2 vjet krim dhe korrupsion, ka nisur numërimi mbrapsht për Edi Ramën dhe Ilir Metën

10 Sep
0

 Të nderuar  deputetë,

Zonja dhe zotërinj,

Shqipëria, fushë e minuar nga qeveria kampione e papërgjegjshmërisë, paaftësisë, korrupsionit dhe kriminalizimit, po jeton shpërthimin në seri të skandaleve, turpeve dhe dështimeve të padëgjuara që Edi Rama dhe Ilir Meta kanë  gatuar me duart e  tyre.

Siç e ka thënë vetë kryepërgjegjësi, s’paskemi parë gjë akoma, me këto që po ndodhin këto ditë.

Njëri prej individëve me rekorde të tmerrshme kriminale i përzgjedhur me dorë nga Edi Rama për ta graduar deputet-xhandar në Kuvendin e Shqipërisë, Armando (Edmond) Prenga, hapi zjarr në mjediset e komisariatit të Laçit kundër pjestarëve të familjes Cali, që kishin shkuar aty për të depozituar një kallzim penal kundër deputetit-bandit. Policia e Laçit akuzohet për futje në kurth të pjestarëve të kësaj familje për llogari të agresorit; një hetim i menjeherëshëm duhet të hedhë dritë edhe mbi ketë episod të turpshëm dhe personat përgjegjës duhet të marrin ndëshkimin më të rendë ligjor.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, akuzohet nga avokatët e qeverisë shqiptare për  marrjen e një rryshfeti në qindra milion lekë, në aferën e mbledhjes së borxheve  të energjisë elektrike nga një kompani e bekuar prej tij, që drejtohej nga miku i tij, KastriotIsmailaj, person që aktualisht është i arrestuar për pastrim parash, ndërtim skeme mashtrimi dhe korrupsion. Faktet janë bërë publike, rryshfeti i tij është paraqitur si argument në Gjykatën e Arbitrazhit në Vjenë nga zyra ndërkombëtare e avokatisë e qeverisë Rama.

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ai që paguhet nga taksapaguesit shqiptarë për të drejtuar rendin dhe duhej të ishte në krye të luftës kundër narkokultivimit e  narkotrafikut, akuzohet nga oficerë të lartë të policisë, të angazhuar për vite në luftën anti-drogë, si kumbari i bandave të narkotikëve në Jug, kryesisht në rajonin e Vlorës. Fakte dhe prova ta pakundërshtueshme kanë dalë e po dalin në dritë. Mjetet private të Ministrit janë përdorur dhjetra herë prej kushërinjve të tij Habilaj, që njihen kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht si kokat e trafikut të drogës. Ndërkohë, avionët e drogës nga Shqipëria bien njëri pas tjetrit në duart e policisë italiane, së bashku me trafikantët dhe ngarkesat e drogës shqiptare, sëbashku me alibitë e shpëlara të ministrit të dalë boje në sytë e të gjithëve si bashkëpunëtor, protektor dhe përgjëgjës i kthimit të Shqipërisë në një kopsht kolumbian të drogës.

Ekonomia shqiptare është në rënie të lirë, qindra vende pune mbyllen çdo ditë, konsumi dhe kreditimi janë në rënie si vetë besimi i sipërmarrësve dhe konsumatorëve. Ndërkaq, gropa e evazionit, kontrabandës dhe korrupsionit në dogana e tatime sa vjen e thellohet. 40 milionë dollarë është gropa e gushtit në raport me buxhetin e miratuar në Janar. 200 milionë dollarë i mungojnë arkës së shtetit pra arkës së qytetarëve në 8 mujorin e parë të këtij viti.

Për të legalizuar këtë akt të pashembullt vjedhje, ashtu siç paralajmëruam para 6 javësh, Edi Rama dhe Ilir Meta kaluan hajdutce, larg syve e veshëve të publikut, në errësirën e natës së 29 korrikut, aktin normativ të shkurtimit të shpenzimeve. Shkurtuan fondet e rrogave dhe pensioneve duke e renditur Shqipërinë së bashku me Bjellorusinë e Lukashenkos në dy vendet e vetme në Europë që ulën rrogat dhe pensionet e qytetarëve të tyre.

Hoqën fonde nga bujqësia që është lënë në mëshirë të fatit, nga shëndetësia që është në ditënë e saj më të zezë, nga ujësjellësit, e madje edhe nga arsimi. Shtrënguan rripin e shqiptarëve, sepse paratë që duhet të shkonin për ta, kanë përfunduar në xhepat e hajdutëve qeveritarë të korruptuar dhe oligarkëve të lidhur me ta.

Nuk mbaron me kaq. Akti normativ ka ulur me 90 milion dollarë parashikimin e mbledhjes së të ardhurave edhe për 4 muajt e mbetur të këtij vit. Pra, nga njëra anë shpallet me daulle, kërbaç dhe koreografi Lejfeniste aksioni kundër informalitetit, por nga ana tjetër, ustallarët dhe ustalleshat kanë planifikuar që në arkë të përfundojnë jo më shumë, por plot 90 milion dollarë më pak, të ardhura. Kjo nxjerr zbuluar dhe gënjeshtrën e madhe të këtij të ashtuquajturi aksion. Pavarësisht kacekëve të fryrë të propagandës kryeministrore, vetë qeveria nuk beson dhe as nuk pret rritje të ardhurash por rënie të mëtejshme të tyre.

Për t’ia fshehur publikut se çfarë po bëjnë, dyshja Rama-Meta refuzojnë diskutimin e këtyre shkurtimeve në komisionet përkatëse dhe është bërë gati ta noterizojë këtë vjedhje e turp të madh sot, me kartonat shurdhmemecë ndaj halleve të njerëzve, kartona që mbajnë në duar deputetët gojëkyçur të qeverisë.

Grupi ynë parlamentar do të qëndrojë fort sot në tabanin e të vërtetave duke nxjerre në pah me shifra, argumenta dhe fakte se ky akt normativ është vetdenoncimi i korrupsionit dhe papërgjegjshmërisë qeveritare.

Eshtë vetdenoncimi i pafytyrësisë dhe dyfytyrësisë kriminale të dyshes Rama-Meta, shkaktare e tragjedive të përditshme të shqiptarëve si ajo që ndodhi dje në familjen e Hari Dodës në Sauk, 50 vjeçari që i dha fund jetës sepse nuk kish para të largonte errësirën nga vatra e tij familjare, ndërkohë që derrat e korrupsionit qeveritar nuk kanë të nginjur me vjedhjen, shpërdorimin dhe makutërinë e tyre nga OSHEE në Albpetrol, nga Tatimet e Doganat nga prokurimet e drejtpërdrejta në koncesionet miliona euroshe.

Zgjedhjet e 21 qershorit të damkosura rëndë nga raportet paraprake të vëzhguesve ndërkombëtarë morën dje vulën e thatë nga raporti përfundimtar, si zgjedhje jo të lira dhe të ndershme, si zgjedhje ku qeveria vuri shtetin e përforcuar me banda dhe para të krimit dhe korrupsionit përballë qytetarëve dhe opozitës, duke mohuar të drejtën themelore, lirinë e votës.

Janë ditë të zeza dhe dramatike për vendin.

Shqiptarët janë të tronditur. Shqiptarët janë të goditur në nder dhe në virtyt, në din dhe në iman, në moral dhe në shpresë, me skandalet e qeverisë. Nuk e kam besuar e s’kam për ta besuar kurrë atë që thuhet andej-këtej sikur vështirësitë e jetës, lufta për bukën e gojës, frustrimi dhe varfëria i kanë bërë shqiptarët të pandjeshëm ndaj  horrllëkut, vagabondazhit dhe  krimit  në  piramidën e pushtetit nga maja në bazë.

Jam i sigurt se në shtëpitë e tyre, në familjet e tyre, në shoqërinë, apo në vetminë e tyre, shqiptarët janë të fyer deri në palcë nga veshja me pushtet e banditëve, siç nuk ka ndodhur kurrë, nga ortakëria e qeveritarëve me narkofrafikantë dhe grupe kriminale, siç nuk ka ndodhur kurrë, nga abuzimet, vjedhjet, korrupsioni, evazioni dhe kontrabanda gjigande në dogana, në tatime, në tendera, në prokurime e kudo, ndërkohë që të ardhurat vetëm pakësohen dhe vështirësitë për të mbyllur llogaritë e muajit vetëm shtohen për shumicën dërrmuese të qytetarëve shqiptarë.

Shqiptarët janë të fyer, shqiptarëve po u plas shpirti jo se kanë pritur mrekullinë  nga kjo qeveri dhe mrekullia nuk po vjen, por nga paturpësitë e saj, nga pacipësia e saj, nga mënyra se si i trajtojnë akuzat që u bëhën nga të katër anët.

Arroganca u shdrit në sy si vetë cinizmi që i ka mbukuar kokë e këmbë. Nuk janë në gjendje të hedhin poshtë asnjë akuzë, në subkoshiencë i pranojnë akuzat, madje nënqeshin me to sepse, me sa duket, kanë bërë më shumë se sa akuzohen.

Ky është abuzimi më i madh me pushtetin që mund të imagjinohet, pabesia më e madhe që mund tu bëhet zgjedhesve.

Pushtet për të abuzuar, për vjedhur, për të bërë para dhe pasuri për vete dhe për një grusht oligarkësh. Për asgjë tjetër. Qytetarët, një pjesë e tyre, ata që u besuan, u dhanë kohë dy vjet, por nuk do tu japin më. Sepse nuk ka popull në Europë që i jep kohë qeverisë të vjedhë dhe të dërdëllisë si ato llafazanet e këqija.

Partnerët tanë janë të skandalizuar dhe të tronitur me rekordet e zeza të qeverisë.

Edi Ramës i kërkohet prej kohësh t’u japë duart njëherë e mirë individëve me rekorde kriminale në qeverisjen e tij. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian i kanë bërë thirrje të hapura të miratojë me opozitën ligjin e dekriminalizimit dhe të mos kandidojë individë me rekorde kriminale në zgjedhjet vendore. Kryeministri i Shqipërisë i ka sfiduar këto thirrje me mendësinë tipike të Haxhi Qamilit “ç’më duhet Washingtoni kur kam Roshin, ç’më duhet Brukseli kur kam Bushin”.

Edi Rama e ka bërë zakon të lajë duart si Pons Pilati pasi të shohë katër njerëz për tokë të vrarë nga dora e djalit të deputetes, apo katër burra të plagosur nga dora e Prengës në komisariat. Ne përshendetëm prokurorinë për hetimin e nisur ndaj ish-deputetit Prenga, inkurajojmë drejtësinë për ndëshkimin e shpejtë konform ligjeve të krimit të shëmtuar që për pak u mori jetën disa shtetasve.

Por kjo nuk e shplan përgjegjësinë e kryeministrit, nuk e lan njollën e turpit të tij.

Ai është përgjegjegjësi numër një për futjen në Kuvendin e Shqipërisë dhe emërimin në poste publike të individëve me rekorde të tmerrshme kriminale për të bërë detyrën e shëmtuar të skuadronëve të dhunës kundër kundërshtarit  politik, kundër opozitës, kundër  fjalës së lirë, kundër vetë pluralizmit.

Ai është përgjegjegjësi numër një për kandidimin e këtyre individëve në zgjedhjet  për pushtetin vendor me  synimin e vetëm që këta, me rrjetin e tyre të malavitës dhe me paratë e pista të krimit, të blejnë vota, të kërcënojnë votuesit, të  dhunojnë e manipulojnë zgjedhjet në funksion të kapjes së pushtetit, të fitores së tyre fiktive, të fitores fiktive të Edi Ramës.

Ai është përgjegjës për hapësirat e pamata të abuzimit dhe shpërdorimit që u ka  krijuar në mbarë vendin këtyre azapëve, të cilët me imunitetin dhe fuqinë që u ka dhënë, grabisin pambarim pronat e qytetarëve dhe pronat publike, nuk paguajnë asnjë taksë, mbajnë nën terror njerëzit, shpërfillin dhe kërcënojnë organet policore, organet tatimore, qëndrojnë mbi ligjin, janë një bandë sipër shtetit.

Ai është përgjegjës për konfliktin që çoi në ngjarjen e rëndë të Laçit, pasi duke dashur të shpërblejë me lagunën e Patokut deputetin e tij për aktet e dhunës kundër opozitës, u ra ndesh interesave të peshkatarëve të vjetër në zonë dhe ka krijuar, siç e ka zakon, premisa përplasjesh për të cilat nuk do t’ia dijë ku u del tymi, jo si të ishte kryeministër që ka për detyrë te peshojë drejt dhe me urtësi interesat e njerëzve,  por një bajraktar dhe ngatërrestar pa tru.

Dashuria e Edi Ramës për individët me rekorde kriminale, komplekset dhe loja e tij me ta është një temë për t’u studiuar nga studiuesit. Eshtë rekordi i tij i zi në  qeverisje për të cilën do të mbahet mend.

Ne opozita, jemi zotuar të çlirojmë Kuvendin dhe institucionet nga krimi nepërmjet nismës sonë hisotrike dhe jetike të dekriminalizimit. E kam bërë të qartë që në fillim dhe dëshiroj ta përsëris, me besim se sot do të më kuptojnë më mirë edhe ata që nuk më kanë kuptuar apo nuk më kanë besuar para një viti.

Edi Rama nuk i zgjodhi si socialistë individët me rekorde kriminale, ata nuk kanë  qenë dhe nuk janë socialistë. Nuk i zgjodhi si militantë, ata nuk kanë qenë dhe nuk janë militantë. Nuk i zgjodhi as si të rehabilituar pas dënimit që disa prej tyre kishin kryer, ne e njohim të drejtën e rehabilitimit të çdo individi pas shlyerjes së dënimit që i ka dhënë  gjykata.

I zgjodhi për atë që, ata kanë qenë, kur ishin ndjekur, arrestuar apo dënuar nga policitë dhe gjykatat e vendeve europiane, pra i zgjodhi si kriminelë. I mori për t’u dhënë detyra kriminale, për t’u thënë; ju jeni këta që keni qenë, ju nuk ndryshoni kurrë, ejani në shërbimin tim.

Kriminalizmi është ideja e tij e poshtërimit të shtetit dhe shoqërisë në tërësi të zonave e trevave në veçanti. Nuk ka kërkuar kurrë falje për ketë dëm të jashtëzakonshëm, për këtë damkë që i vuri vendit në sytë e botës. Përkundrazi drekon e darkon me ta sa në Kavajë e sa në Lezhë si për ti nxjerë gjuhën jashtë të gjthë shqiptarëve e në veçanti socialistëve duke ju thënë; këta janë të preferuarit e mi, si për të tallur e hedhur poshtë përpjekjet e partnerëve tanë ndërkombëtarë duke ju bërë temena me fjalë e karshillëk me vepra.

Janë ditë kushtrimi për të reaguar, për të vepruar, për t’u ngritur të gjithë, i madh e i vogël, pa dallime politike, kundër së keqes.

Kemi kërkuar dhe kërkojmë me forcë, bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe me opininin publik, votimin e menjëhershëm të projektlkigjit të dekriminalizimit, të konsultuar me Komisionin e  Venecias,  projekt i cili në një anë mundëson përjashtimin e individëve me rekorde të tmerrshme kriminale nga  postet  dhe funksionet  publike, dhe nga ana tjetër garanton përmes masave të qarta ndalimin e depërtimit të këtyre individëve në të ardhmen në Kuvendin e Shqipërisë, në krye të bashkive, në  poste publike me peshë, e tjerë.

Parlamenti, bashkitë, zyrat e shtetit nuk mund të jenë më për asnjë çast, sot dhe përgjithmonë, strehë e individëve me rekorde të tmerrshme kriminale që katapultohen në këto poste si xhandarë të kryetarit të qeverisë. U bëj thirrje të gjithë deputetëve, kryebashkiakëve dhe zyrtarëve me rekorde kriminale të çdo partie qofshin, të japin dorëheqjen nga postet dhe detyrat që mbajnë.

Askush nuk do të mund t’iu shmanget dekriminalzimit. Edi Rama genjen veten nëse mendon se duke lëshuar ndonjë aty-këtu, do të hedhë lumin. Duhet ta dijë se është në shenjestër si arkitekti i kriminalizmit. Në shënjestër të opozitës, publikut, partnerëve. Kjo është një valë që nuk ndalet, është një kauzë  mbarëpopullore për jetën, për nderin, për dinjitetin, për zhvillimin, për integrimin.

Në këtë kuadër, përpjekja e turpshme për të mos vendosur edhe sot në kalendarin e parlamentit projekligjin e propozuar nga opozita për dekriminalizimin dhe amendamentet shoqëruese kushtetuese do të marrë përgjigjen më të vendosur nga aksioni i kombinuar i Grupit Parlamentar dhe i Partisë Demokratike me qytetarët shqiptarë.

Duke nisur nga dita e nesërme, komisioni i dekriminalizimit nën drejtimin e Oerd Bylykbashit do të nisë shqyrtimin e nismës së paraqitur në Parlament, për të hequr çdo alibi të kryepërgjegjësit për dekriminalizimin, për mosfutjen dhe mosdiskutimin e këtij ligji në seancë plenare.

Kemi kërkuar dhe kërkojmë me forcë dorëheqjen e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, hetimin  e tij si deputet i zakonshëm, hetimin nga Prokuroria për akuzat e rënda që i janë bërë nga avokatët e qeverisë shqiptare. I kemi kërkuar Prokurorisë  të nisë hetimet kryesisht për këto akuza të publikuara nga rrjeti i gazetarëve investigativë të Ballkanit Perendimor. Kërkojmë me forcë largimin e menjëhershëm të Saimir Tahirit, që është sot nyja gordiane e narkotrafikut, dhe hetimin e tij nga prokuroria.

Votimi i projektligjit të dekriminalizimit, dorëheqjet dhe hetimi i Metës dhe Tahirit, plani ekonomik i shpëtimit janë sot oferta e Partisë Demokratike për nxjerrjen e vendit nga qarku i skandaleve dhe zbutjen e krizës ekonomike. Dëshirojmë zgjidhje institucionale. Por nuk do të presim sepse nuk ka kohë më për të pritur.

Këto kërkesa do t’i ndajmë dhe çojmë përpara me qytetarët shqiptarë në turin politik që unë dhe gjithë së bashku me mua do të ndërmarrim në mbarë vendin, nga Jugu ne veri nga Lindja në Perendim. Nyja e nyjeve ku janë lidhur skandalet, turpet, dështimet dhe kriza e thellë ekonomike, është kryeministri i vendit, qeverisja e tij e dështuar.

Po vjen ora e veprimeve. Do të vendosim me qytetarët, do të veprojmë me qytetarët, do të fitojmë me dhe për qytetarët.


Fjala e kryetarit të PD, Lulzim Basha, në mbledhjen e Grupit Parlamentar, 10 Shtator 2015