Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, njëkohësisht Kryeministër, z Sali Berisha ftoi Lëvizjen Socialiste për Integrim të bëhet pjesë e koalicionit të ri qeverisës për të drejtuar së bashku vendin drejt integrimit në Bashkimin Europian.
”Jam këtu për të ftuar publikisht Lëvizjen Socialiste për Integrim për të krijuar së bashku një qeveri të re që do të mund ta quanim qeveri e integrimit të vendit në Bashkimin Europian.
Siç deklarova dy ditë më parë, sovrani na dhuroi fitoren, por diktoi koalicion. Nga partitë me të cilat programet janë më afër është LSI.
LSI në programin e saj ka si yll polar integrimin e Shqipërisë në BE. LSI në programin e saj ka punësimin si kryefjalë të reformave dhe përpjekjeve të saj. LSI-në e ftoj gjithashtu me bindjen time se kjo nuk ka të bëjë me shifrat në parlament, por ka të bëjë me faktin se ajo është një përfaqësuese dinjitoze e spektrit të majtë.
Në fakt kjo parti, siç e di çdo shqiptar, në dy zgjedhjet e fundit ka qenë objekt real i një persekutimi të pamerituar ligjior, i një trysnie jo demokratike. Fatmirësisht aspak të lidhura me Partinë Demokratike, e cila është parti që nuk bazon qëndrimet e saj në eliminime dhe trysnira, por në qëndrime ligjore dhe parimore.
Nuk jemi ne që e demtuam atë përmës “Dushkut” në 2005. Nuk jemi ne që imponuam grevën e urisë. Jeni dëshmitarë që kam bërë thirrje të përsëritur në atë periudhë, që të gjendet gjuha e përfshirjes dhe jo e perjashtimit.
Në këtë kontekst shpreh kënaqësinë që ato rreth 47 % të votave që sovrani i ka dhënë Koalicionit të parë, i shtohen tani edhe rreth 6 % të votave, tërësisht të spektrit të majtë dhe faktisht ky Koalicion fiton një bazë elektorale edhe më të gjerë sesa Koalicioni që ishte 4 vitet e shkuara.
Unë mendoj se Lëvizja Socialiste për Integrim, në interesin më të mirë të vendit duhet ta shqyrtojë dhe ta vlerësojë me sens pozitiv ftesen time të sinqertë, sepse pavarësisht se për të gjitha forcat politike të vendit është e qartë se sovrani, përveçse votoi koalicionin tim, duke e nxjerrë atë si forcë e parë, ka votuar për koalicon dhe është në ABC-në e politikës dhe në moralin e saj që vota e tij të lexohet me korrektesë dhe ndershmëri. Kam besim se kjo forcë politike që ka si qëllim integrimin, reformat për punësimin, do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës time , të hapur dhe të sinqertë.”
Pyetje : Z. Berisha po me Partinë Republikane çfarë do të bëhet , a do të jetë ajo në Koalicionin pazgjedhor?
Z. Berisha: Ka një marrëveshje me Partinë Republikane dhe partitë e tjera, koalicion para dhe pas zgjedhor. PR përfaqësohet në parlament nga Kryetari i saj dhe sigurisht që do të jetë pjesë e koalicionit.
Pyetje: Deklarata juaj për të ftuar LSI-në do të thotë se ju keni marrë garanci për bashkëqeverisje?
Z. Berisha: Kjo është një ftesë publike që unë i bëj LSI-së dhe unë pres dhe shpresoj në reagimin pozitiv të kësaj force. Sigurisht që z. Mediu dhe Partia Republikane është pjesë e Koalicionit, por thashë edhe njëherë është çështje spektri. Me partinë Lëvizja Socialiste për Integrim ne zgjerojmë ndjeshëm bazën elektorale si dhe spektrin programor të koalicionit të qeverisë së ardhshme.
Pyetje: Kur flisni për një bashkëpunim me LSI-në, deri në çfarë termash jeni të gatshëm të negocioni dhe a keni një dhuratë për kryesocialistin Edi Rama, i cili sot ka ditëlindjen ?
Z. Berisha: Termat dhe çdo gjë në marrëveshjen për koalicion duhet të negociohen dhe përcaktohen, por bazat programore për koalicion ekzistojnë plotësisht.
Edi Ramës i uroj gëzuar ditëlindjen. Uroj që vitet që vijnë t’i sjellin më shumë rini.
Pyetje: Z. Berisha a i përmbaheni deklaratës suaj se LSI është gjysma e mollës së kalbur të PS-së ?
Z. Berisha: Ah, me limonada elektorale merresh ti…Si thotë Konica fjalë kazani…!
Pyetje: KQZ ka publikuar mbrëmë vonë rezultatet paraprake të zgjedhjeve të 28 qershorit, e cila ka ngjalluar një reagim të ashpër të PS-së. Ju si e shikoni këtë?
Z. Berisha : E dëgjova përfaqësuesin e shkëlqyer të politikës së re Gramoz Ruçin që u shfaq në tezat e tij të politikës së re. KQZ ka shpallur rezultate paraprake. Shpallja e rezultatit paraprak është një standard konstant, i kërkuar dhe i sanksionuar në dokumentat ndërkombëtare për zgjedhjet .
Por rezultati paraprak dhe rezultati difinitiv janë dy gjera krejtësisht të veçanta. Ndaj dhe zoti Ruçi sa mendon të mbledhë njërëz që nuk i shkon kush mbrapa përveç policëve të Bashkisë së Edi Ramës dhe kryepunëtorëve të Koço Kokëdhimës, më mirë të shkojë të ulet aty ku numërohen votat, të marrë lupën dhe të kontrollojë numërimin e ndershëm të tyre. Kaq e thjeshtë është zgjidhja. Çfarë kishte këtu për t’u revoltuar në atë mënyrë. Pale kur e din që nuk e ndjek kush mbrapa. Kur të matesh duhet të jesh i sigurt. Shko numëro votat ! Nuk mund të ketë proces më transparent se ky. Nuk kemi parë ndonjë proces më transparent se ky. U dha një rezultat paraprak, askush nuk mund të thotë se eshtë përfundimtar dhe aq më tepër kur KQZ për të gjitha kutitë, më thanë që kanë votuar me 7 vota për praktikën që do të ndiqte. Atëherë nuk i mbetet gjë trjetër as palës tonë si dhe atyre, të shkojnë dhe të numërojnë votat e veta bashkë me KQZ.
Pyetje: Kur ftoni një parti të majtë në koalicion, kjo do të thote se i keni bërë mirë llogaritë për të patur një qeveri të qëndrueshme për të shmangur zgjedhje të parakoshme?
Z. Berisha: Së pari qeveritë e minorancës vetëm i ekstremisin situatat, se të preferueshme nuk janë. Qeveri minorance në mandate mund të jesh, kur parlamenti vendos të të mbajë në pushtet për disa arësye, por në fakt nuk mund të thuash se je në mazhorancë nëse je me më pak vota se 50% në sistemin propocional. Në sistemin mazhoritar është ndryshe, të jemi realist ka një kod moral për këto sisteme. Në këtë kontekst ky ishte sistem propociopnal rajonal .
Atëherë përfshirja e LSI-së ka disa arësye madhore : tejkalon 50 % , krijon bazën morale dhe ligjore të plotë për të qeverisur, ka pika të përbashkëta programore . Jo rastësisht z Meta ishte vendosur në krye të Komisionit Parlamentar të Integrimit. Ky është, të jemi realist varianti më i përshtatshëm për vendin sepse në këtë mënyrë do të ketë një qeveri solide, efiçente, të fortë dhe do të ketë një opozitë gjithashtu solide.
Imagjinoni ju sikur të bëhej një koalicion gjigant dhe të mbetej opozita me 4 deputetë. Gjysma juaj do të dilnit në pension, ose do të ndërronit profesion, se s do të kishit lajme. Se vetëm me lajme të qeverisë gjithë ditën nuk rrihet, apo s ‘është kështu se të mërzitën sigurisht. Kështu që kjo skemë është absolutisht interesi më i mirë i vendit. Edhe qeveri solide me pika kontakti programore edhe opozitë solide.
Pyetje: Z. Berisha , për hir të këtij interesi në të mirë të vendit a jeni i gatshëm ju që për një periudhë dy vjeçare ta këmbeni postin tuaj me zotin Meta?
Z. Berisha : Jam i bindur se koalicioni nuk funksionon në atë mënyrë. Jam i sigurt se koalicionet janë transparente. Shqiptarët kanë Sali Berishën njeriun më të votuar, e kanë pasur gjithnjë kështu. Pra kjo nuk është vetëm se mirënjohje e imja ndaj tyre, nuk mund t’i qortoj pse më votojnë mua në këtë shkallë. Ky koalicion nuk është pazar karrigesh. Ky është koalicion integrimi.

“Unë kam gjithçka gati për të formuar një mazhorancë të re. Por po pres me durim rezultatin përfundimtar nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve. Nuk ishte një fitore e gjerë, por është një fitore. Sido që të jetë e madhe apo e vogël, fitorja është e shndritshme !”
“Përkundrejt një trendi, një drejtimi thëllësisht të qytetëruar, paqësor të procesit zgjedhor, 24 orët e fundit fallangat e krimit të Partisë Socialiste, të udhëhequra nga Edi Rama bënë çdo përpjekje për të bllokuar këtë proces.
“Siç edhe mund të konfirmohet nga të gjithë kamerat që janë këtu e që mund të trasmetojnë pamje direkte nga selia e Partisë Demokratike janë duke u larguar të gjithë simpatizantët dhe militantët e kësaj partie të cilët janë duke lëvizur nëpër rrugët e Tiranës. Ndërkohë ju konfirmoj se pamjet që keni ndjekur të trasmetuara nga selia e Partisë Socialiste nuk kanë qenë në asnjë moment live. Situata përpara selisë së Partisë Socialiste është e qetë. Ju kërkoj të gjitha kamerave që janë pranë selisë rozë të konfirmojnë faktin se atje nuk ka asnjë konfrontim, por vetëm disa mbështetetës të Partisë Socialiste.
“Jam këtu për t’ju konfirmuar se asnjë nga mbështetësit e Partisë Demokratike nuk ndodhet para Komisionin e Administrimit Zgjedhor në Fier. Deputetët tanë, të cilët i patë edhe në pamjet që u trasmetuan nga Fieri kanë mbërritur atje më kërkesë të kryetarit të KZAZ-së, i cili po mbahet ende i bllokuar brënda bashkë me numëruesit e Partisë Demokratike, për të biseduar me kolegët socialistë me qëllim ç’tensionimin e situatës, e cila nuk është në të mirë të askujt.
“Jam përsëri këtu për të bërë një thirrje nga Partia Demokratike drejtuar Kryetarit të Partisë Socialiste zotit Rama, që të mos konfliktuojë situatën në Komisionin Zonal të Administrimit Zgjedhor në Fier.
Ora 20:20
Pershëndetje të gjithëve që jeni duke ndjekur lajmin e konfirmimit për fitoren e dyfishtë nga selia blu, fitoren e standardeve europiane të zgjedhjeve në Shqipëri dhe fitoren e sigurt të koalicionit qeverisës, i cili është votëbesuar në mazhorancë nga qytetarët shqiptarë që kanë votuar në datën 28 qershor.
Ora 1.00
Partia Demokratike përmes Zëdhënëses së Fushatës, znj Majlinda Bregu deklaroi se komisionerët socialistë vazhdojnë të mbajnë të bllokuar procesin e numërimit në disa zona si dhe në Pukë nuk pranojnë të firmosin procesverbalin e rezultatit zyrtar.
