Fjala e Kryetarit të Partisë Demokratike dhe Kryeministrit të vendit zotit Sali Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së.
“Zonja dhe zotërinj deputetë,
Është kënaqësi për mua që fjalën time para jush ta filloj me një lajm shumë pozitiv. Eksportet e Shqipërisë, treguesi më i ndjeshëm i shëndetit të ekonomisë shqiptare, për muajin shkurt 2010 duke i krahasuar me muajin shkurt të vitit 2009 kanë një rritje në ton. Nga 83 mijë ton në vitin 2009 në 129 mijë ton në shkurtin e vitit 2010. Rritja në vlerë është shumë më e madhe. Në rast se eksportet e shkurtit të vitit 2009 kanë qenë gjithsej 2.2 miliardë lekë, eksportet e shkurtit të vitit 2010 janë 4.5 miliardë lekë. Është një rritje mbi 100 për qind. Këtu bëhet fjalë për mallrat “Made in Albania”.
Një bilanc qartësisht më pozitiv se sa shkurti i vitit 2009, por për hir të së vërtetës edhe më pozitiv se sa janari i vitit 2009, paraqesin eksporti i mallrave të përpunuara, rieksporti i mallrave të përpunuara apo fason. Këto mallra nga 6.4 tonë që kanë qenë në vitin 2009 arrin në 15 mijë në shkurtin e vitit 2010. Në vlerë nga 5.2 miliardë lekë arrin në 6.7 miliardë lekë. Ky sektor, me një rritje prej 27-28 për qind, është ndoshta një nga sektorët më të rëndësishëm për punësimin e qytetarëve shqiptarë. Jua dhashë këto të dhëna si lajme jashtëzakonisht pozitive për ekonominë dhe trendin e saj. Gjithashtu, jua dhashë këto të dhëna me qëllimin më të mirë që ata të cilit flasin për krizë t’i heqin syzet e krizës apo të ndërrojnë lentet dhe të lexojnë realitetin ashtu siç është. Një realitet i tillë është ndër më pozitivët, sepse të arrish të dyfishosh vlerën e eksportit nga viti 2009 në vitin 2010 përbën një arritje shumë të madhe. Të rrisësh rieksportet do të thotë se brendet tona janë jashtëzakonisht të vlerësuara, sepse Evropa ku ne eksportojmë nuk ka dalë tërësisht nga kriza, nuk është se ajo është në kapacitetet e saj maksimale të importeve. Kjo do të thotë se prodhimet tona kapin cilësia të parefuzueshme. Kjo është arsyeja që ka një rritje të mrekullueshme prej 27 – 28 për qind të rieksporteve.
###
Siç jeni në dijeni, Partia Socialiste ka sjellë në Parlament dy nisma legjitime parlamentare. Njëra është ligjore dhe tjetra është për ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar në përputhje me nenin 77 të Kushtetutës, në përputhje me të drejtën që kanë dhe me ligjin për Komisionet Hetimore Parlamentare. Këto nisma do të trajtohen me seriozitetin më të madh, me angazhimin më të madh, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Mesa di unë, Kryetarja e Parlamentit do të njoftonte udhëheqësin e Partisë Socialiste për këtë.
Gjatë këtyre ditëve, siç edhe e dëgjuat, unë përshëndeta dhe të gjithë e përshëndetët hyrjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste në Parlament, por në media, në mënyrë të përsëritur, janë hedhur akuza nga eksponentë socialistë, të cilët thonë se hymë pa marrëveshje në Parlament, sepse Berisha nuk ofroi marrëveshje.
Për dy arsye unë do të bëj disa sqarime. Arsyeja e parë është se këto janë akuza të pabaza dhe arsyeja e dytë është se në konceptin tim qytetarët duhet të dinë se çfarë diskutohet pas dyerve të mbyllura. Dyert e mbyllura janë të nevojshme për bisedime, por edhe transparenca ka domosdoshmërinë e saj meqenëse diskutohej për probleme me interes të madh publik dhe jo për probleme personale. Në takimet me Presidentin e Republikës kam shkuar me vendimin më të prerë për kontribuar në suksesin e tryezës. Thelbi i qëndrimeve që ne kemi mbajtur në atë tryezë ka qenë: ne jemi të gatshëm për çdo koncesion që ka të bëjë me zgjedhjet. Pra, listo çdo gjë përveç problemeve që nuk kanë të bëjnë me ne. Ato probleme nuk i kanë me ne, janë probleme me gjykatat. Nuk e konsideroj se mund të jetë në dorën tonë. Një mik i shquar dhe një personalitet i shquar në Evropë do të më thoshte se të mendosh të kapësh në dorë vendimet e gjykatave është njësoj sikur të kapësh në dorë demokracinë, por demokracia nuk kapet me dorë. Ky ka qenë qëndrimi im në takimin tri lateral apo bilateral me Presidentin e Republikës.
Një përpjekje shumë të madhe dhe shumë pozitive bëri Komiteti Presidencial i Këshillit të Evropës. Komiteti Presidencial i Asamblesë së Këshillit të Evropës punoi në mënyrën më intensive. Pasi takuan të gjitha palët, ata kërkuan jashtë axhendës një takim të përbashkët në praninë e Presidentit të Republikës dhe të dy palët e pranuam.
Si Komitetit Presidencial, ashtu edhe ndërmjetësit e mëparshëm, të një profili të lartë, u është dukur shumë i arsyeshëm dhe është pranuar nga unë qëndrimi që të gjitha problemet që zoti Rama ka me fakte dhe prova dhe që implikojnë në një mënyrë ose në një tjetër hapjen e kutive, t’ia adresojë Prokurorisë së Shtetit, e cila në Shqipëri nuk është degë e Ekzekutivit. Dhe Prokuroria e Shtetit, ka të gjitha të drejtat ligjore për të ushtruar të gjitha kompetencat, të cilat ajo mendon se i duhen për të kompletuar hetimin. Kjo pranohej nga unë si koncesion, pavarësisht se ka skaduar çdo afat për hetimin ligjor të këtyre zgjedhjeve. Por unë e pranoj plotësisht. Natyrisht, kjo nuk u pranua nga zoti Rama. Ndaj dhe në qoftë se nuk pati marrëveshje, nuk ishte për shkakun tim. Tani duhet të jemi të hapur, në tryezë u shtrua opsioni tjetër, sepse çfarë doli e qartë si kristal, ishte kjo: kërkesa për hapjen e kutive nuk mund të plotësohet pa procedura kushtetuese, në respekt me vendimet e Kushtetutës. Kjo ishte shumë e qartë. Këtë e thotë Zhao Suarez kur thotë “në përputhje me vendimet kryesore të Gjykatës Kushtetuese”; këtë e thotë rezoluta e Asamblesë Parlamentare e Këshillit të Evropës, kur i referohet vendimeve të Gjykatës Kushtetuese; këtë e thotë çdo njeri që i beson kushtetutave demokratike dhe shtetit ligjor. Kjo nuk ka asnjë lloj mëdyshje.
Në tryezë u shtrua propozimi tjetër, të cilin mediat e kanë bërë publike me dhjetra herë, por unë po ua them se duhet ta dini. Por ku ishte kundërshtia këtu? Zoti Rama e quan të mirëfilltë dhe të pakundërshtueshëm interpretimin që ai i bën vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ai e lexon vendimin në një mënyrë të atillë që i jep 100 për qind të drejtë të hetojë pa asnjë kufizim. Mu drejtua ç’është e vërteta jo pak, por dy-tri herë. “Më gjej t’i ku vendimi citon gjykatën” dhe u detyrova të marr vendimin, t’i lexoj paragrafin ku thotë: “se pakica ka të drejtë të pakufizuar me kushtin që të mos cenojë parimet bazë të Kushtetutës; se ka të drejtë, por të mos ndërhyjë, paragrafi tjetër, në aktivitetin juridiksional të gjykatave”. Gjykatat nuk janë për këngë, gjykatat janë për të dhënë vendime, gjykatat këtë aktivitet kanë. Pasi ia lexova, pati një ndërhyrje për mendimin tim logjike nga ana presidentit të Republikës, i cili i rikujtoi vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe i kujtoi se Gjykata Kushtetuese është garanti i Kushtetutës në Shqipëri. Shpesh bëhen citime të gabuara, por në të vërtetë në Kushtetutën e Shqipërisë, garanti i Kushtetutës është përcaktuar Gjykata Kushtetuese dhe për këtë vendimi ekziston. Atëherë u sugjerua dhe unë u shpreha i gatshëm që gjykata, në vullnetin e saj të pavarur, sepse nuk mund t’i imponohet absolutisht, t’i kërkoja një “amicus curiae” Komisionit të Venecias. Por përderisa ekziston një vendim gjykate, nuk mundet qeveria në asnjë lloj rrethane, që të nisë betejën me gjykatën e vet kushtetuese. Qeveria është e detyruar që të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Se po të jetë për kështu, atë zinxhirin që përmend zoti Rama të atyre vendimeve, do t’i kishim çuar të gjithë në instancat ndërkombëtare, por nuk kemi dërguar asnjë, dhe i kemi pranuar.
Kjo nuk u pranua, prandaj dhe po bëj një sqarim për të gjithë shqiptarët, një sqarim për socialistët, se në rast se ata hynë në parlament pa marrëveshje, jo se unë nuk dëshmova një vullnet të plotë për marrëveshjen. E dëshmova edhe e dëshmoj, se pavarësisht se çfarë mund të mendojë ndokush unë jam thellësisht, jashtëzakonisht i interesuar që opozita të jetë në parlament. Ndaj edhe u detyrova që të bëja këtë sqarim, si rrjedhim i akuzave të pabazuara, se në u futëm në parlament pa marrëveshje, se u Berisha nuk ofroi. Berisha ofroi, Berisha ra dakord me ato sugjerime që u bënë nga ndërkombëtarë, nga ata që m’u kërkuan. Sa për dijeninë tuaj, pa shkuar në tryezën e presidentit m’u kërkua: A do të pranoje ti një të tillë për prokurorinë? Pa asnjë hezitim dhe pa asnjë kusht, jam shprehur. Aty në tryezë u shtrua: A pranoni që t’i drejtoheni Venecias? Pa diskutim pranoj, nuk kam asnjë lloj problemi. Por natyrisht sipas procedurave. Nuk mund që qeveria t’i drejtohet Komisionit të Venecias për vendimet e Gjykatës së vet. Kjo nuk ndodh, pa miratimin e gjykatës. Ka një vendim gjykate dhe duhet ta bëjmë të qartë këtë pasi, nuk duhet shkuar me mendimin si të krijojmë blloqe përpara. Dëshmi e kësaj është se qeveria nuk është ankuar në Venecia për asnjë vendim të Gjykatës Kushtetues gjer më sot. As nuk do të ankohet për sa kohë të jetë në pushtet kjo qeveri, do të respektohen të gjitha vendimet, pasi kështu është ndarë, kështu është përcaktuar. Ky është kuadri i pavarësisë së gjyqësorit. Ky është thelbi i saj, nuk merret pavarësia e gjyqësorit nga qeveria, nuk cenohet, respektohet. Unë këto kisha. Uroj dhe shpresoj që opozita të jetë e pranishme në të gjitha komisionet, në seancën parlamentare, ku do të trajtohen me seriozitetin më të madh propozimet e saj, si projektligji ashtu edhe vendimi”.