Deputeti i Kukësit, Flamur Noka dhe kryetari i Bashkisë, Bashkim Shehu, u takuan me banorë të fshatrave të zonës së Shishtavecit të cilët kanë përjetuar një eksod masiv të familjarëve të tyre. Banorët u ankuan për kushtet e vështira të jetesës që i kanë detyruar të rinjtë të largohen duke lënë në shtëpi vetëm të moshuarit.

“Nuk kemi punë për fëmijët por as siguri për vete. Mbyllim 2 dyer me çelës që të ndihemi të sigurtë. S’ka siguri këtu dhe as bukë, ndaj kemi mbetur vetëm dy pleq dhe kanë ikur fëmijët. Ka ikur i gjithë katundi. Siç e marrim pension 105 mijë lekë e shpenzojmë. Vetëm dritat 35 mijë lekë. I ndjek lajmet dhe po shoh që po gënjen popullin e shkretë. Njerëzit këtu mbledhin ca lule ti shesin dhe pak patate se s’ka kush ti punojë arat. U kemi thënë fëmijëve vetë, ikni prej këtu se nuk rrihet”, u shpreh një çift të moshuarit.

“Më kanë ikur dy djem dhe një vajzë sepse ishim me një pension. Nuk ngopeshim me bukë. Nusja me gjithë fëmijët ikën. Jam 86 vjeç dhe jetoj vetëm me bukë. Nuk ta merr mendja hiç. Nuk mbjellin njerëzit patate se nuk ka kush ti punojë”, tha një i moshuar tjetër.

Ndërkohë, ata pak banorë që kanë mbetur nuk punojnë tokën për shkak se prodhimet nuk u shiten.

“Ato pak që mbjellim nuk na shiten. Na janë kalbur dhe ua hedhim lopëve. Djemtë kanë ikur në emigrim. S’ka jetesë dhe krejt rinia ka ikur jashtë. Kemi mbetur vetëm pleq. Djalin me nusen dhe fëmijën 8 muajsh e kam qitur vetë prej dere të ikin prej këtu”, tha një e moshuar.

Pronarja e dyqanit në fshatin Novesej u shpreh se banorët marrin ushqime me listë dhe ajo vetëm shtohet. “Marrin ushqime me listë dhe lista është bërë shumë e gjatë. Ja ku e kam listën dhe marrin vetëm ushqime, vaj, oriz, sheqer e makarona. Presim ti sjellin lekët”, tha shitësja  e dyqanit që tregoi listën e ushqimeve të marra borxh.

Deputeti Noka u shpreh se ky është realiteti në fshatrat e Kukësit, kret ndryshe nga sa propagandon Edi Rama dhe ministri i tij i Brendshëm. Sipas Nokës, rreth 7 mijë banorë të Kukësit, kryesisht të rinj, janë larguar për një jetë më të mirë pasi nuk kanë asnjë shpresë nën këtë qeveri. Noka tha se ata largohen kryesisht nëpërmjet Shkupit dhe Prishtinës për shkak të kostove më të lira.

“Siç e shikoni, gjendja dhe realiteti këtu në fshatrat e Kukësit është krejt ndryshe nga sa e reklamon qeveria. Këtu njerëzit janë të pashpresë. I dëgjuat vetë banorët se çfarë thanë dhe çfarë kushtesh kanë. Ky është një realitet i dhimbshëm dhe si pasojë e këtij realiteti dhe pasigurie, papunësisë e varfërisë, e skamjes dhe mjerimit, dhe çka është më e dhimbshmja si pasojë e humbjes së shpresës nga të rinjtë e këtyre zonave dhe banorëve, kuksianët janë të detyruar të braktisin pleqtë, familjet dhe të marrin rrugët e kurbetit. Shteti nuk u ka ofruar asgjë. Edhe ato dy prodhime që bëjnë nuk kanë pasur mundësi ti shesin. As mundësi punësimi, as përkrahje nga shteti, dhe janë në mes të katër rrugëve. Të braktisur e të harruar. Dhe dhimbje kanë marrë rrugët e kurbetit.

Në rast se Edi Rama dhe ministri i tij Tahiri, këto zona e fshatra i quajnë Greqi dhe banorët që kanë ikur prej këtu që janë rreth 7 mijë kuksianë, mendojnë se janë banorë që kanë ikur nga Greqia, atëhëre ky është realiteti mashtrues i tyre. Realiteti që jetojnë kuksianët është ky që po themi. E vërteta është se 7 mijë banorë të pashpresë, të mjeruar, pa asnjë dritë jeshile për një të ardhme jaën detyruar të marrin rrugët. Në rast se TIMS-i i tyre rezulton ndryshe është çështje e tyre sepse e kanë falsifikuar. Banorët e këtyre zonave nuk janë banorë që numërohen në avionët që nisen nga Rinasi pasi këta banorë kanë zgjedhur rrugën  më të lirë e të shpejtë nga Prishtina e Shkupi, për shkak të kostos dhe distancës më të afërt për tu larguar nga ky vend. Ky është realiteti”, deklaroi deputeti Flamur Noka.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 28 Gusht 2015