Të dashur miq

Motra e vëllezër, qytetare dhe qytetarë, të dashur durrsakë që keni stolisur sot këtë qendër të madhërishme të civilizimit europian me praninë tuaj masive qytetare për ti thënë Ilir Metës ik, për ti thënë Edi Ramës ik. Meta ik. Rama ik.

Jemi mbledhur sot këtu, sepse ky qytet i bukur, kjo qendër krenare e lashtësisë, qytetarisë, kulturës, qyteti juaj i bukur, Durrësi dhe durrsakët bashkë me të lëngojnë, situata është e rëndë, e keqja është shtrirë kudo.

Varfëria, papunësia, mjerimi, padrejtësia, pasiguria për jetën, krimi, preken kudo. Kudo si në çdo qytet tjetër të Shqipërisë edhe këtu në Durrës, si me urdhër të tiranit, e keqja është shtrirë e kanë vënë lakun në fytin e çdo shqiptari të ndershëm.

Çdo ditë bëhet më keq; në vend që të zgjohen me shpresën e një ndryshimi pozitiv, njerëzit zgjohen me ankth të një vuajtje të zgjatur, për frikën e tmerrshme për jetën e tyre dhe të fëmijëve të tyre, për rrjepje të ditës nga një qeveri që ju merr edhe kacidhen e fundit me kërbaç në dorë por nuk ju kthen asgjë; as investime, as vende pune, as siguri, as arsim as shendetësi dhe as shërbime qytetarëve të Durrësit dhe mbarë Shqipërisë.

Të mbërthyer në darët e kësaj gjendjeje torturuese, njerëzve u ka mbetur vetëm një shpresë. Shqiptarët po kërkojnë vetëm një gjë; të mbarojnë një orë e më parë ditët e qeverisë Rama-Meta që janë shkaku numër një i malit me halle që lartësohet çdo ditë për çdo shqiptar, për çdo familjeje, e për mbarë vendin.

Miqtë e mi!

Tek dëshpërimi dhe dhimbja e çdo familjari që ka zor t’u dalë para fëmijëve se nuk mbyll dot muajin, tek rraskapitja e pensionistëve e të moshuarve, tek kotësia, stresi, humbja e kohës dhe e perspektivës e të rinjve, është dora e Edi Ramës dhe Ilir Metës, të cilët rritën taksat, mbyllën vendet e punës, rritën çmimin e energjisë e të karburantit, rritën koston e jetesës dhe mbyllën me mijëra vende pune.

Rama dhe Meta kanë hyrë dhunshëm në jetën e çdo shqiptari. Hallet e durrsakëve e mbarë shqiptarëve u bënë kapicë dhe të papërballueshme, kur në krye të vendit erdhën oligarkët që prej dy vitesh sundojnë e çojnë përpara jo axhendën e qytetarëve, por axhendën e tyre personale, pa pasur në asnjë moment në mendje, asnjë prej jush, asnjë prej shqetësimeve që keni, asnjë prej kërkesat, vuajtjeve, pritshmërive dhe aspiratave tuaja legjitime.

Sa ishte fatura e energjisë për muajin Shkurt? Dyfish. Pse? Sepse e rriti Edi Rama për pjesën më të madhe dhe më të pamundur të shqiptarëve.

Janë ata, Edi Rama dhe Ilir Meta pas çdo mundimi, ligështie, dëshpërimi e fatkeqësie e që ka kapur pjesën më të madhe të shqiptarëve sot. Sepse nuk krijuan një vend të ri pune, por me taksat e tyre të larta e padrejtësinë e tyre mbyllën me mijëra dhe i flakën njerëzit mes katër rrugëve. Nuk bënë asnjë investim të vetëm për interesin e qytetarëve. Vetëm për xhepat e tyre të pangopur dhe korruptiv shkullën dritat që i kishin vënë para 5 vjetësh dhe i zëvëndësuan me më të shtrenjtat. Për xhepat e tyre dhe për askënd tjetër nuk kanë marrë një vendim për askënd tjetër përveçse xhepave të tyre në këto dy vite.

Kanë ofruar dhe ofrojnë vetëm burgun, errësirën dhe dhunën.

Kjo është e vërteta. Kjo është e vërteta që prek çdo shqiptar dhe jo propaganda dhe demagogjia e përjavshme në ekranet e propagandës qeverisëse.

Qytetarët, durrsakët, shqiptarët janë lënë në mes të rrugës, janë braktisur nga një qeveri që në parim duhet të jetë shërbyese në krah të tyre, por në fakt Edi Rama e Ilir Meta bëhen prezent në formën më çnjerëzore, me lakun që e shtrëngojnë dhe e shtrëngojnë, me rripin që e shtrëngojnë dhe e shtrëngojnë duke ua bërë shqiptarëve jetën më të vështirë e më të pamundur.

Dhe ndërkohë që u bëjnë këtë shqiptarëve, vetë ata, Ilir Meta dhe Edi Rama janë përfshirë në një luftë bandash me skenarë vrasjeje e eleminimi fizik mes njëri-tjetrit për pazare, hesape, afera, tendera, privatizime, për drogë e për kontroll territoresh. Këto janë arsyet e vërteta të kësaj përplasje në pallatin e pushtetit.

I akuzuari për porositjen e vrasjes së dy deputetëve, Ilir Meta, bashkëpunëtori i tij më i ngushtë Edi Rama, ia dolën që me pushtetin që kanë të manipulojnë hetimin, ta fusin procesin në hullinë e përcaktuar nga vetë ata kur skandali plasi sheshit.

Kam pasur këto ditë takime të rëndësishme dhe domethënëse me zyrtarë të lartë të Europës. Të gjithë shprehin habinë se si kryetari i kuvendit nuk dha dorëheqjen, për të lejuar hetim të plotë e të paanshëm.

E parrokshme nga mendja e tyre, që si kryetari i kuvendit me akuzën më të rëndë të 25 viteve të fundit, vazhdon të mbajë detyrën, pengon drejtësinë, përpiqet të fshehë të vërtetën.

Si në çdo përplasje bandash kriminale, banda më e fortë mbizotëron për momentin. Në këtë përplasje, Rama-Meta ia kanë dalë ti vënë përfund miqtë e tyre renegatë Doshi-Frroku, por duke lënë pas tokën e djegur.

Tokën e djegur të ligjit që u shkel me dy këmbët pasi kryeministri dhe ministri i brendshëm bashkëjetuan me krimin dhe e fshehën atë për 6 muaj.

Tokën e djegur të çdo norme demokratike, që u përdhos nga Ilir Meta i cili nuk iu përgjigj thirrjes së mbarë popullit për t’u dorëhequr e për të lejuar një hetim të besueshëm.

Por kjo miqtë e mi durrsakë, zonja dhe zotërinj e shqiptarë që na ndiqni nga mbarë vendi është vetëm lavdia e përkohshme e të keqes.

Ata mund ta kontrollojnë hetimin e ta diktojnë atë, por nuk e fshehin dot të vërtetën. Kjo çështje nuk ka për t’u mbyllur. Ky skandal nuk është punë private e bandave e pushtetit të lidhur me to. Kjo është prova më e madhe për vendin dhe për shqiptarët.

Për dyshen Rama-Meta qytetarët nuk ekzistojnë. Dyshja Rama-Meta nuk ka sy t’ju shohë, nuk ka vesh t’ju dëgjojë. Dyshja Rama-Meta nuk iu ka në hesap. Dyshja Rama-Meta nuk i fut në hesap qytetarët. Por e ka gabim, e ka shumë gabim se qytetarët janë në këmbë. Durrësi është në këmbë. Shqipëria është në këmbë bashkë me opozitën dhe Partinë Demokratike.

E vërteta e madhe, që shqiptarët e panë dhe e dëgjuan me sytë e tyre, nuk fshihet dot. Kjo është e vërteta që sado të përpiqen Ilir Meta dhe Edi Rama, çdo shqiptar e di. E vërteta se krimi qëndron në rrënjët e tyre, se krimi është në krah të tyre, se krimi është në zyrat e tyre, krimi është mentori dhe bosi i tyre.

A ka shqiptar sot, a ka burra dhe gra, të rinj e të reja, prindër e kryefamiljarë, në këtë shesh, në Durrës, në Kavajë, në Shijak e kudo, që janë gati t’ua lënë vendin në dorë këtyre oligarkëve të paskrupullt që këmbejnë çdo gjë, demokracinë, shtetin ligjor, drejtësinë, të ardhmen tonë e të fëmijëve tanë, vetëm dhe vetëm për karriget e tyre, për privilegjet e tyre, për pasuritë që po i shtojnë çdo ditë në kurriz të shqiptarëve që varfërohen çdo ditë ?!

A është kush gati në këtë shesh, në këtë qytet dhe në këtë vend, ti lerë këta zullumqarë të verbër për të parë e të shurdhër për të dëgjuar, ta çojnë deri në fund mbrapshtinë e tyre?!

Jo. Unë them jo. Partia Demokratike thotë jo. Opozita thotë jo. Durrësi thotë jo. Shqiptaria thotë jo.

Vetëm një bashkim si ky i sotmi, do t’i presë udhën kësaj dyshe zullumi dhe skotës së tyre që i kanë zënë frymën shqiptarëve.

Do ti presë udhën dyshes Rama Meta që prish shtëpitë dhe dyqanet e të pamundurve që mbajnë familjet me to, por lejojnë gradaçelën e mikut në rërën e plazhit, si simboli i korrupsionit këtu në Durrës.

Dyshes Rama-Meta do t’ia presim rrugën. Dyshes që fut në burg të papunët, të varfërit, të vobektit që s’kanë mundësi të paguajnë faturat abuzive dhe lë zona të tëra në errësirë për muaj me radhë, si këtu në Durrës, por furnizon çdo ditë deputetin e tyre, debitor me 205 milionë lekë, sepse në krye ka një super të korruptuar si Çela i korrupsionit që e ka vendin në burg dhe jo në krye të OSHEE-së.

Bashkimi ynë do t’i presë udhën kësaj dysheje që i thyen këmbë e brinjë Shpëtim Abazit dhe qytetarëve që s’kanë patur kurrë probleme me ligjin, ndërsa saluton dhe bën ortakëri me bandat më të rrezikshme në vend.

Vetëm ky bashkim, ky bashkim i madh dhe i fuqishëm si sot këtu në Durrës do ti presë rrugën metastazave që po çojnë drejt akteve ekstreme vetëflijuese bashkëqytetarët tanë, shpresë-humbur para arrogancës dhe korrupsionit galopant të zyrave të qeverisë.

Vetëm një bashkim, një bashkim i madh si ky në Durrës, si ai i 12 marsit në Tiranë, dhe në çdo qytet tjetër në ditët e ardhshme për të kulmuar sërish në Tiranë, vetëm një bashkim kombëtar do t’i hapë rrugën e do të mundësojë dekriminalizimin e vertetë që fillon nga koka e përfundon te kembët e krimit.

Durrsakë, vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj,

Ju jeni në këmbë, shqiptarët janë në këmbë, revolta dhe zemërimi, mbjellë nga keqqeverisja e kësaj dyshe, e rritur nga shtimi i zullumit të kësaj dyshe, është në çdo vatër, dhe zgjidhja do të vijë nga revolta e drejtë dhe paqësore e shqiptarve.

Vendi ka nevojë për një ofertë të re.

Unë ju jap fjalën se Partia Demokratike e ka gati ofertën e re.

Ajo është ngjizur mes jush, vjen prej jush dhe do të zbatohet për ju, qytetarë të Durrësit dhe mbarë Shqipërisë.

Oferta e re e Partisë Demokratike do të ulë taksat, do të ulë çmimin e energjisë dhe të karburantit, do të krijojë vende pune. Oferta e re do të rrisë pagat e pensionet.

Oferta e re do të sjellë një qeveri që ndihmon jo një qeveri që godet qytetarët.

Qytetarët që kontrollojnë qeverinë dhe jo qeveri që dhunon qytetarët.

Të shporrim nga zyrat banditët e kriminelët që kanë zaptuar administratën dhe njohin vetëm gjuhën e dhunës, rryshfetit, dhe do të sjellim në krye më të mirët e bijve dhe bijave të Durrësit.

Durrësi ka qindra qytetarë të zotë, të shkolluar, me dinjitet, që do të marrin fatin e qytetit në duar.

Ka mijëra Shqipëria, prej bijve dhe bijave tona më të mira, të edukuar e të shkëlqyer në rezultatet e tyre, që janë sot në hije prej kohës dhe pushtetit të maskarenjve, por që do të marrin vendin që meritojnë.

Me ju dhe me më të mirët e bijve dhe bijave të Shqipërisë do t’i ndalim.

Për të shërbyer, për ta çuar Durrësin dhe Shqipërinë në Europë.

Për të mos ndalur ëndrrën tonë.

Ora e votës po vjen. Ora e llogarisë po vjen. Ora e drejtësisë po vjen.

Rroftë Durrësi!

Rroftë Shqipëria!


Fjala e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, 21 Mars 2015