Ndonëse 300 familje jetojnë vetëm me peshkimin në Sarandë, ky sektor është drejt falimentimit. Mungesa e kushteve, taksat e larta, mungesa e kantierit për riparimin e varkave kanë qenë disa nga shqetësimet e shprehura nga peshkatarët në takimin me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Peshkatar: Sot jo nuk kemi port peshkimi por të rrimë që të na zeje errësira andej ndriçon dhe është ditë duket edhe maja e gjilpërës, këtej i hoqën për inat të Zotit. Edhe çezmën e shkatërruan. Këtu mbi çdo lloj ligji tjetër ka dalë Policia Kufitare. Del një polic atje dhe të thotë që kam urdhër nga shefi s’do dalësh në punë.

Peshkatar: Varkat rregullohen të gjitha në Greqi këtu është primitive.

Peshkatar: Një pasaportë lundrimi që rinovohet një herë në vit, ne nuk e rinovojmë dot siç e ka ligji por shkojmë në Durrës. Regjistri detar është trefishuar çmimi, nga 500 mijë lekë të vjetra ka shkruar 2 milionë e 170 mijë lekë për anije.

Basha: Për vit?

Peshkatar: Pa vënë këtu, jashtë…

Basha: Çdo vit apo një herë vetëm?

Peshkatar: Çdo vit, po kështu taksat vendore nga biznesi i vogël nga 26 mijë lek, 260 mijë lekë të vjetra kanë shkuar diku tek 500 mijë lekëshi dhe biznesi i madh jo më pak se 1 milionë lekë. Plus kësaj për çdo leje transporti që do të marrim të mjeteve duam 52 mijë lekë të vjetra taksë parkimi, të cilën ne i paguajmë kur bëjmë kolaudimin e mjeteve.

Peshkatar: Unë në muaj paguaj 600 mijë lekë se mjet i vogël, pak karburant marrë.

Basha: 20% për karburantin e ke?

Peshkatari: Po, po për karburantin. Ku shkon gjithë ky lek? Të paktën të rregullohet, të pastrohet, të hiqet ai vinçi që u rrëzua, të bëhet një diçka e mirë. Shkojmë në kantier një herë në vit dhe ato lekë që kemi grumbulluar i ha kantieri, shkojmë në Korfuz.

Basha: Në Korfuz i bëni. Sa të merr riparimi?

Peshkatari: Sipas mjetit, sipas punës që do të hapësh.

Basha: Sa të shkoj herën e fundit?

Peshkatari: Herën e fundit shkoi 4 mijë euro.

Basha: 4 mijë euro ?

Peshkatari: E kam mbyllur në QKR para tre vjetësh biznesin. Këtu sektori i peshkimit është i dështuar. Sa e kanë marrë këta pushtetin është i dështuar, po vemi poshtë e më poshtë. Anija është gati të mbytet dhe këta më sjellin çdo ditë, ditë për ditë në shpi fletë për të paguar tatimet. Unë kam tre vjet që ajo anije është e mbaruar, nuk del më.

Basha: Nuk del më?

Peshkatar: Si mund të dalë? Vemi për të kërkuar kredi, kreditë janë më interes të lartë. Jemi të mbaruar.

Zoti Basha ka shpalosur platformën e Partisë Demokratike. Buxheti i shtetit, tha zoti Basha do të financoje industrinë  e peshkimit, që nga infrastruktura, kalatat, kantieret e riparimit dhe do të  subvencionojë peshkatarët.

Basha: “Shteti duhet të garantojë mënyra më të mira të financimit për flotën. Së dyti, të ndërtojë kapacitetet e kantiereve, se u shuajtën kantieret. Pse do të shkosh ta bësh me 4 mijë euro, 5 mijë euro në Korfuz? Kur duhet ta bësh këtu dhe shteti për këtë të të financojë. Siç financojnë për digën, siç financojnë për vaditjen apo duhet të financojnë. Po kështu duhet të financojnë për infrastrukturën e peshkut, për kalatat, për kantieret e riparimit.

Shikoje zotërinë është zgjuar në 4 të mëngjesit, ditë për ditë bashkë me djalin e vetë. Po nuk subvencionuam këta njerëz të punës, kë do të subvencionojmë?

Për regjistrin detar e para e punës nuk do të paguhet më, e nuk do të shkohet më në Durrës, këtë ta marrë përsipër shteti me vetëdeklarim nga ana e peshkatarit”.

Kryetari i Partisë Demokratike u takua më pas me të rinj të Sarandës. Tarifat e larta të arsimit, papunësia, mungesa e investimeve për turizmin si industria që mban sarandjotët, ishin disa nga shqetësimet e shprehura në këtë takim. Një nga të rinjtë i shprehu shqetësimin për sektorin e shëndetësisë, mungesën e ilaçeve, ilaçet e skaduara që nuk kanë asnjë efekt tek të sëmurët dhe për rezultatet e check –up-it. Sipas tyre, analizat janë falso dhe rezultatet shpeshherë qesharakë, nuk tregojnë gjendjen reale të atyre që e bëjnë. Zoti Basha ka theksuar se Edi Rama dhe Ilir Beqaj nuk e kanë mendjen te dhënia e shërbimit shëndetësor për qytetarët, por si të vjedhin me shëndetësinë.

Basha: 1.8 euro shitet bashkë me fitimin e tregtarët dhe me TVSH-në. E blenë Vilma 1.8 dhe e shet 20, me 18.2 euro për set, fitimi. Sesa blen dhe sesa konsumon këtë nuk e dimë. Po e dimë që mjek dhe infermier detyrohet të mbushin formularë falso dhe prandaj dalin edhe ato probleme që përmendi zonja, bëhen qesharakë por në fakt janë tragjike. Në një vit bëhen gjithsej jo më shumë se 800 mijë analiza të kësaj natyre. Pra, kosto totale e tyre duhej të ishte jo më shumë se 1.8 milionë euro. Merr 1 milionë euro në muaj.


Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 15 Prill 2016