Archive for 2009

Mblidhet grupi i ri parlamentar i Partisë Demokratike

07/09/2009

Nën drejtimi e Kryeministrit Berisha, u mblodh sot grupi i ri parlamentar i Partisë Demokratike, i dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit.

Fjala e Kryeministrit Berisha, mbajtur gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike;

Zonja deputete,

Zotërinj deputetë,

Së pari, dëshiroj t’ju përcjell urimin më të përzemërt, falënderimin më të sinqertë, për zgjedhjen tuaj nga qytetarët shqiptarë si përfaqësues të tyre në Kuvendin e Shqipërisë dhe për kontributin tuaj në fitoren e koalicionit Aleanca e Ndryshimit, fitore kjo e një rëndësie shumë të madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Por, unë nuk mund të mos shpreh edhe një kënaqësi të veçantë. Kam bindjen se institucioni themelor i shtetit, Parlamenti i Shqipërisë, ka sot përfaqësuesit më dinjitoz dhe ka përbërjen më të mirë në tërë historinë e tij të pluralizmit politik. Edhe kjo është një arritje madhore. Në këtë Parlament ulen sërish personalitete të shquara të Partisë Demokratike, të cilët në vite, disa prej tyre që nga themelimi dhe disa të tjerë më vonë, kanë luajtur një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në përpjekjet e mëdha të kësaj force politike për konsolidimin dhe vendosjen e demokracisë së bazuar në vlerat e tregut, integrimin e Shqipërisë në institucionet euroatlantike dhe evropiane. Por, sot në këtë Parlament ulen edhe personalitete të tjera, të cilët nuk kanë qenë deputetë, por jam dëshmitar i kontributit të tyre shumë të madh në ato reforma, të cilat u shndërruan në faktorin më kryesor të ndryshimit të Shqipërisë.

Unë dua të falënderoj edhe një herë të gjithë deputetët e legjislaturës që kaloi, por  edhe ata, që, për një arsye apo për një tjetër, nuk janë sot midis nesh si deputetë, për kontributin e jashtëzakonshëm që dhanë në miratimin e qindra e qindra ligjeve dhe marrëveshjeve, të cila përbëjnë bazën e infrastrukturës ligjore të reformave të mëdha të mazhorancës tonë.

Dëshiroj të falënderoj Parlamentin dhe parlamentarët e legjislaturës që shkoi për dimensionin e diplomacisë parlamentare, e cila mori zhvillimin më të fuqishëm në tërë historinë e këtij Parlamenti. Dëshiroj të falënderoj të gjithë ata zyrtarë, të cilët, duke mos qenë anëtarë të Parlamentit, por që sot janë këtu ose janë në detyra të tjera, dhanë një kontribut shumë të madh në reformat e katër viteve që shkuan. Puna, mundi dhe djersa e tyre bëri që ne të nisim sot punën si një grup parlamentar, si një mazhorancë e një vendi anëtar të NATO-s; bëri që sot të nisim punën si mazhorancë e një vendi që firmosi Marrëveshjen e Stabilizim Asoccimit, që përfundoi me sukses ratifikimin e plotë të saj dhe që ka paraqitur, me mirëkuptim, kërkesën për statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian dhe që pret me të drejtë vendimet për heqjen e plotë të vizave me vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Ne nisim sot punën pasi Shqipëria është çliruar nga kthetrat e bandave dhe klaneve kriminale, si dhe ka vendosur treguesit e kriminalitetit nën mesataren e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Ne nisim sot punën pasi Shqipëria, e cila dergjej në kënetën e një megakorrupsioni dhe informaliteti të paimagjinueshëm, u shpall kampione për reformat e saj në luftën kundër korrupsionit. Ne nisim sot punën pasi një revolucion fiskal u faktua absolutisht si më i suksesshmi që mund të jetë faktuar ndonjëherë në ndonjë vend tjetër.

Të nderuar deputetë,

Viti 2009 ka një buxhet pothuajse të dyfishtë duke e krahasuar me atë të vitit 2004. Sot, ne nisim punën pasi Shqipëria, më e papërfillshmja në Evropë dhe në rajon për investimet e huaja, ka realizuar një ecje të shpejtë përpara dhe vetëm vitin që kaloi ka firmosur miliarda euro kontrata me biznese të mëdha ndërkombëtare. Ne nisim punën, pasi në të gjitha fushat kemi arritur disa nga standardet bazë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Në arsim, nga një vend me 12 studentë për 1000 banorë, ne kemi sot 30 studentë për 1000 banorë dhe këtë vit mund t’i afrohemi shifrës 40 studentë për 1000 banorë. Është rritur në mënyrë të ndjeshme rekrutimi i nxënësve nga shkollat e mesme në universitete, ka arritur në 39 për qind. Ne nisim sot punën, pasi kemi hedhur shinat e një reforme të sigurt në sistemin shëndetësor. Ne nisim sot punën pasi kemi bindur dhe u kemi faktuar fermerëve shqiptarë se për këtë parti, për këtë forcë politike dhe qeverinë e saj, ju jeni dhe do të mbeteni përparësi, sepse pa zhvillim të qëndrueshëm rural nuk mund të ketë Shqipëri të zhvilluar.

Ne nisim sot punën pasi një ëndërr kombëtare e prekim si realitet. Kosova e pavarur është sfidë dhe vepër e qytetarëve të Kosovës dhe lidershipit të saj. Por, ne e bëmë me vendosmëri atë ç’ka na takonte. Ne nisim sot punën pasi kemi realizuar edhe një ëndërr tjetër, korridorin e kombit, i cili ka qenë një ëndërr e hershme e shqiptarëve dhe sot është realitet. E tërë infrastruktura e vendit është në rindërtim e sipër.

U ndala në këto çështje për të shprehur edhe një herë mirënjohjen më të thellë ndaj deputetëve të legjislaturës së kaluar dhe ndaj zyrtarëve të të gjitha niveleve të Administratës së këtij vendi. Por, më duhet të theksoj se ndonëse stacioni nga i cili ne nisim sot punën është shumë herë më lart dhe i vendosur në një horizont krejt tjetër, krahasuar me atë të katër viteve më parë, orbita në të cilën ne jemi të vendosur ka një hapësirë shumë më të madhe dhe horizonti që duhet të kapim këto katër vite është mjaft më e lartë. Vështirësitë që duhet të përballemi janë të mëdha.

Për ne dhe për mbarë shqiptarët, projekti më kompleks, më i vështirë, më i bukur, projekti i integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, ëndrra evropiane është thelbi i idealit të tyre. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian përbën të ardhmen më të shkëlqyer për Shqipërinë dhe shqiptarët. Bashkimi Evropian e ka transformuar Evropën, kontinentin e luftërave, të konflikteve të egra dhe padrejtësive më të mëdha, në një mrekulli të vërtetë të të gjitha kohërave, në një mrekulli në të cilën është përpjekja më e madhe në historinë e këtij kontinenti që fakultetet e mira mendore të individit dhe të shoqërive, vlerat më të arrira, të konsolidohen dhe të udhëheqin. Në këtë kontekst, kombi shqiptar e ka jetike procesin e integrimin në Bashkimin Evropian. Ne e marrim atë si një proces të bazuar mbi meritën. Në këtë drejtim duhet të bëjmë përpjekjet më të mëdha, më serioze dhe reformat më të thella, në mënyrë që t’u ofrojmë qytetarëve shqiptarë ato standarde, ato norma dhe ato praktika që gëzojnë qytetarët e vendeve të zhvilluara të Bashkimit Evropian.

Ne duhet jo të ecim, por të vrapojmë, sepse ne jemi kohëhumbur. Starti ynë 20 vite më parë ka qenë së paku 250 vjet larg aquive evropiane. Ne nuk mund të rrimë, por duhet të vrapojmë të kapim dhe të shkurtojmë distancat. Ndaj dhe katër vitet që vijnë janë vite të mundësive të mëdha për ju dhe për mua. Katër vitet që vijnë janë, gjithashtu,  vitet e shanseve dhe kërkesave më të mëdha. Unë kam besimin më të madh se së bashku do të jemi në lartësinë e pritshmërisë së ligjshme të qytetarëve shqiptarë. Së bashku, në këtë koalicion që krijuam dhe që është koalicioni më i gjerë në historinë e këtij vendi, në kuptimin e kushteve dhe rrethanave në të cilat është krijuar, ne do të procedojmë me reformat më të thella dhe do të realizojmë për shqiptarët atë që ata meritojnë. Ne do të formësojmë Shqipërinë evropiane, të përgatitur me seriozitetin më të madh për verdiktin përfundimtar të vendeve  anëtare të Bashkimit Evropian. Sigurisht që procesi i anëtarësimit është një proces kompleks, por detyra jonë është të përpiqemi me seriozitetin më të madh për të gjitha detyrimet që na takojnë.

Ky parlament nis punën pas një procesi zgjedhor, i cili në sytë dhe mendjen e çdo shqiptari ka qenë më i miri në historinë e këtij vendi. Ky proces ka qenë më i miri, sepse në këto zgjedhje nuk pati as edhe një problem të vetëm me listat e zgjedhësve, problem kryesor  ky në zgjedhjet pararendëse. Në këtë proces nuk pati as edhe një problem të vetëm me identitetin e zgjedhësve. Së bashku me opozitën, votuam Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Kodin Zgjedhor. Ishte opozita ajo që përzgjodhi sistemin zgjedhor. Dua t’ju them juve këtu se për sa kohë që do të jem në pushtet, unë, Sali Berisha, do t’i njoh të drejtën opozitës të zgjedhë dhe rizgjedhë cilindo sistem zgjedhor që të dojë, përveç sistemit të Dushkut, sepse ai na turpëron. Sikundër, mbetem i vendosur për ndryshimet respektive në kuadrin zgjedhor, për të hequr çdo lloj persekutimi me ligj të forcave të tjera politike.

Unë, publikisht, kam qenë për këtë dhe sërish jam për këtë. Këto zgjedhje kanë qenë zgjedhjet e para në historinë e këtij vendi, në të cilat mbi 20 mijë komisionerë kanë firmosur në çdo procesverbal. Këto kanë qenë zgjedhje në të cilat të gjithë numëruesit e vendit kanë firmosur në çdo procesverbal, përveç se në 14 qendra votimi. Nuk ka shkallë më të lartë përgjegjësie ligjore se sa përgjegjësia që kanë dëshmuar komisonerët e të gjitha forcave politike në këtë proces zgjedhor. Këto janë zgjedhjet e para ku u filmua dhe u fotografua çdo votë e numëruar. Ky është standardi shqiptar i zgjedhjeve.

Fillimisht i parë me skepticizëm, por faktikisht u dëshmua si një proces i pazëvendësueshëm në vendet ku bëhen diskutimet  për zgjedhjet. Zoti Rama numëroi dhe rinumëroi Beratin dhe gjeti aty zero argument dhe provë për t’ua paraqitur Komisionit Qendror të Zgjedhjeve apo Gjykatës. Edhe ne numëruam në një pjesë, por gjetëm zero argumente për t‘ia paraqitur ndokujt. Kjo është në të mirën e madhe të atyre që menaxhuan këtë proces. Ankesat paszgjedhore ishin më të pakta, 18 gjithsej.  Dhe, ajo që nderon mandatet tuaja sot është se secili prej jush ka marrë një mandat të votuar nga të gjithë anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, 7 me 0. Unë do të shpreh vlerësimin tim më të madh për arritjen e këtij institucioni, për herë të parë në historinë e vendit, pavarësisht kundërshtive, të cilat janë normale, por në gjykimin e fundit që të gjithë përgjegjës para ligjit. 

Pas rënies në krye të detyrës të katër inspektorëve të shkëlqyer të Policisë së Shtetit, zoti  Rama mendoi se kjo e paraqet Shqipërinë vendin e kriminalitetit më të lartë në Evropë apo në botë, por harroi se kjo paraqiste zero tolerancën, pavarësisht nga çmimi i kësaj qeverie, ndaj krimit. Lexoi gabim dhe u lëshua në një qëndrim, duke abuzuar çdo ditë lirimin e të burgosurve. Edhe një herë dua t’ju theksoi se çdo provë që të ketë për secilin nga të liruarit, ta paraqesë para Gjykatës dhe në mbahet qëndrimi më i rreptë. Por, në të gjithë dijeninë tonë ka pasur vetëm një rast,  kur njëri prej tyre u shndërrua në bodiguard, i armatosur, të një eksponenti të Partisë Socialiste dhe shkoi atje ku duhej. Të përdorësh mendësinë e vjetër ndaj atyre që vuajnë dënimin, nuk është as trimëri dhe as burrëri. Për atë që kanë kryer, ata kanë marrë një dënim, por Kushtetuta e këtij vendi dhe ligjet e tij nuk i kanë hequr atyre të drejtën e votimit. Ata votojnë në mënyrë të vazhdueshme dhe lejohen e do të lejohen për të shkuar me leje në shtëpitë e tyre. Ky është standard i një vendi demokratik. Ndaj, për ta mbyllur këtë kapitull, uroj dhe shpresoj që Partia Socialiste të zërë vendet e veta në Parlament.

Unë e garantoj opozitën se do të bashkëpunojmë me frymë të hapur, konstruktive, se zëri i saj do të dëgjohet dhe se, së bashku me mazhorancën, ajo do të jetë bashkëautore e reformave të mëdha që do të çojnë Shqipërinë me shpejtësi drejt Bashkimit Evropian.

Zotërinj deputetë,

Tri ditë më parë, si Kryeministër dhe kryetar i kësaj mazhorance, firmosa koalicionin me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Dua të jem i hapur me ju, unë e kam mirëpritur shumë këtë koalicion, sepse së pari, ky ishte koalicion i firmosur nga sovrani; së dyti, ky ishte një koalicion në të cilin do të gjej veten spektri më i gjerë i qytetareve shqiptarë dhe së treti kjo forcë politike ka në mënyrë të padiskutueshme njerëz të aftë, me eksperiencë dhe të dobishëm për vendin. Në këtë kontekst, kam bindjen më të madhe se koalicioni i krijuar me Lëvizjen Socialiste për Integrim do t’i shërbejë qëllimit tonë më madhor, afrimit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Programet janë plotësisht të përputhshme. Qëllimi kryesor është integrimi. Aspekti social është aspekti që unë kam më shumë për zemër dhe që do të merrem me intensitetin më të madh.  Ne hymë në këto zgjedhje me një koalicion të përbërë nga 17 forca politike.   Unë dua të garantoj secilin prej tyre se Partia Demokratike është e vendosur të qeverisë me ta dhe në  proporcion me kontributin dhe me koncesion të kësaj partie, sepse i madhi lëshon, ata do të jenë pjesë e qeverisjes dhe së bashku si koalicion do të shkojmë në zgjedhjet vendore të vitit 2011 dhe në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013.

Dua ta mbyll duke ju informuar se unë, së shpejti, do të paraqes kabinetin qeverisës para jush dhe qytetarëve shqiptarë. Gjatë karrierës time politike kam krijuar kabinete, por kësaj here përzgjedhjen e kam më të vështirë se asnjë herë tjetër. Kurrë ndonjëherë më parë nuk kam pasur personalitete kaq të shumta, të cilat meritojnë plotësisht të ulen në karrigen e ministrit. Por, natyrisht, kërkoj mirëkuptimin e gjithsecilit, sepse ato janë gjithsej 14 vende, një pjesë janë të koalicionit dhe pjesa që i mbetet Partisë Demokratike nuk do të mjaftonte as për 1/5, apo edhe më shumë, e atyre që meritonin të uleshin në ato poste.

Natyrisht, duke e shprehur këtë në mënyrën me të sinqertë, dua t’ju rikujtoj se nuk ka shans më të madh në karrierën politike të një njeriu se sa qenia në Parlament. Po të më pyesni, ky është shansi absolut i një njeriu. Në Parlament, më mirë se kudo, zhvillohet personaliteti politik i njeriut, zhvillohet oratoria dhe, të jemi realist, oratoria i duhet politikës. Në Greqinë e lashtë, ata që se kanë pasur këtë, bënin ushtrime në bregdet për ta rifituar. Nuk ka platformë më ‘auguste’, më dinjitoze, më  të përgjegjshme dhe më të lartë se ajo e Parlamentit për të paraqitur mendimet tuaja. Por, nuk ka vend më dinjitoz dhe nuk ka universitet më serioz se sa Parlamenti për të bërë ligjet, për të fituar kulturën ligjbërëse dhe ligjvënëse.

Zotërinj deputetë,

Dua ta mbyll këtë fjalë duke rikujtuar se në historinë e Parlamenteve janë më të shumtë deputetët që ia kanë dalë të skaliten në muret e tij për kontributet e mëdha, se sa anëtarët e ekzekutivit me veprat e tyre, sepse historia botërore është histori legjislacioni. Ndaj, ftesa ime është të bashkëpunojmë ngushtësisht, të shfrytëzojmë këtë shans dhe mundësi të madhe që na dha sovrani për të qëndruar në lartësinë e tempullit ku ulemi sot.

Faleminderit!”

Kryeministri dhe Kryetari i Partisë Demokratike, zoti Sali Berisha nënshkruan me Kryetarin e Partisë Republikane, marrëveshjen për koalicionin e ri qeverisës

07/09/2009

Sot, Kryeministri dhe Kryetari i Partisë Demokratike zoti Sali Berisha nënshkroi me  kryetarin e Partisë Republikane, zotin Fatmir Mediu, marrëveshjen  për koalicionin e ri qeverisës.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Kryeministri Berisha u shpreh për mediat e pranishme:

“Një marrëveshje u nënshkrua pak muaj më parë në këtë sallë me Partinë Republikane, aleatin më konstant dhe më të hershëm të Partisë Demokratike në këto 19 vite. Partia Republikane themeluar fill pas themelimit te PD-së, që nga ajo kohë deri më sot ka qenë aleati më i ngushte dhe më kryesor i Partisë Demokratike, në të gjitha  përpjekjet,  për mbrojtjen dhe konsolidimin e vlerave të shtetit ligjor dhe ekonomisë së tregut në Shqipëri.

Sot, ne kurorëzojmë marrëveshjen e nënshkruar pak muaj më parë me një marrëveshje të re, me të cilin ne siç ishim zotuar përcaktojmë rregullat e bashkëqeverisjes gjatë këtij mandati. Partia Republikane është një parti e cila ka promovuar në të gjithë ekzistencën e saj, një çështje të madhe për Shqipërinë  dhe shqiptarët, një çështje që qëndron në themel të sistemit demokratik siç është e drejta e pronës.

Partia Demokratike është partia që bëri shqiptarët pronarë dhe mbetet e vendosur të bashkëpunojë ngushtë me Partinë Republikane për reformën më të drejtë , më të ndershme të pronësisë dhe në kohën më të shkurtër. Të dy partitë tona kanë në themel idealin e tyre  ideal dhe evropian të qytetarëve shqiptarë.

Partia Republikane ka dhënë një kontribut të pamohueshëm , shumë të rëndësishëm për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Jam i bindur se anëtarësimi i Shqipërisë në BE është qëllim i përbashkët i dy forcave tona politike , prandaj dhe kjo qeveri quhet qeveri e integrimit evropian të Shqipërisë, proces ky jetik të shndërrimit në realitet të një ëndrre të shqiptarëve.

Unë jam i bindur se të gjitha shtyllat kryesore , programore të dy partive janë në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë, ndaj dhe në një marrëveshje që sapo firmosëm ne përcaktojmë të gjitha fushat e bashkëpunimit, nga reforma institucionale, ajo  pronësore, tek lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, tek reformat e gjithanshme për të përgatitur Shqipërinë për anëtarësim në BE. Sikundër kjo marrëveshje përcakton që PR do të ketë me kabinetin e ardhshëm ministritë e mjedisit, pyjeve  dhe ujërave  dhe dy zëvendësministra. Do të ketë një përfaqësim proporcional në të gjitha nivelet  e pushtetit. Marrëveshja përcakton që problematikat dhe votimet e ardhshme për institucionet kushtetuese do të jenë konsensuale.