervuara, si një mënyrë për të bllokuar reformën në drejtësi. Keni ju një koment për këtë? A jeni tërhequr ju në të vërtetë nga të gjitha kërkesat që ju keni patur në fillim për finalizimin e kësaj reforme?

Basha: Ky qëndrim i kryeministrit, në rradhë të parë është një qëndrim i papërgjegjshëm. Është një qëndrim fëminor për të thënë që “këta i braktisën, unë i fitova”. Këtu nuk bëhet fjalë as për fitoren e Partisë Socialiste, as për fitoren e Partisë Demokratike. Kjo tradhton mënyrën se si kryeministri e shikon procesin e reformës në drejtësi, si një lojë politike.

Unë nuk e shikoj kështu dhe kam dhënë prova rej fillimit. Duke angazhuar ekspertët më të mirë të opozitës, të Partisë Demokratike, me një proces që rezulton, jo braktisje, por me fitore. Sa fitore? 38 fitore. Kush i thotë? Komisioni i Venecias. Arbitri. Meqë jemi edhe në sezon futbolli. Pak rëndësi ka se ç’thotë njëra palë, apo tjetra. Rëndësi ka se çfarë thotë arbitri. Arbitri thotë: 38 herë e ka rrëzuar mazhorancën e  i ka dhënë të drejtë opozitës. Unë nuk i përkas atyre, apo kësaj gjenerate politikanësh që tund flamurin e fitores. Sigurisht nuk mund të pranoj broçkulla që paskemi braktisur çështjet, por duhet t’u them se këto 38 fitore nuk janë fitore të Partisë Demokratike dhe të Lulzim Bashës, ndonëse ne i nxitëm dhe ne ishim gardianët. Janë fitoret e shqiptarëve.

Imagjinoni ku do të ishte sot drejtësia, nëse opozita nuk do të kishte këmbëngulur, nëse opozita nuk do të ishte angazhuar, nëse opozita nuk do të ishte përfshirë dhe nëse opozita nuk do të kishte ruajtur standardin evropian dhe euroatlantik në çdo qëndrim të sajin. Sot Byroja Kombëtare e Hetimit do të ishte nën Sajmir Tahirin, njeriun e vënë në akuzë për përgjim, si krim kushtetues si krim i sigurisë kombëtare dhe i vënë përsëri nën akuzë për kërcënim të gjyqësorit sepse nuk pranon të hetohet për një krim, për të cilën Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka larguar një President. Imagjinoni ku do të ishte drejtësia sot, nëse do të kishim pranuar që trupat e rëndësishëm të kontrollit të integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të ishin nën kontrollin e kryeministrit, këtij që i thotë gjyqtarëve që hetojnë aferat e tij, “jeni killera” dhe u rreh shpatullat gjyqtarëve të korruptuar që mbyllin dosjet e korrupsionit me anë të të cilave zhvatin miliona e miliona euro të shqiptarëve.

Pra Partia Demokratike nuk i ka braktisur, por i ka fituar betejat e hapura. Janë betejat tona dhe betejat e çdo shqiptari. Drafti ka ardhur këtu ku është, jo me dëshirën e Ramës, por me pahir nga ana e tij. Ka ardhur sepse ne dhe Komisioni i Venecias rezonuam në të gjitha çështjet kryesore të moskapjes politike. Drafti ka ardhur këtu duke përfshirë dhe thjeshtimin e arkitekturës siç e kërkuam ne. Këto janë të vërtetat. Por, në fund të fundit kjo nuk është një lojë futbolli Rama-Basha. Do të vijë edhe ajo. Një e bëmë para 5 vjetësh dhe tjetra  do të vijë së shpejti.

Kjo duhet të jetë një përpjekje serioze për ti dhënë shqiptarëve një drejtësi që nuk mbron, por ndëshkon krimin dhe korrupsionin. Garanci për këtë është vetëm moskapja politike. Venecia ka folur qartë. Parimi është vetëm ai i vendeve të rezervuara. Paragrafi 88 e thotë të zezë mbi të bardhë. Partia Demokratike e ka pranuar, Edi Rama  e kishte refuzuar deri dje. Sot e pranon parimin për 2 organe, nuk e pranon për 2 të tjera. Domosdo që nuk e pranon sepse do që të përjashtojë nga sistemi gjyqtarët që hetojnë skandalet e përgjimit, të CEZ-it, të koncesioneve në shëndetësi. Do që të përjashtojë nga sistemi prokurorët që vënë para përgjegjësisë zyrtarët e tij të korruptuar apo ndjekin lidhjet kriminale të kësaj qeverie nga Habilajt tek Xibraku, nga Shullazi tek “Hakmarrja për drejtësi”, e kudo tjetër. Ai dëshiron ta kapë sistemin. Ai e ka jetike kapjen e sistemit.

Unë jam këtu për ti garantuar shqiptarët për një sistem drejtësi të pakapur politikisht dhe për këtë arsye kërkoj nga Edi Rama reflektim të plotë sonte, që parimin e konsakruar në paragrafin 88 që e ka pranuar për 2 institucione, ta pranojë edhe për 2 institucione të tjera. Garantoj çdo shqiptar se PD do të qëndrojë fuqimisht që personat që do të përfaqësojnë interesat e Republikës së Shqipërisë në këto 2 organe të mos jenë ushtarë të politikës, të mos jenë ushtarë të Edi Ramës apo të Lulzim Bashës, por të jenë ushtarë të ligjit. Për këtë PD ka gati propozime konkrete dhe nëse ka vullnet ne jemi gati të avancojmë, por parimi i konsakruar në Komisionin e Venecias, paragrafi 88, mbetet parimi me të cilin PD do të ecë përpara për ti dhënë shqiptarëve që drejtësi të pakapur politikisht.

Pyetje: Z. Rama nuk foli për vende të rezervuara dhe nuk iu referua, madje kërkoi që mazhoranca të tërhiqej nga 2/3-at dhe opozita nga vendet e rezervuara për të gjetur një zgjidhje të përbashkët. A jeni të gatshëm ju për një zgjidhje tjetër që tejkalon 2/3-at apo vendet e rezervuara?

Basha: Siç e kam bërë të qartë që prej fillimit, paragrafi 88 e Komisionit të Venecias është ai që garanton moskapjen politike. Ne kërkojmë zbatimin e opinionit final të Komisionit të Venecias. Unë kam dalë para jush, këtu në këtë sallë, në salla të tjera,në konferenca, në fshatra, në qytete, në Bruksel, në Ëashington dhe u kam thënë shqiptarëve: “ Unë pranoj gjithçka që rekomandon Komisioni i Venecias.” Dhe Komisioni i Venecias ka folur qartë.

Dikush tjetër ka zgjedhur ta bëjë fytyrën shollë. Ka thënë në Bruksel dhe në Ëashington, do të pranoj Venecian, dje thoshte nuk e pranoj 88-ën, sot siç e lexoi e pranoi 88-ën, por vetëm për 2 organe por nuk e pranon për 2 të tjerat. Edi Rama duhet të ndajë mendjen. Nëse është për një drejtësi të reformuar por të pakapur politikisht, jam gati të bashkoj votat me deputetët e tij dhe të mazhorancën për projektin që është gati. Nëse ka vendosur që më mirë një drejtësi nën hyqmin e tij politik, nën diktatin e tij, siç e ka sot e gjithë ditën se sa një drejtësi të pakapur politikisht, kjo është zgjedhja e tij. Do të përballet ai me pasojat. Sepse herët a vonë, ne do ti japim shqiptarëve një drejtësi që nuk mbron por ndëshkon krimin dhe korrupsionin. Jo sipas mendjes sonë, por sipas këtij projekti tashmë me vulën përfundimtare të Komisionit të Venecias.

Pyetje: A është e gatshme PD të lëvizë nga vendet e rezervuara ? Rama ka folur për përfshirje të opozitës në process duke iu referuar paragrafit 88 të Komisionit të Venecias . Rama tha që bëhet fjalë për përfshirjen e opozitës në proces dhe se mazhoranca nuk e ka parë asnjëherë opozitën të papërfshirë në këtë process. Por që të arrihet kjo,  duhet që mazhoranca të lëvizë nga 92 vota, ndërsa opozita të lëvizë nga vendet e rezervuara?

Basha: Janë 94 vota Everest. Nuk i ka 94 vota, nuk e ka legjitimitetin dhe cdo përpjekje për të nisur një proces pa dakortësim me opozitën, do të përkthehet nga PD si një përpjekje për pazar votash, për trafikim votash dhe do ti përgjigjemi me të gjitha mjetet dhe format demokratike. Më lejo të konfirmoj këtë së pari.

Së dyti nëse dëshiron ta përmbyllë me sukses këtë proces për cështjen e vetme të parakorduar, PD propozon as më pak dhe as më shumë se rekomandimin numër 88 të Komisionit të Venecias .  Zoti Rama e pranon këtë parim për dy organe dhe nuk e pranon për dy të tjera. I bëj thirrje të gjejë kurajon dhe përgjegjësinë që parimin ta zbatojë për të katër organet kolegjiale sic e parashikon Komisioni i Venecias. Ky është qëndrimi im, ky është qëndrimi i PD, ky është qëndrimi i opozitës. Venecia u pranua prej fillimit si arbitër, Venecia ka folur, PD e ka pranuar. U ekspozua sot përtej propagandës se ai që se kishte pranuar është Edi Rama , e pranoi gjysëm të pranojë dhe gjysmën tjetër dhe jemi gati ta votojmë.

Pyetje: Zoti Basha ndërkohë që ju po mbani këtë konferencë për mediat, kryeministri Rama ka postuar diçka në mediat sociale “dikush duhet ti thotë Lulzimit që s’kam thënë asgjë të re nga cfarë thashë pas takimit me të dhe nuk kam pranuar as sot vendet e rezervuara“. Keni ndonjë koment?

Basha: Pra tërhiqet nga parimi i  rekomandimit 88. Atëherë lajmi i mirë që njoftova në fillim të konferencës, nuk është lajmi i mirë që prisnim të gjithë. Ky është problemi pra, e ka pranuar ndërsa tani tërhiqet. Unë kam qenë i qartë prej fillimit, koherent dhe transparent. Komisioni i Venecias, rekomandimi 88 i jep zgjidhje çështjes së vetme, që ndan palët. PD e ka pranuar, unë e kam shpallur,në Tiranë, në Bruksel dhe në Ëashington , zoti Rama nuk e pranon. Në atë konferencë për shtyp që e ka pranuar për dy organe , tani nuk e pranon as për ato të dyja, ose kështu thoni ju, mbetet ta verifikojmë.

Pyetje: Në fakt zoti Rama shkruan se formulë zgjidhje me opozitën po, ndërsa kompromis partiak për skanim të prokurorëve, gjykatësve, kurrë.  Partitë larg duart nga skanimi thotë Rama…

Basha: Tani problemi këtu është që në këtë mënyrë ekspozon ndërgjegjen e tij. Në subkoshiencën e tij,  atij i duket se vendet e rezervuara është e drejta për të emëruar persona, ushtarë politikë. Edhe një herë po them, parimi i vendeve të rezervuara nuk është parim i Lulzim Bashës, është parimi i Venecias. Nëqoftëse ky qenka për drejtësi të pavarur dhe Venecia qenka për të kapur drejtësinë opozita, nëse ka njeri që e beson këtë, nëse ka shqiptar që e beson se Edi Rama e do drejtësinë të pavarur, ndërsa Komisioni i Venecias do tia japë drejtësinë Lulzim Bashës, atëherë unë jam gati kushdo qoftë,  ta sqaroj këtu, në zyrën time, kushdo qoftë ky, se nuk besoj se janë dy ose më shumë se tre vetë dhe me siguri të gjithë janë në kryeministri. Por e vërteta është ndryshe. Komisioni i Venecias shpall modelin e vendeve të rezervuara, pikërisht që ti pamundësojë qeverisë kapjen politike të organeve të reja të drejtësisë, sepse siç thotë Venecia, siç jam i bindur, besojnë dhe të gjithë shqiptarët, drejtësia e kapur politikisht nga qeveria, është një drejtësi e korruptuar, e cila nuk do të ndërshkojë, por do të mbrojë korrupsionin qeveritar dhe krimin e lidhur me qeverinë.

Pyetje: Për të qenë më të qartë se konferenca e kryeministrit , a e pranon PD që të tërhiqet nga vendet e rezervuara për të gjetur ndoshta një formulë tjetër që tejkalon edhe vendet e rezervuara që kërkon opozita , por dhe dy të tretat që në fakt mban dhe i kërkon mazhoranca . A jeni të gatshëm ju si opozitë,  të negocioni dhe të gjeni një formulë tjetër përtej këtyre dy formulave?

Basha: Komisioni  i Venecias në rekomandimin e bërë publik në opinionin final,  ka dhënë zgjidhje . Palët u angazhuan që zgjidhjet do ti kthenin në një draft. Cështja që ndan palët, është cështja e organeve të reja të institucioneve drejtuese të drejtësisë dhe për këtë,  opozita ka pranuar formulën e ofruar nga Komisioni  i Venecias. Ai që se ka pranuar është Edi Rama . Ne e kemi pranuar, sepse besojmë se kjo formulë përbën një garanci të madhe, ndonëse jo absolute, kundër kapjes politike. Edi Rama nuk e pranon ,në pikëpamjen time pikërisht për këtë gjë , sepse dëshiron ose një drejtësi të kapur politikisht ose kështu sic është.

Ndaj i takon Edi Ramës ti thotë shqiptarëve “pse nuk e pranon rekomandimin  88 të Komisioni t të Venecias”?  Kjo është pyetja një milion euro , pse nuk e pranon Rekomandimin 88 të Komisionit të Venecias në tërësi.” Këtu është shumë e qartë: “Nëse palët në procesin politik, nuk pranojnë shumicën e cilësuar,  të kërkuar për anëtarët gjyqtarë të KLGJ , KLP , KPK , DHSK , ata mund të zgjedhin një sistem propocional që garanton përfaqësimin e opozitës në organet kolektive, ose cdo model tjetër të përshtatshëm që do të siguronte ndikimin e opozitës në procesin e zgjedhjes.” Më pak se ky rekomandim, nuk mund të pranojmë. Nuk kërkojmë më shumë se ky rekomandim. Ky është qëndrimi im, dje, muajin e kaluar dhe vitin e kaluar.


Konference per shtyp e kryetarit te Partise Demokratike, Lulzim Basha, 13 Qershor 2016